Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin.

Ai në Interaktiv të KTV-së, ai tha se partia e tij e ka përkrahur mocionin e rrëzimit të qeverisë për shkak të menaxhimit keqqeverisës.

“Ne kishim disa argumente tona se pse e përkrahëm këtë mocion. Kishim vërejtje në mënyrën e menaxhimit qeverisës, në kuptimin ekonomik mendojmë se ishte një logjikë kryesisht marksiste, e kontrollit. Pastaj ndarja e buxhetit, u diskriminuan komunat me të cilat udhëheq AAK-ja. Ajo çfarë na shqetësoi ishte edhe mënyra se si Kurti vendosi të heqë taksën. Ne kemi pasur një pikëpamje tjetër për mënyrën e heqjes së taksës, jo një copëtim por negocim i këtij vendimi për kontratën finale, pra për njohjen me Serbinë. E edhe diskursi politik ndaj SHBA-së, mendoj se këto janë gabimet e tij”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, “ka mundur të pritej, sa për opozitën kjo qeveri do të shkonte për katër vjet, por partneri nuk priti dhe vendosi me vepruar”.

Sipas Haradinajt, madje Kurti pas bisedës me Merkelin ka bërë një postim ku thotë se i është kërkuar edhe heqja e reciprocitetit.

Ju pëlqen!

Ai thotë gjithashtu se askush nuk ia di për nderë Kurtit për heqjen e tarifës, derisa thekson se nuk mjafton përshëndetja gjysmake e Gjermanisë dhe e Francës, sepse sipas tij, “tani është koha për me ia dhënë Kosovës liberalizimin e vizave”.

“Kurti tash e ka ndryshuar, por thotë me e heq reciprocitetin. Ende pa i vendos të vetat, po thotë se do të heqë reciprocitetin”, ka thënë Haradinaj.

Ai madje, e ka quajtur mashtrues kryeministrin në detyrë Kurti.

“Kurti është një mashtrues i madh, në parlament atë ditë ka përdorur një retorikë fort elokuente, por mashtruese. Për bajrakun që dikush e merr dhe e len kur e merr pushtetin. Në fund të fundit z. Kurti nga një njeri me intelekt mesatar është dashtë me thanë: Ne e çmojmë sakrificën e një Haradinaj, i cili e dorëzoi pushtetin dhe taksën. Ai jo vetëm që nuk e tha këtë, por e lidhi me demarkacionin. Bulliqi e Isufi gjatë qeverisjes së tij e lëshuan punën, jo gjatë qeverisjes sime”, ka thënë Haradinaj.

“S’e kam hallin veç personal, por është rrenë. Kurti në Kuvend tha se e merrni ju bajrakun dhe e lëshoni për karrige, është e kundërta që ka ndodhur, bajrakun e Kosovës e kam ruajtur dhe e kam lëshuar karrigen. Unë e kam bërë z. Kurtin kryeministër, unë kam dhënë dorëheqje, unë s’e kam heq taksën. Kurti ka ofertuar për atë bajrak që e kam lënë, dhe e ka hequr në mënyrën më të mirë të turpshme, duke e copëtuar. E vërteta është se e lash Kosovën e fortë por vet shkova, ia dhashë mundësinë popullit”, tha Haradinaj.

Kujtojmë se Kurti u kishte thënë se “Ajo që unë besoj, është se juve ju ka ngelur merak që ju ta hiqni ju tarifën siç e bëtë me demarkacion, ju e merrni bajrakun e në fund e lëshoni për karrige. E unë, nuk e bëj ashtu. Demarkacioni, demarkacioni, çakorri, çakorri, zhlepi, zhlepi, e top në karrige të kryeministrit”, kishte thënë Kurti.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!