Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se “ndihet i vogël” përballë fitores së madhe që e shënoi partia e tij socialiste në zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Kur kanë përfunduar votimet në 56 bashki, Partia Socialiste ka marrë 49 bashki, ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka fituar gjashtë bashki e partia MEGA fitoi një.

Partia Socialiste po pritet ta fitojë edhe Tiranën me Erion Veliajn, që po kryeson dukshëm.
“Kjo është fitore e madhe për t’u festuar, unë vetë ndihem i vogël përballë hartës së mbushur me fitore, nga Tropoja në Konsipol. Unë e kam të nevojshme të shkoj sa më shpejt në Shkodër, qyteti më i bekuar nga Zoti dhe torturuar nga robi. Këto ishin zgjedhje vendore me një dimension politik të imponuar nga një hije e së shkuarës që tentuan ta çonin këtë vend mbrapa. Tani që shqiptarët zgjodhën atë që dëshironin, të vazhdojmë përpara pa humbur kohë. Një grup pune do të përgatisë një raport të detajuar të leximit të votës që do të nisin punën mëtej”, tha Rama, raporton “TCh”.
Rama ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka pasur dështim spektakolar, për të nisur në kohë procesin zgjedhor. Ai ka përmendur dështimin e pajisjeve.

“S’kam lexuar asnjë raport paraprak, por besoj që zgjedhjet s’kanë pasur gjë të veçantë veç dështimit spektakolar të KQZ-së për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra, në të cilat qytetarët kishin shkuar për të garantuar të drejtën e tyre themeltare. Kjo ishte një gjë e rëndë tronditëse, sepse pajisjet e identifikimit kanë garantuar një transparencë dhe siguri të madhe në zgjedhje dhe mosfunksionimi i tyre është i pafalshëm dhe i pa justifikueshëm. Me siguri ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje dhe aq më tepër kur pamë skenat e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka boshe. Miliona dhe miliona euro nga taksat e shqiptarëve që hidheshin si arka bosh”, tha Rama.