Gazetari, Fidan Rama, ka deklaruar se pastrimi politik i Thaçit e Veselit duhet të bëhet përmes gjykatës.

Në Info Magazine ai mes tjerash u shpreh se pretendimi për aktakuzë do të jetë një njollë e zezë në karrierën politike te presidentit, prandaj sipas tij, më mirë do të ishte konfirmimi i saj dhe më pas shpallja e pafajësisë nga ana e gjykatës.

“Nuk e besoj që Thaçi sot ndodhet në Speciale për të sqaruar pretendimet e prokurorit”.

Ju pëlqen!

“Gjithçka ka ndryshuar nga momenti që është publikuar jo-ligjërisht një pretendim për aktakuzë”.

“Sot intervistimi ka të bëjë me pretendimet e ngritura nga prokurori i rastit dhe është interesant të dihet se kjo a është planifikuar për këtë kohë apo më vonë”.

“Nëse nuk do të konfirmohet aktakuza, kjo do të jetë një njollë e zezë në karrierën e tij politike. Në secilin variant do të ishte më mirë që sa më shpejt të ketë një konfirmim të aktakuzës dhe Thaçi e Veseli të shkojnë e të shpallen të pafajshëm dhe të vazhdojnë me karrierat e tyre politike. Pra, pastërtia e tyre, pastrimi politik, të bëhet nga vendimi i gjykatës. Ndryshe, kështu si është tash, ka shumë dilema dhe paqartësi dhe kjo nuk do t’i konvenonte”.

“Ajo që është interesant të dihet tash është se a po flet apo po mbrohet në heshtje presidenti. Nëse bazohemi tek rastet e intevistimeve të personave tjerë në të kaluarën, procedura ka zgjatur deri në tre ditë”.

“Është interesant të shihet se si ka vendosur të bëjë sot Thaçi. Me gjasë ndoshta ka vendosur të mbrohet në heshtje. Në rast se po ndodh kjo, atëherë mund të ketë shumë çështje të ngritura. Dhe nëse prokurori megjithatë ia bën të gjitha pyetjet, vetëm parashtrimi i tyre mund të zgjasë më tepër, e lëre më nëse Thaçi ka vendosur të përgjigjet”.

“Nëse kthehemi prapa, një standard që e ka vendosur Haradinaj, mendoj që edhe Thaçi do të duhej ta lironte pozitën e presidentit dhe të shkonte në Hagë pa këtë pozitë. A e ka bërë për shkak të kalkulimeve të brendshme politike apo i njëjti nuk ka pritur që të thirret për intervistim por e ka pritur konfirmimin e aktakuzës, nuk e di”.

Rama foli edhe në lidhje me deklaratën e Kurtit në lidhje me shkuarjen e Thaçit në Hagë si president, duke thënë se nuk është asgjë e re nga ai dhe se ish kryeministri e di si ta provokojë temën në fjalë.

“Kurti kundërshtarin e vetëm e ka Thaçin, kjo është lufta për protagonizëm. Asgjë e re nga Kurti. Po e bën pikërisht në kohën kur Thaçi po hynte në Gjykatën Speciale”.

“Ai e di se si ta provokoje këtë temë që ne tani po e diskutojmë edhe këtu në studio. Pavarësisht në cilën rrethanë ndodhet Thaçi, Kurti do të vazhdojë ta kundërshtojë”, u shpreh Rama.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!