“Rama do pasojë Jens Stoltenberg në krye të NATO”. Ky titull pushtoi shumë nga mediat online, por edhe disa televizione në këtë 1 prill që ironikisht shënon edhe 13-vjetorin e anëtarësimit të vendt tonë në NATO.

Të gjithë u bazuan te një mesazh në Twitter të studiues gjermane Suzana Starikov që bëri lëmsh të gjitha mediat. Disa prej tyre i vëshën asaj edhe epitete si eksperte dhe njohëse e mirë e Shqipërisë…

“Edi Rama do të pasojë Jens Stoltenberg në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Në veçanti thuhet se SHBA-të kanë insistuar në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s mes anëtarëve të rinj të NATO-s. Kandidatët ishin kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Kush do të jetë kryeministri i radhës i Shqipërisë?”, – shkruajti ajo fillimisht.

Në fakt bëhej fjalë për 1 prillin. Vetë inicuesja e këtij mesazhi e konfirmoi më pas.

“E gjitha ishte një shaka. Thjesht po tallesha, ishte shaka për 1 Prillin, asgjë më shumë. Më vjen keq që ju zhgënjeva! Nuk kërkoj falje pasi është faji juaj që publikoni lajme pa verifikuar fakte pa marrë parasysh ditën e gënjeshtarëve sot” – shkruan ajo.

Problemi është se pas mediave shqiptare që e morën lajmin për të mirëqenë, (kishte dhe prej tyre që po flisnin për pasardhësin e Ramës në kryeministri) lajmi ka kaluar kufijtë. Mediat serbe gjithashtu i kanë kushtuar jehonë të madhe lajmit që tai as vetë iniciatorja po përpiqet dëshpërimisht ta ndalë.

“Pavarësisht se kam njoftuar këtu në Twitter, se kjo ishte një shaka e imja, një truk i 1 prillit, ata nuk po ndalojnë duke e publikuar si një lajm serioz. Kjo është e çmenduri, më e çmendura, akoma më e çmenduri. Është një shaka, ndaleni këtë ju lutem, nuk dua të jem burim për lajme të rreme” shkroi ajo.