Kryeministri i vendit, Edi Rama me anë të një video-mesazhi në rrjetin social Facebook, ka një thirrje për të gjithë qytetarët duke u shprehur se kemi hyrë në një fazë delikate ku rreziku jemi ne vet, më tepër se sa armiku që po luftojmë.

Sipas kryeministrit liritë do të kthehen sapo ta fitojmë këtë luftë, duke shtuar se “sapo kemi kaluar mesin e tynelit, dhe vetëm një fije na ndan nga ecja para drejt daljes ose për të ecur mbrapsh”.

Fjala e kryeministrit:

“Çdo lëvizje jashtë rrethit të rregullave, me idenë se po dal dhe nuk më kapin, çdo nxitim mund te na kthejë mbrapsh dhe të na fus në qorrsokakun që deri më sot e kemi shmangur me dinjitet të plotë.

Çdo familje, ndërmarrje, familje, qeveria është në hall.

Në këtë luftë të hatashme me një armik të padukshëm askush nuk e ka një zgjidhje për gjithçka. Askush nuk e ka një përgjigje për një dilemë. Askush nuk e di se ku është fundi. As në vendet më të fuqishme dhe të ditura të planetit.

Ne shqiptarët nuk mund ta harrojmë gjënë më të qartë të kësaj lufte. Halli i halleve që na bashkon të gjithëve është mbrojtja e jetës në familjet tona dhe mbrojtja e Shqipërisë nga një katastrofë.

Unë sot jam në merak, sepse e lexoj e dëgjoj e ndjej se shumë prej shumë mendojnë se ja hodhëm.Hapim rrugët se po plasin thonë disa. Na liro se ti nuk je zoti, thonë të tjerë që lëshojnë sharje dhe mallkime.

Ne kemi hyrë në një fazë delikate ku rreziku jemi ne vet tani se sa armiku që po luftojmë. Ne jemi një rrezik potencial i vetvetes.

Unë e ndjej dhimbjen tuaj, dhimbjen e atyre që kanë më shumë halle se të tjerëve. Të atyre që kanë mbetur matanë kufinjëve dhe nuk kthehen dot në shtëpi.

Cdo ditë dita bëhet me e gjatë, sepse mundi duket më i madh dhe durimi që duhet më i madh.

Dua të ndaj me ju se detyra ime në këtë kohë është të mbyll veshët dhe të mos dëgjoj sirenat që thonë “Hajde kthehemi në realitet, luftojmë këtë armik”. E provuan shumë të tjerë më të mëdhenj dhe sot ende nuk po nxjerrin dot kokën mbi sipërfaqe.

Nuk numërojmë dhjetëra të vdekur në ditë po shohim se si kurba e infeksionit mbahet më mirë se shumë vende të Europës.

Nuk kemi asnjë humbje jetë ndër bluzat e bardhave dhe s’kemi as kufoma që s’kemi ku ta varrosim.

Kështu na duket sikur kjo është dytësore dhe përjetojmë më shumë dhimbjet në pasojat e luftës.

“Liritë do të kthehen sapo ta fitojmë këtë luftë. Ekonomia do të ngrihet sapo ta mbarojmë këtë luftë por të vdekurit nuk i rikthejmë dot”.