Për sulmet në veri të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama në Twitter shkroi se sulmet e tilla dhe rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë.

“Sulmet mbi EULEX-in, janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!”

Ju pëlqen!

Tutje ai tha se në këtë mënyrë Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre.

“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”.

Kurse sipas Ramës presidentja Vjosa Osmani veproi drejtë duke i shtyrë zgjedhjet. Ai tha se edhe Serbia duhet të veprojë njëjtë, në mënyrë që të mos përshkallëzohet situata.

“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!”, ka shkruar Rama.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!