Takimi i Presidentit të SHBA-së dhe Rusisë, Joe Biden dhe Vladimir Putin, do të mbahet në Gjenevë.

Ky do të jetë udhëtimi i parë i Joe Biden jashtë vendit në cilësinë e presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Takimi është planifikuar për 16 qershor në Gjenevë, Zvicër, kanë pohuar në unison Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë.

Ju pëlqen!

Ndërsa, më 15 qershor, një ditë pas samitit të NATO-s në Bruksel, presidenti i SHBA, Joe Biden, takohet edhe me udhëheqësit e BE.

Në lidhje me këtë takim, dr. Sadri Ramabaja thotë se, presidenti i SHBA-së, Joe Baiden e mbron Ballkanin.

Ramabaja në një shkrim të tij, dërguar medieve por edhe gazetës “Bota sot”, kujton se, pikërisht 60 vjet më parë ishte një takim tjetër historik – ai mes kryetarëve të shteteve të dy superfuqive në atë kohë, presidentit të SHBA, John F. Kennedy dhe kryeministrit sovjetik, Nikita Hrushov.

Sipas tij, të dy u takuan në Vjenë më 3 dhe 4 qershor 1961, në sfondin e tensioneve në rritje.

Ai shprehet se, pas takimit, si Uashingtoni edhe Moska, meqë ishin të vetëdijshëm për mundësitë që kishin për shkatërrimin në masë të palës kundërshtare, por edhe për kufijtë që duhet t‘ i respektonin përballë njëri-tjetrit, ata do të ndërronin kurs veprim, duke trajtuar më seriozisht njëri-tjetrin, e duke aplikuar tutje politikat e parandalimit.

“Uashingtoni nuk po kërkon një konflikt me Moskën, por, përkundrazi, dëshiron marrëdhënie të qëndrueshme, me vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë evropiane”, tha presidenti amerikan, citon Ramabaja deklaratën e Joe Biden.

“Takimi me Vladimir Putinin në Gjenevë, do të jetë pas bisedimeve të nivelit të lartë me miqtë, partnerët dhe aleatët tanë, të cilët e shohin botën nga e njëjta perspektivë si Shtetet e Bashkuara dhe me të cilët ne do të rinovojmë lidhjet tona dhe qëllimet e përbashkëta. Ne do të vazhdojmë të jemi të bashkuar në kundërshtimin e sfidave të Rusisë ndaj sigurisë evropiane, e cila filloi me agresionin në Ukrainë,” tha Biden.

Ai theksoi tutje se “nuk do të ketë dyshim në lidhje me vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur vlerat demokratike që ne nuk mund t’i ndajmë nga interesat tona”.

Ramabaja flet edhe për një shkrim autoril të Bidenit, të publikuar të shtunën në Ëashington Post, ku theksoi se Uashingtoni nuk do të donte “asnjë konflikt” me Rusinë. Qëllimi i SHBA-ve është ndërtimi i “marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me Rusinë, brenda kuadrit të së cilës të dy shtetet mund të punojnë së bashku në fusha të tilla si stabiliteti strategjik ose kontrolli i armëve.

“Biden udhëton për Evropë të mërkurën. Të premten ai do të marrë pjesë në samitin e shtatë shteteve kryesore industriale (G7) në Cornëall, në Anglinë jug-perëndimore. Në samitin e radhës të NATO-s ai do ët marrë pjesë për herë të parë në cilësinë e presidentit të SHBA-ve të hënën pasuese. Fare në fund të udhëtimit të tij, ai ka rezervuar të takohet me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, në Gjenevë, më 16 qershor. Gjatë periudhës kur në Shtëpinë e Bardhë erdhi Joe Biden, pati, madje disa herë, edhe tensione midis dy krerëve të shteteve. Kur u pyet nëse ai mendonte se Putini ishte një vrasës, Presidenti i SHBA kishte thënë taksativisht: “Këtë po e bëj.” Por ai gjithashtu tha se kishte çështje ku bashkëpunimi ishte në interes të të dy palëve, për shembull rinovimi i traktatit të çarmatimit “Start” .

Sipas tij, deklarata e Bidenit kishte shkaktuar pakënaqësi në Kremlin.

Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, megjithatë Putini në vend të përgjigjes qe shprehur shkurt: “Bidenit i dëshiroj shëndet”.

“Sipas njohësve të raporteve Perëndim-Rusi, Vladimir Putin-i dhe Joe Bideni nuk do të jenë në gjendje të tejkalojnë suksesin historik të vitit 1985. Përkundrazi, meqë në këto raporte, sidomos pas aneksimit të Krimesë dhe tutje gjatë periudhës së fundit, kur Putini po qeverisë me dorë të hekurt, ato kanë pësuar goditje të rëndë. Pas krejt kësaj, është fare e pritshme dhe në përputhje me logjikën, që presidentët e që të dy fuqive, deri në përfundim të Luftës së Ftohtë, rival të ashpër, kanë shprehur gatishmërinë të takohen më 16 qershor”, shkruan Ramabaja.

Por, sipas tij, bazuar në orientimet gjeostrategjike ruse, takimi ka rrezik real të kthehet në një fiasko dhe zhgënjim të madh.

“Nëse për një dekadë të tërë, regjimi në Moskë kishte përqafuar formalisht demokracinë liberale si sistem politik, qoftë duke e trajtuar atë si fasadë, gjatë epokës së Putinit, veçmas nga mandati i dytë, kjo strategji ka ndryshuar rrënjësisht. Tani jemi dëshmitarë se regjimi i Putinit oponentët e vet politik i eliminon fare hapur. Pak para zgjedhjeve parlamentare (ato pritet të mbahen në shtator), autoritetet ruse janë pajisur me një instrument politiko-administrativ për të përjashtuar anëtarët e opozitës nga zgjedhjet. Autoritetet ruse tani do të jenë në gjendje të përjashtojnë kandidatët nga të gjitha zgjedhjet, duke u bazuar në deklaratat politike përmes të cilave oponentët akuzohen se kanë bashkëpunuar me organizata “ekstremiste dhe terroriste”. Gjithsesi edhe kjo sjellje e Moskës zyrtare ndaj oponentëve të brendshëm politik, pritet të jetë objekt i bisedimeve mes dy presidentëve”, thekson Ramabaja.

“A do të arrihet nga ky takim ajo që ishte arritur para 60 viteve, është pak e besueshme”.

“Mundësitë për të kultivuar tash e tutje respekt të ndërsjellë nuk janë shterur, por gjasat janë tepër të vogla. Baltiku, Ballkani, Ukraina e së fundmi edhe Bjellorusia… janë vetëm disa nga nocionet gjeopolitike rreth të cilave ka përplasje serioze, e që vështirësojnë çfarëdo ujdie për të selitur një gjuhë të re të përbashkët dhe për të promovuar rregulla sipas të cilave do të mund të pritej bashkëpunimi me objektiv zgjidhjen e interesave të kundërta – për të mirën e civilizimit tonë”, shkruan tutje ai.

Sipas tij, ditë më parë ambasada amerikane në Tiranë pat publikuar foto nga stërvitja e madhe e NATO-s në Shqipëri “Defender Europe 21”.

“Vetëm në Shqipëri janë dislokuar 6 mijë forca ushtarake të SHBA-ve bashkë me mjetet e tyre, ku spikasin raketat “Patriot” të pozicionuara në bazën e Kuçovës. Ky tip raketash konsiderohen nga më të avancuarat të sistemit kundër-ajror momentalisht. Vetëm zërat se një pjesë e tyre mund t’ i dhurohen Shqipërisë, kanë shkaktuar trandje të llojit të vet në Beograd dhe Moskë”, thotë ai.

“Pas takimit të 16 qershorit, do ta kemi së paku një fitues, ai gjithsesi do të jetë Zvicra”, përfundon dr. Sadri Ramabaja.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.