“RADIOLOJA” e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të RPSSH-së

Përgatitur nga Ferdinand Dervishi

Pjesa e parë

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

“Punova në shërbimin sekret shqiptar, i bindur për të kontribuar për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe për të siguruar jetën paqësore të popullit…”. Autori i këtyre radhëve quhet Pilo Shanto, një ish-oficer e drejtues i Sigurimit të Shtetit, pak i njohur në publik, i cili sapo ka botuar një libër ku përshkruan radiolojën e viteve 1952-’53, apo ngjarjen më të famshme dhe më të përfolur ndër atributet që lidhen me shërbimin sekret shqiptar. Të njëjtën ngjarje, që pati si viktimë mbase agjencinë më të madhe botërore të spiunazhit, CIA-n amerikane, debatet, dëshmitë e opinionet për të cilën, vetëm tre vite më parë, janë shoqëruar edhe me një ndjesë publike, për dështimin, e nxjerrë nga goja e ish-kryeministrit Britanik, Toni Bler. Thënë të vërtetën një ngjarje e përmasave të tilla është bërë më shumë se zakonisht objekt shkrimesh të kategorive të ndryshme.

Për të kanë shkruar edhe analistë e historianë të huaj, që kanë pasur për objekt veprimtarinë e shërbimeve sekrete, me të janë mbushur edhe faqet e shumë gazetave, sidomos në Shqipërinë e epokës postkomuniste. Por, në librin e Pilo Shantos, me titull “Bora filloi” dhe nëntitull “E vërteta mbi radiolojën ‘Liqeni i Vajkalit”, gjithçka është për herë të parë shumë e qartë.

Është tepër e qartë për faktin se vetë Pilo Shanto është lojtari kryesor në fushën e Sigurimit të Shtetit, ai që ndërtonte strategjitë e të vepruarit, ai që hartonte edhe tekstet e mesazheve, të cilat për herë të parë do të prezantohen me publikun. Të atyre mesazheve të dërguara me anë të radiomarrëseve të modelit të vjetër, që çuan CIA-n amerikane nga njëri kurth në tjetrin, nga njëri dështim në tjetrin. Grupi i Zenel Shehut Po cili ishte grupi që kishte rënë në duar të Sigurimit të Shtetit, me ndihmën e të cilit mund të organizohej një radiolojë? Bëhej fjalë për Zenel Shehun, që dikur kishte qenë kapiten në Gardën Mbretërore të Mbretit Zog, me detyrë oficer shërbimi pranë Familjes Mbretërore. Ai ishte larguar jashtë vendit në prag të pushtimit italian bashkë me familjen mbretërore dhe që nga kjo kohë kishte vazhduar t’i shërbente derisa Mbreti e vuri në shërbim të CIA-a.

I dyti i arrestuar ishte Tahir Preçi, ndërlidhës. Fillimisht kishte shërbyer në karabinierinë italiane, ku kishte vazhduar punën edhe pas pushtimit nazist të vendit. Një pjesë kohe kishte hyrë edhe në radhët e ushtrisë Antifashiste, por më pas ishte arratisur në Greqi, ku ishte vënë në shërbim të CIA-s. Në të njëjtën periudhë ishte specializuar si radist në një qendër të CIA-s, që gjendej në Mynih të Gjermanisë. Të dy këta ishin futur nga kufiri tokësor me Greqinë. Sigurimi i Shtetit merr sinjale për kalimin e një avioni mbi territorin shqiptar në të gdhirë të 5 majit 1952 dhe më tej vërteton se ai kishte desantuar parashuta në malin e Lenies, në zonën e Gramshit. Duke parë vendzbarkimin e analizuar provat ishte ardhur në konkluzionin se avioni nuk kishte zbarkuar njerëz, por materiale.

Më tej ngjarja lidhet me një shkelje kufiri të – 2/19 – datës 1 maj 1952, nga jashtë brenda, në zonën Nikolicës, në rrethin e Korçës, mes piramidave 67-68, ku identifikohet një grup prej pesë – gjashtë njerëzish, gjurmët e të cilëve kishin humbur megjithë kërkimet e ndërmarra.

 Më tej, më 15 maj 1952, grupi i njerëzve bëhet përsëri i gjallë, këtë radhë në Martanesh, ku një bari dëshmon se kishte takuar në pyll dy persona të veshur me rroba ushtarake dhe të armatosur me automatikë gjermanë. Pa gjetur mundësi të fshiheshin, ata i kishin thënë bariut se ishin ushtarë të mbrojtjes. Duke bërë logjikisht rreshtimin e tre ngjarjeve, duke përllogaritur kohën, Sigurimi i Shtetit vjen në përfundimin se bëhej fjalë për të njëjtin grup që theu kufirin në Nikolicë të Korçës, më 1 maj 1952, që priti furnizim me avion më 5 maj në Gramsh dhe që u përball dhjetë ditë më pas në Martanesh me bariun dyshues.

Më 25 maj 1952, dy njerëzit e armatosur shfaqen në fshatin Fushë-Bulqizë, ku i trokasin natën një fshatari, i cili, dyshues, i qëllon me armë duke i përzënë. Zona mbushet me agjentë dhe shpejt vijnë informacionet e para. Më 7 qershor 1952, një bashkëpunëtor i Sigurimit i quajtur “Fatosi”, raporton se një i njohuri i tij, G.M., i kishte kërkuar takim urgjent duke i thënë se kishte të fala nga kolegu i vjetër, Zenel Shehu. I njëjti i sqaron se ai kishte mbërritur atyre anëve i dërguar nga Mbreti Zog dhe nga amerikanët me një mision të rëndësishëm. Shpejt Sigurimi fut në lojë edhe një bashkëpunëtor tjetër që banonte në këtë zonë, i cili njihej me pseudonimin “Shqiponja”.

Pas pak ditësh, me qëllim që të bëhej i mundur arrestimi i të dyve pa e marrë vesh askush në zonë, Sigurimi instrukton “Fatosin” të bindë Zenel Shehun se do të bënte mirë që të mbante lidhjet me sa më pak persona, pasi kishte të ngjarë të zbulohej nga policia. Madje ai e bën aq mirë lojën, saqë veç vetes, arrin të bindë ishkapitenin e Mbretit të zgjedhë për të mbajtur kontaktet edhe bashkëpunëtorin tjetër “Shqiponja”.

Të dy, duke vazhduar lojën i raportonin Zenel Shehut se ishin duke punuar fort për të gjetur mbështetës në radhët e popullit dhe kështu dalëngadalë i ngrenë grackën. Dikur e bindin të takonte katër mbështetës të tij në një vend të caktuar. Kuptohet që në vend të mbështetësve në këtë vend i pritën katër punëtorë operativë të Sigurimit, që të gjithë të instruktuar që arrestimin ta bënin të pastër, pasi kishte një udhëzim për të bërë kujdes, pasi të paktën dora e djathtë e radistit, ajo që bënte transmetimin, duhet me patjetër të mos dëmtohej. Kështu më 29 qershor 1952, që të dy arrestohen thuajse pa bërë asnjë rezistencë. Kështu Sigurimi bëhet gjithçka ishte gati për fillimin e radiolojës.

Një ndërmarrje që nuk ndërtohej për herë të parë, pasi një operacion i njëjtë, i koduar “Buza e Bredhit”, sapo kishte përfunduar me sukses duke vënë në lojë shërbimin sekret italian. Autor dhe protagonist “Për të ndjekur zhvillimin e radiolojës që po përgatitej, u krijua një grup i veçantë i përbërë prej katër personash, me këtë ndarje pune:

1- Autori i këtij libri do të merrej me mashtrimin që do i bëhej qendrës së zbulimit të huaj.

2- Fejzo Kasimati, do të kryente mbajtjen në kontroll të punës së agjentit radist, të kapur për të mos i dhënë mundësi të komunikonte me CIA-n se ishte duke transmetuar i komanduar nga kundërzbulimi.

3- Banush Goxho, ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Peshkopi do të ndiqte reagimin e lidhjeve në popull që agjentët kishin mundur të vendosnin me qëllim që shkëputja e kontakteve pas arrestimit të mos binte në sy.

4- Asim Aliko, do të merrej me sigurimin e agjentëve, sidomos me atë të radistit.

5- Kadri Hazbiu, ish-zv/ministër i Brendshëm u vendos në krye të këtij grupi operacional”, shkruan Pilo Shanto.

Pra kjo është celula e famshme e radiolojës së koduar “Liqeni i Vajkalit” që futi në kurth bazën e shërbimit sekret amerikan të vendosur në Athinë. Në këtë pikë, celula ndërgjegjësohet se duhet të mbajë – 3/19 – vëmendjen të mprehtë në disa drejtime. Së pari celula e kundërzbulimit shqiptar duhet të njihte mirë situatën në të cilën do të veprohej, pasi gjithçka duhet të mbahej sekret në një rreth të ngushtë njerëzish, më tej duhej punuar me mend që të arrestuarit pranonin bashkëpunimin me Kundërzbulimin shqiptar, duke vepruar kështu kundër zbulimit që i dërgoi dhe së fundmi duhej përgatitur se çfarë informacioni i duhej dërguar zbulimit të huaj.

Kim Filbi s’kishte lidhje me radiolojën

 “Duke shkruar përvojën time për një operacion të vërtetë, siç është ai i Radiolojës “Liqeni i Vajkalit”, jam i bindur se ‘përrallëzat me Kim Filbi’ do të mbeten vetëm mjet dezinformacioni i një kategorie njerëzish që nuk e duan memorien historike të shqiptarëve”.

Kjo është një fjali që Pilo Shanto, autori i librit për Radiolojën e viteve 1952-’53, që çoi në arrestimin e një numri të madh njerëzish që tentonin të rrëzonin regjimin e kohës, e ka zgjedhur ta shkruajë përfund portretit të tij në kopertinën e pasme. Pra shumë thjesht, njeriut që ishte në qendër të bërthamës së Sigurimit të Shtetit që ndërtoi me sukses Radiolojën me CIA-n amerikane, gjithçka që tenton t’ia atribuojë këtë sukses të Kundërzbulimit shqiptar, Kim Filbit, agjentit të shërbimit sekret britanik që punonte për sovjetikët, i duket si përrallëz.

Natyrisht që Shanto nuk mbetet vetëm me këtë opinion. Në fund të librit, ai i ka kushtuar një kapitull të tërë argumentimit përse Radioloja nuk është një asnjë rast fryt i tradhtisë së Kim Filbit ndaj spiunazhit britanik. Në të njëjtin libër shpjegohet edhe ana tjetër të medaljes, se përse kryesisht autorë të huaj këmbëngulin në variantin “Kim Filbi”.

Argumentet kundër variantit “Filbi” Sipas Shantos, së pari dështimi i operacionit “Djalli” apo “I çmueshmi”, që ishin emrat e koduar të sipërmarrjes amerikane për të dërguar dhe më pas për të organizuar në Shqipëri veprimtarinë e Zenel Shehut e të Hamit Matjanit, është vepër ekskluzivisht e shërbimit sekret shqiptar. Kjo për faktin e thjeshtë se në këtë periudhë ky shërbim nuk kishte asnjë lidhje me KGB-në sovjetike, së cilës i shërbente Filbi.

Së dyti, sipas Shantos, nëse në lojë do të ishte Kim Filbi, dy bandat, ajo e Zenel Shehut dhe ajo e Hamit Matjanit do të ishin pritur nga forcat tona në kufi, ose në pikën ku do të desantonin. Por në të kundërt, Zenel Shehu u arrestua në sajë të punës operative të Sigurimit të Shtetit, ndërsa Hamit Matjani me anë të “Radiolojës”.

Një tjetër argument i sjellë nga Shanto është edhe fakti historik, sipas të cilit, në këtë periudhë, pra nga korriku 1952 deri në tetor 1953, Kim Filbi nuk ishte më në lojë. Ai ishte përzënë nga MI-6, sepse dyshohej nga FBI-ja si agjent i sovjetikëve.

Pra, që në qershor të vitit 1951, Kim Filbin e kishin tërhequr nga Uashingtoni, ku ishte qendra nga drejtoheshin operacionet ndaj Shqipërisë, për ta sjellë në Angli, ku mbahej nën vëzhgim nga MI-5, apo Kundërzbulimi anglez. Dhe po të shohësh të dhënat e biografisë së Filbit vërtetohet se roli i tij në radhët e shërbimit sekret britanik ka përfunduar pikërisht në – 4/19 – vitin 1951.

Këtij argumenti i shtohet edhe opinioni i Nikolas Bethel, autor i “Tradhtia e Madhe”, që shkruan se “…Nuk e shkaktoi (Kim Filbi red.) dështimin fatkeq të Zenel Shehut dhe Hamit Matjanit, që përshkruan Hoxha në librin e tij. Ky episod kishte ndodhur më vonë, pasi Filbi ishte thirrur në Londër, në qershor të vitit 1951…” Po kështu, sipas argumentimit të Shantos, KGB-ja sovjetike, edhe në se mund të kishte informacione për Shqipërinë, të dhëna prej Kim Filbit, nuk mund të ndërmerrte aventura duke ja kaluar ato Sigurimit të Shtetit, pasi ato mund të rrezikonin burimin, pra agjentin e tyre aq të çmuar..

Për sa i përket lidhjes së Filbit me këtë çështje, në të njëjtën vijë argumentimi me Shanton vjen edhe Dr. Perlat Çaushi, autori i parathënies së librit. Sipas tij, vetë Filbi në librin e tij “Lufta ime e fshehtë” i përmend shkurtazi këto operacione. Nga ana tjetër, sipas Çaushit, në mjaft operacione të tjera, të rëndësishme, Filbi flet hollësisht për rolin e tij, ndërsa për operacionin ndaj Shqipërisë nuk e merr këtë përgjegjësi.

Një tjetër argument që sjell Çaushi është se në fondin e ish-Drejtorisë së Zbulimit shqiptar ka një dosje që përmban këmbimin e informacioneve mes Sigurimit të Shtetit dhe KGB-së. Në këtë dosje, sipas Çaushit, nuk ka asnjë të dhënë që të bëjë fjalë se sovjetikët na kanë vënë në dijeni për atë që po ndërmerrnin ndaj Shqipërisë amerikanët e anglezët.

Përse këmbëngulet për Filbin?

Sipas Çaushit ka një, apo më saktë dy, argumente që sqarojnë se përse perëndimorët insistojnë që dështimin në Shqipëri t’ia faturojnë tradhtisë së Kim Filbit. “Së pari, sepse e kanë të vështirë të pranojnë këtë disfatë të hidhur dhe, së dyti, sepse shumë analistë perëndimorë i dënojnë këto veprime duke i konsideruar si Shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare”, e përfundon argumentimin e vet Dr. Perlat Çaushi. Po si është e vërteta? Si u mundësuan këto operacione spektakolare?

Sipas Shantos, Kundërzbulimi shqiptar ishte informuar për operacionin “Djalli” apo “I çmueshmi” nga rezidenca e Zbulimit Shqiptar në Romë që në fazën përgatitore të tij, në pranverën e 1949. Ndërsa burimi i informacioneve ishin bashkëpunëtorët e kësaj rezidence që vepronin në mjediset e emigrantëve politikë shqiptarë, të grumbulluar në disa kampe në qytete të ndryshme të Italisë.

Më tej të njëjtët emigrantë sinjalizuan edhe mbërritjen në Romë të Mithat Frashërit, Abaz Ermenjit etj. Lajmi i dytë në radhë i ardhur ishte se Vasil Andoni, Abaz Ermenji, Abaz Kupi e Gaqo Gogo po rekrutonin emigrantë për t’i vënë në shërbim të MI-6-tës dhe CIA-s, ndërsa Vërlaci dhe Gjonmarku po rekrutonin për llogari të shërbimit sekret italian. Qëllimi i tyre ishte shpallur publikisht në Paris më 26 gusht 1949 me krijimin e “Komitetit Shqipëria e Lirë”, ku drejtuesit Mithat Frashëri, Abaz Kupi dhe Seit Kryeziu deklaruan se ky komitet do të nxiste dhe drejtonte shqiptarët kudo ndodheshin, që të bashkuar, të luftonin për të rrëzuar qeverinë komuniste të Tiranës.

Gjithsesi, nën dritën e fakteve të reja për këtë moment të historisë së shërbimeve sekrete, shumë analistë të huaj janë duke lëvizur nga varianti i vjetër. Fakti i mirënjohur se në vitin 1951, rreth 12 muaj para se Radioloja të niste, Kim Filbi ishte thirrur në Londër për t’u marrë në pyetje në lidhje me dyshimet e ngritura, mbetet kokëfortë. Kjo sepse një vit më pas, në qershor 1952, teksa Sigurimi i dërgonte mesazhin e parë të mashtrimit CIA-s, Filbi gjendej me shpatulla pas murit, duke dhënë shpjegime para një gjykate sekrete.

Një zhvillim që firmosi edhe fundin e karrierës së tij aktive. – 5/19 – Të arrestuarit Zenel Shehu Kishte qenë kapiten në Gardën Mbretërore të Mbretit Zog, me detyrë oficer shërbimi pranë Familjes Mbretërore. Ishte larguar jashtë vendit në prag të pushtimit italian bashkë me familjen mbretërore dhe që nga kjo kohë kishte vazhduar t’i shërbente derisa Mbreti e vuri në shërbim të CIA-a. Tahir Preçi (Ndërlidhësi) Fillimisht kishte shërbyer në karabinierinë italiane, ku kishte vazhduar punën edhe pas pushtimit nazist të vendit. Një pjesë kohë kishte hyrë edhe në radhët e ushtrisë Antifashiste, por më pas ishte arratisur në Greqi, ku ishte vënë në shërbim të CIA-s.

Në të njëjtën periudhë ishte specializuar si radist në një qendër të CIA-s që gjendej në Mynih të Gjermanisë. Celula e Radiolojës:

  1. Kadri Hazbiu, ish-zv/ministër i Brendshëm, kryetar i grupit.
  2. 2- Pilo Shanto, autori i këtij libri do të merrej me mashtrimin që do i bëhej qendrës së zbulimit të huaj.
  3. 3- Fejzo Kasimati, do të kryente mbajtjen në kontroll të punës së agjentit radist, të kapur për të mos i dhënë mundësi të komunikonte me CIA-n se ishte duke transmetuar i komanduar nga kundërzbulimi shqiptar.
  4. 4- Banush Goxho, ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Peshkopi do të ndiqte reagimin e lidhjeve në popull, që agjentët kishin mundur të vendosnin me qëllim që shkëputja e kontakteve pas arrestimit të mos binte në sy.
  5. 5- Asim Aliko, do të merrej me sigurimin e agjentëve, sidomos me atë të radistit. – 6/19 –

Pjesa e dytë

Radioloja, tekstet e radiogrameve që bindën CIA-n të niste njerëz e pako nga ajri  

Në pjesën e parë, lexuesi u njoh me ideimin e nisjen së Radiolojës të emërtuar “Liqeni i Vajkalit”, një operacion i Sigurimit të Shtetit, i organizuar në vitet 1952-’53 që futi në lojë shërbimin sekret amerikan CIA, saktësisht qendrën e tij në Athinë, gjatë përpjekjeve për të futur në Shqipëri elementë që do të mundësonin rrëzimin e pushtetit komunist.

Ideja për këtë Radiolojë mbërrin menjëherë pas përfundimit me sukses të një tjetre, e koduar “Buza e Bredhit” që sapo kishte vënë në lojë shërbimin sekret italian. Në shënjestër vihet një grup agjentësh të dërguar në zonën e Matit me ndërmjetësimin e Mbretit Zog, të kryesuar nga ish-oficeri i tij i Gardës, Zenel Shehu.

Pas futjes në territorin shqiptar nga toka, agjentët mbanin lidhje me qendrën e CIA-s në Athinë, ku edhe ishin trajnuar. Me të rënë në duar të Sigurimit të Shtetit, një celulë oficerësh të Kundërzbulimit shqiptar, mes të cilëve edhe Pilo Shanto, autori i librit nga ku janë shkëputur këto pjesë, organizon Radilojën me qendrën e CIA-s në Athinë, duke e bërë të mos dyshojë në arrestimin e Zenel Shehut dhe duke e detyruar të dërgojë me anë të desantimit ajror, për dy vjet me radhë, njerëz të tjerë mes të cilëve edhe të shumëkërkuarin Hamit Matjani, shumë materiale e të holla.

Para se të nisnin Radiolojën, grupi special e konsideron të domosdoshme të kishte informacion të mjaftueshëm për Zenel Shehun, qëllimet e tij, mbështetësit, celulën që e nisi, mënyrën e komunikimit etj. Kështu duke u marrë hollësisht në pyetje, dy të plagosurit, krejt habitshëm, kishin qenë të sinqertë. Sipas shpjegimeve të tyre, zanafilla e kësaj ndërmarrjeje lidhej me një vizitë që mbreti Zog kishte bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 1951. Aty atij i ishte kërkuar nga drejtues të CIA-s që t’u rekomandonte kandidatura të afta, të sigurta dhe me influencë për t’i dërguar me mision në Shqipëri, në zonat ku mendohej se ndikimi i tij ishte i madh.

Mbreti, mes të tjerëve, u kishte rekomanduar dy ish-oficerë të gardës së tij, Zenel Shehun dhe Halil Branicën. “Pak ditë pasi u kthye Zogu nga Shtetet e Bashkuara, më thirri dhe më njoftoi se kishte vendosur të më dërgonte në Shqipëri në mënyrë të fshehtë, si kaçak, së bashku me Halil Branicën, se do të viheshim në dispozicion të amerikanëve e do të vepronim sipas udhëzimeve të tyre”, shkruan Pilo Shanto në librin e vet për dëshminë autentike të marrë nga Zenel Shehu.

Po sipas Zenelit, Zogu u kishte thënë se amerikanët do i pajisnin me një radiotransmetuese me anë të së cilës do të lidhej me amerikanët dhe me atë vetë.

Të përzgjedhurit nga Zogu, të shoqëruar nga Hysen Selmani, një tjetër njeri i mbretit, u grumbulluan pa humbur kohë në Athinë. Në qendrën e CIA-s atyre iu bashkëngjit edhe Tahir Preçi, që do të ishte ndërlidhësi.

Pjesëtarët e celulës ishin bindur se në rastin e Zenel Shehut e Halin Branicës, kishin përpara një tjetër lloj ndërmarrjeje. Kjo sepse për herë të parë mbreti Zog po merrej me krijimin e një grupi, se të dy të zgjedhurit e tij për t’u dërguar në Shqipëri ishin ish-oficerë të gardës personale, të padamkosur si bashkëpunëtorë të fashizmit, pra që do të mund të vlerësoheshin për besnikërinë ndaj tij dhe që ishin përllogaritur si të aftë për të bërë njerëz për vete në zonën ku Zogu kishte më shumë – 7/19 – influencë, në vendlindjen e tij.

Misioni i grupit, sipas dëshmive të të arrestuarve, ishte destabilizimi i vendit dhe organizimi i kryengritjes së armatosur në zonën verilindore, në kufi me Jugosllavinë, ku do të krijoheshin mundësitë për furnizime me njerëz dhe armë që do të nevojiteshin për përhapjen e kryengritjes në zona të tjera.

Në një bllok shënimesh të Zenel Shehut, u gjet edhe kodi që do të transmetonte ai në lidhje me përgatitjen e kryengritjes. Kështu nëse me radio do të dërgohej fraza “Konditë e mirë”, kjo do të thoshte se “populli është me ne, na ndihmon, vihet në dispozicion të mbretit”. Nëse do të transmetohej fraza “Në kondita shumë të mira”, do të deshifrohej si “jemi në kontakt me nëpunës dhe oficerë në favorin tonë” dhe nëse do të transmetohej fraza “Situata në favorin tonë”, kjo do të kuptohej si “populli është gati të marrë armët, ka raste të veprimit ushtarak dhe nëpunës që marrin pjesë”.

Përgatitja e njerëzve u bë në Qendrën e CIA-s në Athinë për një muaj me radhë. Ajo kishte nisur me “njohjen e gjendjes në Shqipëri”, “leksione” të cilat i kishte dhënë koloneli Xhon. Ai u kishte folur agjentëve që po përgatiteshin për pakënaqësitë e mëdha që kishte populli ndaj qeverisë, për varfërinë e madhe, për terrorin e madh që ushtrohej nga të kuqtë mbi popullin dhe për ekzistencën e shumë grupeve të armatosura që vepronin kundër komunistëve.

Ai injektonte në trurin e të rekrutuarve ide sipas të cilave “në Shqipëri ishin pjekur kushtet që populli të ngrihej me armë kundër shtetit të tij, mjaftonte që në krye të viheshin njerëz të aftë… Radhitja e Jugosllavisë ndër vendet e ‘botës së lirë’ e ka izoluar Shqipërinë nga bota komuniste. Kështu që SHBA, Anglia, Greqia, Jugosllavia dhe Italia kanë marrë vendim të prerë për t’i ardhur në ndihmë popullit shqiptar të fitojë lirinë e humbur”.

Futja e grupit në Shqipëri

Përfundimisht CIA vendos që grupi të merrte me vete në Shqipëri gjërat më të domosdoshme, dokumente identifikimi false, armatim personal të prodhimit gjerman të Luftës së Dytë, me qëllim që të mos dyshohej në rast arrestimi se kush i kishte dërguar, monedha floriri, dollarë USA, lekë shqiptarë, dhrahmi greke, si dhe një dozë helmi për t’u vetëhelmuar nëse rrezikonin të binin në duar të policisë.

Për mënyrën e futjes në Shqipëri ishin diskutuar tre variante: të desantoheshin me parashutë, të futeshin me anije në rajonin bregdetar, ose t’u viheshin në dispozicion shoqërues për të kaluar kufirin me këmbë. Me insistimin e Halil Branicës pranohet varianti më i vështirë, ai i kalimit të kufirit me këmbë. U ra dakord që bashkë me ta të niseshin katër shoqërues, një prej të cilëve do të ishte Hamit Matjani. Dy nga shoqëruesit, përfshirë Matjanin, do të ktheheshin mbrapsht pasi grupi të kalonte shëndoshë e mirë kufirin. Por teksa ishin gati të kalonin kufirin, Halil Branica sëmuret. Qendra urdhëron që ai të kthehet, ndërsa të tjerët të vazhdojnë rrugën.

Kështu kufiri kalohet pikërisht në zonën e Nikolicës, në Korçë, më 1 maj 1952. I njëjti grup furnizohet nga ajri pesë ditë më pas në Malin e Lenies në Gramsh. Grupi arrin në zonën e Martaneshit, ku nuk mundet të vendosë asnjë lidhje dhe më tej në Bulqizë, ku vendos lidhje, por dy prej tyre ishin bashkëpunëtorët e Sigurimit që i futën në grackë.

Zenel Shehu bashkëpunon

Por që Radioloja të funksiononte, duhej që dy të arrestuarit të bashkëpunonin. Për çudi edhe në këtë rast Sigurimi arrin të triumfojë. Pasi të dy, si Zenel Shehu ashtu edhe radisti, bien dakord. Natyrisht që vëmendje më tepër i kushtohet radistit. Pasi Radioloja nuk mund të fillohej pa të. Asnjë radist tjetër, sado i saktë dhe i kualifikuar, nuk mund të tentonte të dërgonte mesazhe, pasi në anën tjetër, në qendrën e CIA-s në Athinë do të kuptohej menjëherë dora e komunikimit të tjetrit. Kjo sepse specialistët e ndërlidhjes e njohin dorën që transmeton, ashtu siç ne njohim zërin e njëri-tjetrit. Por bashkëpunimi pa asnjë reklamim vë në alarm Sigurimin. Pikëpyetja që ngrihej ishte: përse janë kaq të qetë, përse duket sikur i kanë dorëzuar armët përfundimisht? Por edhe kjo pikëpyetje merr një shpjegim. Në raste të ngjashme, kur agjentë të kësaj natyre kishin rënë në duar të kundërshtarëve, pothuaj në të gjitha rastet kishin pranuar bashkëpunimin. Por një bashkëpunim që ta mbanin mirë me të dy palët. Pra mbahej mirë me Sigurimin duke bashkëpunuar, por mbahej mirë edhe me dërguesit e CIA-s, duke u sjellë në një mënyrë të tillë që ata të kuptonin se kishin rënë në duar të policisë shqiptare.

Këtu loja kapet nga Sigurimi, që i pyet dy të arrestuarit se me ç’mënyrë do të njoftonin qendrën nëse do të binin në duar të kundërzbulimit shqiptar? Përgjigjja mohuese, se nuk kishin parashikuar ndonjë mënyrë, ishte dukur si e vetmja e dyshimtë. Më pas mësohet se në këtë pikë Sigurimi kishte pasur dyshime të drejta. Gjithsesi vendimi për nisjen e Radiolojës merret pa humbur kohë.

Radisti i kapur pranon të bëjë edhe disa prova, duke komunikuar me një radist të Sigurimit. E gjithë përmbajtja regjistrohet dhe i tregohet atij në formë presioni, duke i thënë se një gabim i vogël i transmetuar do të regjistrohej dhe përfundimisht do i kushtonte shtrenjtë.

Më tej celula mblidhet të diskutojë se cili do të ishte mesazhi i parë i dërguar në adresë të qendrës së CIA-s në Athinë. “U arrit në përfundimin se mashtrimi detyrimisht duhej të lidhej me detyrat që u ishin ngarkuar agjentëve, pra kryesisht me ecurinë e veprimeve të tyre, për të zgjeruar rrethin e njerëzve që do të ishin të gatshëm për t’u ngritur me armë kundër qeverisë”, shkruan në librin e vet Pilo Shanto.

Për çfarë u vendos të transmetohej, sipas autorit, u njoftuan krerët më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga ana e tyre nuk patën asnjë reklamim. Kështu nisën emocionet e dërgimit të mesazhit të parë. Radiogrami i parë “U vendos që mesazhi i parë të mos transmetojë ndonjë informacion, por vetëm të mjaftohej me vendosjen e lidhjes”, shkruan Shanto. Sipas tij, ishte vendosur në këtë mënyrë pasi ishte argumentuar se meqenëse nga komunikimi i fundit kishte kaluar një kohë goxha e madhe.

Por edhe këtu kishte një problem, pasi qendra duke marrë vetëm një mesazh të shkurtër sërish mund të dyshonte. Kështu duke marrë kontakt me drejtuesin e misionit, zv/ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu, vendoset të dërgohet më shumë se një radiogram. Me anë të këtij veprimi, ideatorët e Radiolojës donin të tregonin se gjithçka ishte duke shkuar krejt normalisht dhe se vonesat kishin arsyet e tyre, që nuk lidheshin me moralin e grupit. Ja dhe radiogrami i parë i dërguar: – 9/19 – 66-13 Maria “Datën 25 qarkulloi aeroplan. Janë vu në lëvizje forca policie dhe populli. Hala nuk dihet kur kanë me u largu. Anulloni D.Z.D.Z. deri në njoftim të dytë”.

Me këtë mesazh tentohej të justifikohej moskomunikimi disa ditor dhe u anulua zbarkimi i materialeve, për të cilat ishte rënë dakord më parë. Kjo më qëllim që të përftohej kohë që të kaloheshin vështirësitë e fillimit të Radiolojës. Në mesazhin e dytë të dërguar u është shfrytëzuar një pyetje që qendra e CIA-s u kishte bërë agjentëve më parë, ku kërkonte të dinte se çfarë po bëhej në Mat.

Celula e Radiolojës kishte menduar edhe këtë radhë me sukses edhe për një tjetër hollësi duke dërguar radiogramet të shkruara me dialekt verior, të njëjtin që fliste Zenel Shehu, njeriu që komandonte grupin dhe fjalët e të cilit transmetoheshin në formë mesazhesh. Po kështu u mbajt parasysh që stili i formulimit të radiogrameve të mos ndryshonte nga i atyre që ishin dërguar më parë, kur Zenel Shehu ishte i lirë. Po kështu edhe shifrimit të mesazheve ju kushtua rëndësi, pasi ato dërgoheshin të kriptuara, sipas një rendi që radisti e kishte mësuar në Athinë. Ja mesazhi i dytë: 64-14 Maria “Në Mat punohet me ndërtu një hidrocentral. Punojnë ma se 300 persona vullnetarë dhe me rrogë, shumica janë nga Burreli”.

Seanca e parë e ndërlidhjes u bë në datën 3 korrik 1952. Ndërsa ndërlidhje nga rajoni ku qendra e CIA-s e dinte se gjendej grupi që kishin dërguar. Kjo sepse në atë kohë agjencitë e fuqishme të shërbimeve sekrete përdornin një aparaturë që kishte mundësi të përcaktonte vendin nga ku po transmetohej. Duke shkuar për në vendin nga do të transmetohej, sërish bie në sy sjellja krejt e shpengueshme e radistit. Sërish gjakftohtësia e tij vë në mendime njerëzit e Sigurimit.

Ndërsa tensioni më i madh kishte ardhur pas dërgimit të mesazheve. Si do të reagonte qendra e CIA-s? A do të kafshohej karremi?

CIA në grackë

Katër ditë më pas celula e Sigurimit merr mesazhin e parë nga ajo e CIA-s. Një mesazh që ishte pritur me kënaqësi, por që më pas kishte ngritur shumë pikëpyetje. Ja mesazhi: 66-11 “Vëmë në D..Z.-D.Z. 1-14-81, 1-14-81. Pritni tetë-tetë paracuta në orën 01:00 -01:00 më 7 korrik ose të parën ditë Me kohë të mirë në orën 01:00, 01:00, 7 korrik deri dhjetë korrik”.

Pyetjet në mendjet e anëtarëve të celulës pas këtij mesazhi ishin të shumta. Si do të mundnin dy vetë të tërhiqnin materialet e tetë parashutave dhe t’i fshihnin në vende të sigurta? Dhe e dyta, si do të prisnin ata katër ditë në vendin e zbarkimit të përcaktuar në koordinatat 1-14-81 nëse koha do mundësonte një zbarkim në datën 10 korrik? Si do veprohej në një kohë që teksa ishin ende të lirë Zenel Shehu dhe radisti ishin këshilluar që të kishin kujdes, pasi fushat e zbarkimit ruheshin dhe si do bëhej, kur vetë Sigurimi në mesazhin e dytë të dërguar shkruante: “Janë vu në lëvizje forca policie dhe populli. Hala nuk dihet kur kanë me u largu..?”

Nga ana tjetër logjika thoshte se kjo lëvizje e qendrës së CIA-s kishte lidhje me një vlerësim të gabuar që i – 10/19 – bëhej situatës në Shqipëri. Një vlerësim që shkonte drejt përkufizimit se në Shqipëri qeveria kishte krahina të tëra jashtë kontrollit, veçanërisht në veri. Një shpjegim tjetër i ndërmjetëm kishte qenë se CIA, me anë të kësaj dërgesë, donte të testonte se sa me përgjegjësi do të veprohej nga njerëzit që ata kishin dërguar në terren.

Por teksa celula pothuaj kishte ardhur në përfundimin për të pranuar furnizimin, gjithçka ishte anuluar pas një tjetër hipoteze. Vendi i caktuar për zbarkim korrespondonte pranë zonave të banuara, ku Zenel Shehu kishte mundur të vendoste disa lidhje. Këta njerëz, me të parë avionin të sillej pranë vendbanimeve të tyre do të dyshonin se përse Zeneli nuk u kishte kërkuar ndihmë për ta pritur zbarkimin së bashku, siç u kishte premtuar?

Sigurisht që kjo mund të lidhej me dyshimin se Zeneli mund të kishte rënë në duar të Sigurimit. Përfundimisht vendoset që zbarkimi të mos pritet. Por edhe pse grupi nuk vendos shenjat për zbarkim, avioni më 7 korrik fluturon gjatë mbi Martanesh, Bulqizë e Mat.

Për çudi, edhe pse nuk sheh shenjat, ai i lëshon parashutat sipër minierës së Bulqizës, duket i gënjyer nga dritat e saj. Materialet u mblodhën nga forcat vullnetare, por ngjarja u mësua nga shumë njerëz. Për zbarkimin flitet madje edhe në Kongresin e Bashkimeve Profesionale në Tiranë nga delegatët e minierës.

Kështu u përllogarit se CIA do e kishte marrë mesazhin e dështimit. Për këtë arsye mesazhi i radhës u mendua mirë. “U vendos që t’i tregonim qendrës se me veprimet e saj të nxituara, me hedhjen e parashutave pa sinjale, vetë grupi ishte vënë nën kërcënimin e zbulimit” shkruan Shanto. Pra u mendua që qëndrimi të shkonte në formën e një dushi të ftohtë, pasi ishte kuptuar se te ky grup CIA kishte varur shpresa të mëdha.

Pas tri ditësh të mjaftueshme që qendra të mos mendonte se grupi ishte kapur, nisen këto mesazhe: 66-61 Maria “Datën 7-7 ora 01:00 aeroplani qarkulloi mbi Bulqizë, Burrel e Martanesh. Miqtë na informojnë se ka lshu materiale në afërsi të minierës së Bulqizë. Materialet janë gjet nga policia e fshatarët që u vunë në kërkim e ndjekje. Jena detyru me ndrru zonë”.

Protesta bëhej më e dukshme në mesazhin e dytë: 66-17 Maria “Datën 6-6 qu njoftuam për zbarkim qem larg D.Z. caktume dhe nuk arritëm dot. Pilotët kanë zbarku pa i pa shenjat tona. Ky veprim i pa matun ve në rrezik ne dhe miqtë tonë. Ne njohim gjendjen këtu, prandaj çdo veprim duhet ba me pëlqimin tonë dhe kur shihen shenjat tona”.

Shërbimi sekret sovjetik, KGB, i bëri libër për përdorim të brendshëm dy radiolojat e Sigurimit

Sipas librit të Irakli Koçollarit, “Spiunazhi nëpër shekuj – Sigurimi”, për dy radiolojat e organizuara me sukses nga Sigurimi i Shtetit specialistë të KGB-së kishin shkruar një libër për përdorim të brendshëm. Libri në formën e një historie përshkruante gjithë planet, mashtrimet, kurthet, informacionet, kalimet ilegale të grupeve të armatosura të dërguara ilegalisht prej anglezëve dhe amerikanëve në territorin shqiptar.

Në konkluzionet e tyre specialistët e KGB-së theksonin: “…i gjithë projekti, zbatimi dhe realizimi i këtij operacioniu përpunua dhe aplikua në terrenet e ashpra të këtij vendi, megjithëse i varfër, vetëm prej Shërbimit të Sigurimit shqiptar dhe njerëzve të tij”. “Kjo, tregon, konkludonin ata, në mbyllje të librit, se çmund të bëjë edhe një shërbim sekret i vogël dhe pa ndonjë përvojë të madhe, nëse ai është i vendosur të mbrojë atdheun, sovranitetin e tij…”.

Sipas Dr. Perlat Çaushit, rreth këtyre operacioneve jepeshin leksione të veçanta. Si nga pedagogët, ashtu dhe nga studentët, qofshin rusë apo të huaj, konsideroheshin si veprime të shkallës së lartë dhe rrallë të përsëritshme në historinë e shërbimeve sekrete.

Pjesa e tretë

Fjalët e koduara që futën në kurth Hamit Matjanin

Në dy pjeswt e mwsipwrme, lexuesi u njoh me fakte autentike që zbardhin deri në imtësi Radiolojën “Liqeni i Vajkalit”, që Sigurimi i Shtetit ndërtoi me sukses në vitet 1952-’53, duke futur në grackë një qendër të CIA-s amerikane. Faktet janë rrëfyer me mjeshtëri në librin “Bora filloi” të autorit Pilo Shanto, një ishoficer i Kundërzbulimit shqiptar që ka marrë pjesë drejtpërdrejtë në këtë Radiolojë që nga dita e parë deri në të fundit, madje duke mbuluar pozicionin më kyç, atë të personazhit që do të merrej me mashtrimin që do i bëhej qendrës së zbulimit të huaj.

Sipas Shantos, ideja e Radiolojës së vitit 1952 kishte ardhur pas përfundimit me sukses të një tjetre, të koduar “Buza e Bredhit”, e cila kishte vënë në lojë me sukses kundërzbulimin italian. Ishte koha kur kundërshtarët politikë të komunistëve të ardhur në pushtet, me ndihmën e shteteve të fuqishme të huaja, siç ishin SHBA, Britania e Madhe, Italia e të tjerë, tentuan me të gjitha mënyrat të fusnin në Shqipëri grupe të armatosura me qëllim dobësimin dhe më tej rrëzimin e sistemit me anë të kryengritjeve të armatosura.

Pikërisht, për këtë qëllim ishte dërguar edhe grupi i Zenel Shehut, një ish-oficeri të Mbretit Zog, që u fut në kurth nga Sigurimi i Shtetit dhe u shfrytëzua për të ndërtuar Radiolojën. Veprimet e Sigurimit në terren kryhen të sakta me qëllim që në asnjë rast të mos mësohej se Zenel Shehu dhe radisti kishin rënë në duar të policisë.

Më tej ngrihet celula që do merrej me Radiolojën, në krye të së cilës vendoset Zv/Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu. Për fat të mirë, Zenel Shehu dhe radisti pranojnë të bashkëpunojnë dhe kështu nis Radioloja. Shumë punë e dyshime deri në dërgimin e mesazhit të parë, derisa dërgohet. Për fat qendra e CIA-s në Athinë nuk dyshon dhe kështu Radioloja nis me sukses me dërgimin e tetë parashutave me materiale.

Ndërkohë që lidhja me qendrën e CIA-s po shkonte krejt normalisht, celulës së Kundërzbulimit shqiptar i lind një tjetër problem. Lidhjet e Zenel Shehut në zonën e Bulqizës kishin nisur të dyshonin. Ata kishin ngritur pikëpyetje pasi kishin dëgjuar zhurmat e avionëve, se përse Zeneli nuk i kishte thirrur për ndihmë që të prisnin e transportonin materialet? Mos i kishte ndodhur gjë? Për këtë arsye, Sigurimi vë në lojë bashkëpunëtorin “Shqiponja” i cili këshillohet të marrë kontakt me dy nga ata që ishin shqetësuar më tepër. Ai u jep të dyve një letër të shkruar nga Zeneli, ku u komunikohej se nuk kishte pasur mundësi të vinte për të pritur zbarkimin. Bashkë me letrën Zeneli u dërgonte nga 25 dollarë amerikanë dhe njërit prej tyre, si dhuratë edhe një thikë. Një thikë të tillë të ngjashme, sipas deklarimeve të Zenel Shehut, i njëjti personazh ja kishte parë në duar dhe i kishte kërkuar që të porosiste një edhe për atë.

Arrestimi i Halil Branicës

Në radiogramet e vjetra që i ishin kapur grupit, celula e Sigurimit kishte zbuluar se ata kishin tentuar të desantonin edhe Halil Branicën, të njëjtin që në momentin e kalimit të kufirit ishte shtirur apo ishte vërtet i sëmurë. Por Zeneli e kishte shtyrë mundësinë e shpejtë të desantimit të Branicës, pasi kishte vënë re se fushat e zbarkimit ruheshin.

Ja radiogrami i fundit që kishte dërguar qendra e CIA-s. 66-10 “Nuk dërgojmë Halilin gjer të dëgjojmë kur keni DZ-DZ të mirë dhe datën kur pritni”. NNN Kështu që pasi e qetësojnë qendrën me disa radiograme informuese pas zbarkimit të 7 korrikut, celula e Sigurimit kërkon Branicën. 66-23 “Jena në gjendje me prit Halilin. DZ.DZ e mirë. Situata e qetë. Halili na nevojitet shumë sepse ka me na dhanë mundësi pune e me pas një zonë të madhe veprimi, baza ma të shumta sidomos në Mat dhe duke qenë tre lëvizja është ma e sigurt”.

Ja përgjigjja e qendrës së CIA-s: 66-18 “Po koha ashtë e mirë vijmë në 1-12-11, 1-12-11 në gusht 4-4, ora 10:30 jueja. Po koha nuk ashtë e mirë në këtë datë vimë para dite koha është e mirë muaji gusht 5-5 para dite dhe gusht 7-7, 22:30 ora. DO vijë Halili”.

Halili pritet në datën 4 kusht 1952, në orën 22:30. Celula e Sigurimit merr masa që në afërsi të vendit të zbarkimit të mos ketë njerëz, të cilët të dërguar me qëllim, mund të vërtetonin se Halili nuk u bashkua me Zenel Shehun, por ra në duar të Sigurimit. Në orën e duhur ndizen zjarret në formë “T-je”, dhe agjentët e Sigurimit, të veshur si fshatarë, pasi i japin parullën “Berati” dhe marrin kundërparullën “Burreli”, i përdredhin dorën Halil Branicës në kohën kur ky e zgjat për ta tokur. Me vete Branica kishte dokumente identiteti false, armatim personal, 100 napolona flori dhe një pilulë helmi në jakën e xhaketës.

Aeroplani zbarkon edhe pesë parashuta me materiale, mes të cilave dhe një radiotransmetuese e fuqishme me mbishkrimin “Përdoret në kohë lufte”. Branica ishte bashkëfshatar i Mbretit Zog, i larguar nga vendi më 1939 bashkë me familjen mbretërore. Qendra e CIA-s e kishte ekzaminuar fizikisht pas tërheqjes që kishte bërë në kufi duke thënë se ishte sëmurë dhe kishte zbuluar se ai ishte shtirur, por kjo nuk e kishte ndalur që ta niste sërish në Shqipëri. Amerikanët dyshojnë Me arrestimin e Branicës, celulës i lind detyrë të mësojë se çfarë udhëzimesh ai kishte, dhe me çfarë mënyrë do të lajmëronte qendrën se mbërriti mirë. Problemi u trash edhe më tepër pasi Branica në këtë pikë përgjigjej thatë: Nuk e di, nuk mbaj mend gjë. I njëjti nuk thyhet edhe kur i rrëfehet edhe kur i thonë se Zeneli dhe radisti – 14/19 – janë duke bashkëpunuar me Sigurimin, por edhe kur në Tiranë, në një nga zyrat e rajoneve të policisë i sajuan një kombinacion për të njëjtin qëllim. Sigurimi kishte veshur Zenel Shehun me rroba zyrtare dhe në momentin që Branica futet, ai ishte duke biseduar përzemërsisht me një oficer me uniformë.

Gjithsesi pas zbarkimit të Branicës nuk mund të pritej shumë pa lajmëruar qendrën e CIA-s. Ja radiogrami: 66-32 “Zbarkimi në rregull. Halili mbrriti mirë. Morëm tre parashuta. Dy nuk i gjetëm. Forca policie e populli janë vu në ndjekje”.

Por pikërisht pas këtij radiogrami ndodh ajo që Sigurimi kishte dyshuar. Për herë të parë amerikanët dërgojnë një fjalë në mesazh që patjetër ishte e koduar dhe zgjidhjen, apo kundërfjalën për të cilën duhet ta dinte Halil Branica. 66-18 “Punë e mirë Halili dhe molle. Përdor radio i madh po e more sepse kursesh bateritë. Po nuk more radio i madh, na jep vendin D.Z, të dërgojmë tjetër”.

Pra, parulla provë që i dërgohej Halil Branicës ishte “Mollë”. Por ai sërish kundërshton të bashkëpunojë. Mjaftohet me: Nuk mbaj mend gjë. Në këto kushte vendoset që qendrës së CIA-s t’i kërkohet të përsëritet radiogrami. Por gjendja përkeqësohet kur CIA në të njëjtin mesazh dërgon një tjetër togfjalësh të pakuptimtë: “Doni pushka?”.

Në këtë pikë Radioloja është në prag të dështimit. Pra edhe Zenel Shehu, edhe radisti dhe Halil Branica, megjithë bashkëpunimin, kishin mbajtur për vete nga një fjalë sekret në mendje, të cilën nuk e kishin shitur. Këtu Sigurimi kupton edhe faktin se përse Zeneli dhe radisti silleshin gjatë gjithë kohës tepër të qetë. Por duke mos iu përgjigjur edhe parullës së dytë, Radioloja rrezikohej edhe më.

Celula vendos të rrezikojë, pra të luajë me injorimin e këtyre parullave të pakuptueshme. Ja edhe radiogrami më rrezikues i dërguar: 66-47 “Kena armët personale 1 pushkë, dy automatik, tre revolvera dhe tre revolvera e tre automatikë rezervë. Të tjerat shpërnda miqve”. WWW Duke mos marrë përgjigjen që priste qendra e CIA-s nis një tjetër radiogram të vështirë: 66-22 “Dërgoni informata si janë konditat. Tash presim miqtë të vijnë prej juve. Punë e mirë dhe molle”.

 Bëhej fjalë për bashkimin me këtë grup edhe të disa të tjerëve me qëllim nisjen e kryengritjes, ndërkohë që sërish dërgohej fjala kyç “Mollë”. Në këto kushte celula e Sigurimit dërgon informacione për gjendjen, për njerëzit që kanë bërë për vete, por sërish gjendja nuk përmirësohet. Më në fund shkohet te shantazhi dhe u kujtohet amerikanëve se dy personat që vepronin në terren ishin njerëz të afërt të Mbretit Zog dhe si të tillë duheshin respektuar. – 15/19 – 66-69 Marie: “Lutemi vini në dijeni Mbretin Zog për gjendjen në rrethet Mat, Krujë Tiranë, Martanesh e Peshkopi sepse janë zona të influencës së tij”. WWW Nuk dihet nëse e mori apo jo mbreti Zog këtë mesazh, por qendra e CIA-s për çudi nuk i përsëriti, nuk i kërkoi më kundërparullat provë. 66-31 “Sa oficerë në Ushtrinë Shqiptare keni që punojnë me juve ose mund të dalin me ju po të hapet luftë?” 66-38 “Sa miq keni në të gjithë rrethet që janë në pozitë me marrë armët tona? Cilët janë të dëgjuar kundër regjimit?”

Duke u marrë seriozisht me përgjigjen, celula e Sigurimit komunikon duke i sqaruar qendrës së CIA-s se “po të hapet luftë ishin gati disa dhjetëra vetë, kryesisht në zonën e Bulqizës. Njëkohësisht CIA-s i jepen emrat e gjashtë personave që ishin të dëgjuar kundër regjimit. Përzgjedhja bëhet me kujdes për të mos pasur dyshime nëse njerëzit e CIA-s me anë të burimeve të tjera të verifikonin këta emra.

Në këtë pikë duket se qendra e CIA-s davarit dyshimet, pasi lidhja rivendoset si më parë. Arratisja e radistit Më 29 tetor 1952 radisti Tahir Preçi arrin të arratiset nga dhomat e izolimit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë. Bashkë me të arratiset edhe polici roje.

Në këtë situatë vihet në dijeni Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, i cili urdhëron: “Të merren të gjitha masat për kapjen gjallë të radistit dhe të gjenden mundësi që radioloja të vazhdonte edhe pa atë”.

Por edhe pse ranë në pritë në Qafë Priskë, radisti dhe polici hapën zjarr me armën e shërbimit dhe arrijnë të largohen. Ndërsa policia kishte urdhër të mos qëllonte që t’i kapte të gjallë. Në këto kushte mendohet që të përdoret një tjetër radist dhe të justifikohej para amerikanëve si i njëjti, por që po transmetonte me dorën e majtë, pasi e kishte thyer.

Gjithsesi Sigurimi mendon të lërë të hapur mundësinë e “shërimit të radistit”, pasi i arratisuri mund të kapej. 66-86 Maria “Tahiri ka thy dorën se asht rrëzu. Punon me dorën e majtë. Asht shumë sëmurë. Presim zbarkimin në datat 6-8, 6-8 jo ma vonë Se ora 23:00. 23:00. Presim edhe arna dhe këshilla si me i përdorë ato.. Lutemi pilotëve me zbarku me kujdes parashutat”.

 Por situata ndryshon, pasi pas pak ditësh radisti Tahir Preçi vritet nga forcat e ndjekjes në pyjet e Martaneshit. Prandaj gjendja e radistit dërgohet alarmante: – 16/19 – 66-81 Maria “Tahiri ka thy dorën se ashtë rrëzu. Punon me dorën e majtë. Ashtë shumë sëmurë”. WWW “Bora filloi”

Transmetimi i radiogrameve me dorën e majtë kishte nisur edhe krizën e dytë të besimit me qendrën e CIA-s në Athinë. Menjëherë njerëzit e CIA-s iu kthyen parullave “Doni pushka”, ose “sa pushka keni” e të tjera të ngjashme. Njëkohësisht Sigurimi zbulon se shërbimi sekret jugosllav përpiqet të marrë të dhëna për Zenel Shehun dhe të sqarojë pikëpyetjet që ishin ngritur. Gjithsesi Sigurimi provon sërish: 66-87 Maria “Tahiri për punë të mëtejshme nuk asht. Dora zanë keq. Kërkojmë kthimin aty ose na dërgoni një radist tjetër”.

Por sërish amerikanët këmbëngulin në marrjen e përgjigjeve për fjalët kyç të dërguara. Në këtë pikë u mendua që qendrës t’i bëhej presion: 66-92 “Dora ka zënë keq. Plaga infektu. Tahiri dobësu shumë. Nuk mundet me punu mbas planit. Për gjendjen kërkojmë me njoftu Mbretin Zog. Shpejtoni vendimin ose do detyrohena me vendos vetë”. WWW Por sërish amerikanët nuk binden. Ata dërgojnë një tjetër mesazh të koduar: 66-59 “A jeni në kondita të mira. A 49-0-99. Mbani mend kujt ja keni dorëzuar kur u largut kopsat e mangëve prej argjendi”. Duket agjentët e CIA-s në panik e sipër, për të pasur dorë të vazhdonin ndihmën e grupit të Zenel Shehut, kishin kërkuar një tjetër fjalë kyç, këtë radhë më të thjeshtë. Ata kishin rrëmuar valixhet e të dërguarve në Shqipëri dhe kishin parë atje kopsat prej argjendi të mëngëve të këmishave.

Për këtë qëllim Sigurimi i merr në pyetje sërish Zenel Shehun dhe Halil Branicën dhe mëson se kopsat ata i kishin lënë në valixhet e tyre në Qendrën e CIA-s në Athinë. Ja radiogrami i shpresës: 66-93 Maria “Kopsat prej argjendi janë në valixhet tona. (Zenelit dhe Halilit). Mos na mundoni kot”.

 Sërish koha hapet për të vazhduar Radiolojën. Pasi nga qendra e CIA-s vjen mesazhi: 66-54 “Çështja biseduar me mbretin. Dërgojmë radist dhe 2-2 parashuta në DZ-DZ, G-15 – 3-1 janar 3-7 janar. Vërtetoni DZ dhe data” NNN – 17/19 – Dhe menjëherë më pas edhe një tjetër mesazh” 66-55 “Nuk jeni të harruar. Bëjmë çdo përpjekje të dërgojmë ndihmë. Punoni radio përditë. Po nuk rroni dot, Mbreti tha kapërceni te kunati i Zenelit”.

 Kunati i Zenelit gjendej me banim në Dibrën e Madhe, asokohe ish-shtetin Jugosllav. Pra Sigurimi nis të dyshojë se CIA-a dhe shërbimi sekret jugosllav kanë plane të përbashkëta për Shqipërinë. Agjenti që u desantua si radist ishte një kosovar me emrin Ahmet Kabashi, një njohës i mirë i punës operative pasi kishte qenë tre herë në Shqipëri së bashku me Hamit Matjanin dhe sërish kishte mundur të largohej jashtë kufijve.

Për çudi edhe kosovari Kabashi pranon të bashkëpunojë, pra jo vetëm të rrëfejë çfarë dinte, por edhe të përdorë radiomarrëset në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Madje ai ndryshe nga të tjerët, për herë të parë rrëfen edhe fjalën kyç, me anë të dërgimit të së cilës CIA do të kuptonte se me grupin e Zenel Shehut nuk kishte ndodhur asgjë dhe se gjithçka ishte në vijë. Parulla provë ishte “Bora filloi”, që autori Pilo Shanto e ka zgjedhur si titull të librit të tij historik. Ja mesazhi i radhës: 66-1 Gur-Gur “Bora filloi. Radisti mbërriti mirë. Muarëm dy parashuta. Falënderojmë pilotët për zbarkimin e mirë”. 888 Dhe mesazhi i radhës i CIA-s i qetëson të gjithë: 66-66 “Dërgoni informata që kërkojmë. Çfarë kontakte keni bërë dhe ku punojnë. Sa burra janë gati. Çfarë nevojitet për Tahirin 888 Peshkimi i Hamit Matjanit dhe fundi i Radiolojës Kapja e Hamit Matjanit, në atë kohë legjendare në popull si një njeri që nuk e kapte plumbi, por edhe me shumë akuza mbi kurriz për vrasjen e disa personave, ishte objektivi final i Radiolojës.

Ai desantohet nga ajri më 1 maj 1953 në orën 21:00 në fushën e gurit të vashës. Matjani ishte në shoqërinë e dy të tjerëve, Naun Sulës, një aktivisti të Ballit Kombëtar dhe Gani Malushit, një i arratisur në Greqi. Për çudi edhe Hamit Matjani thyhet dhe tregon gjithçka. Madje ai kishte me vete edhe çelësin e një prej parullave të hershme, të cilën celula e Sigurimit nuk e kishte kuptuar. Përgjigjja për “Doni pushka” duhet të ishte “Duam harta”.

Kështu radioloja vazhdon me desantimin nga ajri të katër agjentëve të tjerë, të cilët bien në pritën e Sigurimit, por nuk dorëzohen duke hapur zjarr. Dy vriten dhe dy të tjerë vethelmohen. Kështu edhe Radiolojës i vjen fundi dalëngadalë. Më 20 tetor 1953 vendoset që asaj t’i jepet fund, duke qëlluar me synim për ta rrëzuar avionin që do të desantonte materiale. Por edhe pse goditet, avioni ja del të largohet dhe të bëjë ulje emergjence në Brindizi të Italisë. Por megjithë këtë disfatë, qendra e CIA-s vazhdon të kërkojë të lidhet me grupin e Zenelit. Nga ana tjetër Sigurimi i ndërpret mesazhet.

Përfundimisht CIA e – 18/19 – mëson se sa keq ishte vënë në lojë, vetëm në janar të vitit 1954, përmes një komunikate publike të Ministrisë së Brendshme.

Celula e Radiolojës 1- Kadri Hazbiu, ish-zv/ministër i Brendshëm, kryetar i grupit;

2- Pilo Shanto, autori i librit i cili është marrë me mashtrimin që iu bë qendrës së CIA-s; 3- Fejzo Kasimati, oficeri që mbajti nën kontroll punën e radistit, me qëllim që ky të mos komunikonte me CIA-n se ishte duke transmetuar i komanduar nga Kundërzbulimi shqiptar;

4- Banush Goxho, ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Peshkopi, që ndoqi reagimin e lidhjeve në popull, me qëllim që shkëputja e kontakteve pas arrestimit të tyre mos të binte në sy;

                5-Asim Aliko, që u mor me sigurimin e agjentëve, sidomos me atë të radistit. Ranë në grackën e Radiolojës Zenel Shehu Ish-kapiten në Gardën Mbretërore të Mbretit Zog, me detyrë oficer shërbimi pranë familjes mbretërore.

Tahir Preçi, (ndërlidhësi) i arratisur në Greqi, ku ishte vënë në shërbim të CIA-s. I specializuar si radist në një qendër të CIA-s në Mynih të Gjermanisë. Vrarë, pasi u arratis.

Halil Branica, Bashkëfshatar i Mbretit Zog, i larguar nga Shqipëria më prill 1939 së bashku me familjen mbretërore.

Ahmet Kabashi Radisti i dytë i dërguar. Ishte vënë në dispozicion të shërbimit sekret italian. Dërguar tri herë në misione bashkë me Hamit Matjanin.

Hamit Matjani, Ish-xhandar i Mbretërisë. Në korrik 1943 emëruar Komandanti i Ballit në Peqin. Qëndron në ilegalitet deri në vitin 1947, më tej kalon në Greqi ku vihet në shërbim të CIA-s. Matjani kishte arritur të futej dhe të dilte nga Shqipëria gjashtë herë me radhë pa u kapur. Në adresë të tij kishte akuza për krime të shumta.

Naun Sula ish-aktivist i Ballit. Pas çlirimit qëndron në ilegalitet dhe më tej kalon në Greqi ku vihet në shërbim të CIA-s.

Gani Malushi vënë në shërbim të kundërzbulimit grek, ndikuar nga i vëllai që e kishte bërë këtë më parë.

P.N. Ish-xhandar, mik i Hamit Matjanit i arratisur në Greqi. I vrarë gjatë Radiolojës.

Gj.Z. Ish-pjesëtar i çetave të Ballit edhe ky i arratisur në Greqi dhe i vënë në shërbim të zbulimit të këtij vendi. Vdekur gjatë Radiolojës.

N.N. Ish-pjesëtar i forcave mercenare të shërbim të nazistëve, i larguar jashtë vendit bashkë me ushtrinë gjermane dhe i afruar pranë familjes mbretërore në Egjipt. Vdekur gjatë Radiolojës. Gj.H. Agjent i dërguar nga CIA në zonën e influencës së Mbretit Zog, i dëbuar nga familjarët e tij, që kishin frikë. Vrarë gjatë Radiolojës.

Marrë nga gazeta, ”Panorama” – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...