Jordan Jorgji – Pedagog i Studimeve Evropiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin Fan S. Noli, Korçë

Marrëdhëniet shqiptaro-greke nuk kanë qenë asnjëherë të lehta për ekspertët e politikës së jashtme. Kjo për shumë faktorë, endogjenë dhe të jashtëm, të trashëguar nga historia, të ricikluar dhe të rinj. Një faktor i tillë i ri është injoruar vazhdimisht nga politikëbërësit dhe lidhet me dimensionin human të marrëdhënieve dypalëshe, pikërisht me komunitetin shqiptar që jeton në Greqi, i njohur gjerësisht me termin ‘emigrantët shqiptarë’. Them po injorohet, sepse peshën dhe jehonën kryesore të perceptimit të ndërsjellët të marrëdhënieve ndërshtetërore e kanë pasur kurthet e së kaluarës dhe pasojat e tyre.

Po aq problematik është fakti se me kalimin e kohës faktorët e rinj vjetërohen dhe kthehen edhe ato në kurthe të historisë. Një prej tyre lidhet me lëvizjet e Shqiptarëve të Greqisë në rast festash, dhe me problemet teknike që pasojnë. Kjo situatë nuk vihet re vetëm sot, në Gushtin e vitit 2020 me radhët e stërgjata të krijuara në kufirin shqiptaro-grek, por edhe në gushtet e kaluara, e shoqëruar nga rritja e tensioneve dhe shpërthimi i oratorisë nacionaliste. Kujtojmë për shembull, që në vitin 2013, qeveria shqiptare e kohës u nxitua të ndërhyjë në kishën e Përmetit, duke marrë si përgjigje nxitimin po aq emocional të palës greke me krijimin e radhëve në kufij. Të ngjashme ishin edhe krizat gjatë viteve më pas, ndërkohë që ‘i humburi i madh’ është qytetari i thjeshtë.
Ndërkohë që përgjegjësia për krijimin e kësaj problematike nuk është vetëm e Shqipërisë, pasi probleme të tilla kanë nevojë për koordinim ndërkufitar dhe ndërshtetëror, pyetjet kryesore që ngrihen janë: a) si dalim nga kjo situatë, dhe b) si mund t’i rezistojë kohës zgjidhja që do të gjendet? E thënë me fjalë të tjera, cilat janë mësimet që të gjithë ne duhet të nxjerrim nga kjo krizë e përsëritur?

Ju pëlqen!

Hapi i parë që duhet të ndërmerret është filtrimi i perceptimeve dhe menaxhimit të krizës teknike, dhe deri diku humane, nga kurthet historike të së kaluarës dhe nga dimensioni i përgjithshëm politik-emocional. Nuk duhet që radhët e gjata dhe të përsëritura t’i interpretojmë si mani të Athinës për të diskretituar shqiptarët, apo për sa i përket këndvështrimit të grekëve, si ndonjë hakmarrje ndaj ‘turqizimit’ të Shqipërisë dhe qeverisë së Tiranës, e cila pak kohë më parë nënshkroi një marrëveshje ushtarake me Ankaranë. Por edhe sikur këto kriza të jenë të lidhura deri diku me dimensione politike, ne le të bëjmë përpjekje që t’i integrojmë ato brenda kontekstit teknik dhe në këtë mënyrë të përpiqemi të gjejmë me palën greke zgjidhje të qëndrueshme dhe të pandikueshme nga lëkundjet periodike politike-gjeostrategjike.

Në këtë kontekst, është më se e nevojshme që në diplomacinë e të dy vendeve të ngrihen struktura të posaçme që të kujdesen gjithmonë për menaxhimin e problemeve teknike, duke filluar nga niveli ndërkufitar dhe deri tek drejtoritë qendrore të ministrive të jashtme dhe ministrive të ndërlidhura. Hapa konkretë mund të hidhen në rregullimin e orarit të nisjes së autobuzave, me qëllim lehtësimin e grumbullimeve në kufij, si dhe me kontrollin e unifikuar doganor. Kjo për sa i përket ditëve të normalitetit. Ndërsa në situatat emergjente, shtetet respektive të intensifikojnë kontaktet e tyre teknike, me qëllim që kalimet masive të qytetarëve të menaxhohen me efiçencë nga të dyja palët së bashku. Nëse përgjegjësia i mbetet vetëm njërës palë, atëherë problemi do të plekset dhe pakënaqësia do të precipitojë në rritje të paragjykimeve të ndërsjellëta dhe në politizimin e problemit.

Në këtë prizëm, do ta quaja pozitiv propozimin e Partisë Demokratike, përmes përfaqësuesit të saj, Tritan Shehu, për organizimin e testeve masive dhe falas për Shqiptarët e mbetur në kufi, në mënyrë që situata kritike të përfundojë sa më shpejt, dhe në intensifikimin e komunikimit me palën tjetër.

Gjithashtu, është e nevojshme që të investohet në diplomacinë konsullore të Tiranës në Athinë dhe anasjelltas. Kjo kërkon intensifikimin e informacionit të organizuar për qytetarët në kohë reale dhe demokratizimin e shërbimeve konsullore, konkretisht uljen e kohës dhe të çmimit të dokumentacionit të nevojshëm, si pasaporta, certifikata, etj. Përtej kësaj, diplomacitë e të dy vendeve duhet t’i japin prioritet zgjidhjes së problemeve të përditshme që ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe t’i ndajnë ato nga temat politike të sigurisë së lartë. Të tilla probleme janë njohja reciproke e patentave, diplomave dhe sigurimeve shoqërore, shërbimet e unifikuara doganore në periudha kritike, e kështu me radhë.

Së fundi, duhet të ndërgjegjësohemi një herë e mirë se Greqia përbën partner strategjik për politikën e jashtme dhe sigurinë e Shqipërisë, mbase pak më shumë se sa Athina e ka nevojë Tiranën. Jemi ne ata që në Greqi kemi me mijëra qytetarë shqiptarë, nga të cilët ndikohet edhe gjendja jonë ekonomike përmes remitancave të dërguara. Sot por edhe dje, Athina e ka të përqendruar vëmendjen e saj drejt Turqisë dhe jo drejt nesh, dhe në këtë kontekst, ne duhet të marrim atë që na takon: menaxhimin sa më të mirë të problemeve që ndikojnë në jetën tonë të përditshme, dhe më pas krijimin e rrugëve të nevojshme dhe të përshtatshme që me largpamësi të zgjidhim edhe problemet politike dypalëshe, në të mirë të interesit kombëtar, por edhe të paqes dhe stabilitetit në rajon. Kurrsesi ky nuk është inferioritet nga ana jonë, por pragmatizëm, i cili (duhet të) rrjedh(ë) nga kushtet gjeopolitike të Ballkanit dhe Evropës. Nuk kërkon emocione të tepërta, por një politikë të jashtme efiçente dhe mjete të ‘zgjuara’ diplomatike.

Nëse në tablonë e përgjithshme të rajonit vendosim edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, si faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, por dhe Kosovën, situata bëhet më komplekse për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Por le t’i japim Çezarit atë që i takon dhe duhet ti takojë: politikës – politikë, dhe qytetarëve dinjitet dhe mbrojtje.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!