Emmanuel Egbo del hapur. Nuk ka më lojëra fjalësh, as skepticizëm të ndrojtur për të mos dalë në vijën e parë. Prapaskena nuk është më vend për një njeri që në provën e parë arrin të shpallë skuadrën kampion: “Tirana është klubi më i madh në Shqipëri, nuk ka trajner që nuk do ta drejtojë këtë ekip. Kemi punë për të bërë, kur të mbarojmë punën, do të shikoni lajmet në vazhdim”.

Një deklaratë që e kalon topin në duart e Halilit, sepse justifikime për mungesën e dëshirës së teknikut për të vazhduar punën nuk ka. Për momentin, të gjithë i shmangen kësaj teme sikur të bëhet fjalë për infektimin me koronavirus, por në anën tjetër një fjalë e teknikut në lidhje me merkaton zbulon ndoshta më shumë se do të donte në këtë moment trajneri: “Ardhja e Avdijaj me miratmin tim? Normale, ku është parë, që ekipi të bëjë merkato dhe trajneri të mos marrë pjesë. Në fund të fundit, është trajneri ai që do të drejtojë ekipin. Duhet ta dijë çfarë lojtarësh vijnë, duhet të jetë në të mirën e klubit, skuadrës si strategji, edhe si vendosje për ekipin brenda fushës. Është puna e përbashkët mes trajnerit, drejtorit dhe në vazhdim”.

Tekniku heq nga këpucët edhe ndonjë guralec, duke i dhënë një përgjigje të gjithë atyre që e quajtën fat arritjen e ish-trajnerit të portierëve bardheblu: “Në qoftë se ndodh diçka 1 herë, quhet fat, por në qoftë se ndodh 17-20 herë nuk quhet më fat. Unë jam i bekuar nga Zoti, e kam emrin Emanuel Egbo dhe Zoti është me mua. Kur të mbarojë çdogjë do të flasim. Zoti ka pjesë në këtë arritje. Falenderoj të gjithë skeptikët, se më kanë bërë më të fuqishëm për të vazhduar punën time”.

Ju pëlqen!

Tekniku nigerian ka sqaruar edhe deklaratat e dhëna për mediat në vendin e tij të lindjes, ku përmendet diskriminimi racial, gjë që Egbo shpejton ta rrëzojë: “Ndoshta e kanë keqkutuar si e kanë shpjeguar. Sepse unë thashë që është diçka e vështirë të pranohet nga disa. Unë kam pasur mbështetje nga shumica e njerëzve në Shqipëri. Nga tifozët, ata që kanë qenë pozitivë. Tirana ka dalë kampion sepse ka qenë e rrethuar me njerëz pozitivë. Ka qenë e rrethuar me harmoni, si një familje. Ka pasur edhe nga ata që nuk kanë dashur ta fitojë Tirana titullin. Gjërat duhen thënë troç”.

Por e gjithë puna mund të shkojë dëm për një ndeshje që është nën hetim. E kuptueshme që Bylis-Tirana do të ishte më mirë të mos kishte ndodhur, duke parë si erdhën gjërat, por Egbo nuk është aspak i shqetësuar se vendimi i Etikës mund të kompromentojë titullin kampion: “Nuk e kam mendje atje, sepse e di që i gjithë klubi i Tiranës ka qenë i pastër. Çdo gjë që kemi bërë që na fillimi deri në fund e kemi merituar plotësisht fitimin e kampionatit”.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.