Akademiku i famshëm Rexhep Qosja pohon se diskutimet dhe debatet, që kanë nisur për gjuhën shqipe standarde janë kryesisht të frymëzimit politik.

Rexhep Qosja i drejtohet dhe dy akademive shqiptare, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, që sipas tij janë dhe të ndikuara politikisht.

Debatet mbi shqipen standarde. Ju si i gjykoni këto debate mes gjuhëtarëve?  

Në përgjithësi mund të bëhen diskutime, por përmirësime aty ku ka vend dhe të jetë e nevojshme në gjuhën letrare kombëtare, siç i kemi thënë dikur që tani i themi gjuha standarde. Megjithatë unë mendoj se këto diskutime që kanë filluar prej disa vitesh kanë një frymëzim tjetër, kryesisht frymëzim politik. Ajo që mua këtë radhë nuk më ka pëlqyer dhe nuk e pranoj është se: ata tani i kanë shpallur një luftë ë pa zë, që kjo luftë do të çojë diku tjetër, por nuk besoj se kjo luftë do të jetë e suksesshme. Ata po duan përjashtimet, por përjashtimet duhet ti bëjnë me rregulla, dhe nuk bëhen përjashtime të rregullave. Duhet të rrënojnë rregullat duke bërë përjashtime të rregullave. Unë mendoj se këto përpjekje nuk do të kenë suksese. Gjuha standarde është një prej fitoreve më të mëdha kulturore, shoqërore, por dhe politike e popullit shqiptar. Kjo fitore është historike, kot bëhen përpjekjet kundër saj.

Ju pëlqen!

-Ju u shprehët se ka diskutime dhe përmirësime, ku mund të jenë ato?

Nuk ka gjë që nuk mund të përmirësohet, por ato duhet të jenë përmirësimet që në asnjë mënyrë nuk rrezikojnë bazën, themelet, tërësinë e gjuhës standarde.

Po hapjes së gjuhës shqipe ndaj gegnishtes?

Gjuha standarde është e hapur ndaj gegnishtes. Unë jam njëri nga ata autorë që fus shumë fjalë, sepse jam rritur ku flitet e folmja më e bukur dhe më e pasur e gegnishtes, në malësi. Fus mjaft fjalë, edhe ata që kanë bërë gjuhën standarde kanë thënë se: gjuha letrare kombëtare është e hapur ndaj fjalëve, leksikut të dialekteve të të folmeve. Kurrkush nuk ka vënë pengesë dhe nuk vë, por ne nuk mund të fusim aty kokotin, pasi nuk është fjalë shqipe, por sllave. E përsëris që gjuha standarde është e hapur ndaj gegnishtes dhe ndaj të folmeve të tjera. Kot bëhet betejë, por çelen dyert që janë të çelura.

Me zhvillimet dhe problemet së fundi në fusha të ndryshme të albanologjisë, çfarë mendimi keni për drejtuesit e dy Akademive në Tiranë dhe Kosovë?

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka një kryetar, që është i zgjedhur nga pushteti. Kam respekt për të, por do të ishte më fatlume nëse do të ishte zgjedhur në radhë të parë prej Akademisë, pa dorën e pushtetit dhe të qeverisë. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka rënë në nivelin më të ulët. Ka një kryetar që përfaqëson nivelin më të ulët të Akademisë. ASHAK fatkeqësisht drejtohet prej një grup klani lokalist që prej 20 vitesh, dhe ky drejtim i ASHAK prej kaq vitesh ka lënë shumë pasoja në Akademinë në Kosovë, që e kanë cenuar atë, në një mënyrë e kanë komprometuar Akademinë. Nuk mund të ketë asnjë Akademi në botë 12 anëtarë të kryesisë të një partie. Nuk mund të ketë në botë një Akademi prej 20 vitesh e udhëhequr prej tre gjuhëtarëve që këmbehen, dhe prej tre-katër gjuhëtarëve dhe një jo gjuhëtari që janë prej një mëhalle. Në ASHAK ata që do të punojnë për Kosovën, zhvillimin e saj, duhet të punojnë dhe për Akademinë dhe të përpiqen për shërimin e saj, nxjerrjen prej komprometimit në të cilin ka rënë, duke pranuar shokë, miq, bashkëpartiakëve, pjesëtarë të mëhallave të tyre, etj.

-Një tjetër debat i fundit është dhe ai mbi rishkrimin e historisë, me propozim të qeverisë turke për riparjen e periudhës së pushtimit osman dhe heqjen e disa termave, ku turqit konsiderohen pushtues. Ju si e gjykoni këtë?

Pushtimi osman ka qenë 500 vjet. Perandoria otomane ka qenë pushtuese e trojeve shqiptare dhe e popullit shqiptar disa shekuj. Por unë kam dëgjuar ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë në Kosovë që nuk flet për këtë, ai thotë që prej historisë duhet të hiqen fjalë që përmbajnë urrejtje, dhe prej historive të popujve në përgjithësi duhet të hiqen fjalët që përmbajnë urrejtje. Nuk kemi më arsye, as të drejtë morale ti edukojmë të rinjtë me urrejtje ndaj askujt. Ju mund ta dini që Franca dhe Gjermania kanë bërë tekste ndër të cilat kanë hequr fjalët e urrejtjes. Shkurt, Turqia ishte pushtuese e trojeve shqiptare, por prej historisë së marrëdhënieve të Shqipërisë me Turqinë duhet të hiqen fjalët që përmbajnë urrejtje.

 Intervistoi: Julia Vrapi

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.