Vigan Qorrolli, mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ka shprehur bindjen se pas mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë, nuk ka rrugë tjetër kushtetuese përpos shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. Ai ka argumentuar se pika e dytë e nenit 82 të Kushtetutës, që i referohet situatës, nuk përbën dispozitë që e pajis kreun e shtetit me diskrecion.

“Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”, është përmbajtja e nenit 82.2 të Kushtetutës.

Presidenti Hashim Thaçi konsideron se folja “mund” në përmbajtjen e këtij neni i jep diskrecion, duke ia lënë mundësinë që t’i evitojë zgjedhjet, nëpërmjet rastit që duhet dhënë formimit të një qeveri të re.

Ju pëlqen!

Por ka një gjykim në gjykatën më të lartë të Shteteve të Bashkuara, që e ka sqaruar nëse një folje e këtillë mundëson diskrecionin.

Qorrolli në një intervistë dhënë për KOHËN rikujton se për foljen “mund”, në versionin në gjuhën angleze të tekstit të Kushtetutë së Kosovës është përdorur folja “may”. E, ai argumenton se në jurisprudencën krahasuese – sidomos nga Gjykata Supreme e SHBA-së, autoritet ky që e interpreton Kushtetutën amerikane – foljeve “duhet” dhe “mundet” u është dhënë vlerë e barabartë.

“Sipas kësaj del se normativisht foljet më të fuqishme për t’u përdorur, të cilat e imponojnë një detyrim për t’u zbatuar, si për shembull: “do të”, “duhet”, apo “mundet”, kanë fuqi të njëjtë juridike. Në rastin Gutierrez de Martinez v. Lamagno, (1995), Gjykata Supreme e SHBA-ve, gjykoi se folja modale ‘shall’ (shqip: ‘do të’, ‘duhet të’) është e barasvlershme me foljen tjetër modale ‘may’ (shqip: ‘mundet’)”, thotë Qorrolli. “Shkalla e diskrecionit të cilin duhet ta përdorë presidenti Thaçi është e atillë, që ai duhet ta zbatojë praktikën e njëjtë të tijën si në vitin 2017: ta shpërndajë Kuvendin”.

Në këtë intervistë ai jep interpretim edhe për nene të tjera, që i referohen zgjedhjes së Qeverisë, dhe flet edhe për precedentët e deritashëm.

KOHA: Neni 82.2 a lë hapësirë për ndonjë zgjidhje tjetër pas mocionit të mosbesimit, përveç shpërndarjes së Kuvendit nga ana e presidentit? Në këtë nen, sa përmbajtjesore janë dallimet mes versioneve të Kushtetutës në shqip, serbisht e anglisht, veçmas referuar foljes “mund” dhe cili version duhet të shërbejë për interpretim nga gjykata në rast se çështja del para saj? Krahas kësaj, çfarë flet fakti që nuk ka një normë kushtetuese që specifikisht flet për qeverinë që mund të ndërtohet pas mocionit?

Neni 82.2 është përdorur dy herë në historinë kushtetuese të Kosovës, dhe atë, së pari nga u.d. i presidentit, Jakup Krasniqi më 2 nëntor 2010, pas krizës politike mes PDK-së dhe LDK-së (votëbesimi i qeverisë Thaçi I), dhe së dyti, nga presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi, i cili më 10 maj 2017, në të njëjtën ditë që është votuar mocioni i votëbesimit për Qeverinë PDK-LDK, të drejtuar nga Isa Mustafa, e ka shpërndarë Kuvendin.

Në vitin 2017 nuk është përdorur fare neni 95.5 nga ana e z. Thaçi, për të kërkuar një mandatar të ri nga ky koalicion, por ai në mënyrë automatike e ka shpërndarë Kuvendin.
Këto dy raste mund ta përshkruajnë identitetin tonë kushtetues si të brishtë, meqë presidenti sipas Kushtetutës tonë duhet të jetë mbi palët politike dhe neutral ndaj tyre, assesi palë me ta. Është një kompetencë e cila pavarësisht foljes “mund” duhet të lexohet dhe më pas interpretohet ndërlidhshmërisht me nenet e tjera të kompetencës së presidentit në formimin e qeverisë (neni 84.14). Tek neni 91.1 të cilin Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar në aktgjykimin KO 103/14 (rasti VLAN), thuhet se dispozitat kushtetuese të këtij neni bashkë me nenin 84.14, janë të ndërlidhura dhe duhet të përdoren bashkërisht – në mënyrë që kompetenca e presidentit të jetë e plotë në ushtrimin e të drejtës së tij kushtetuese.

Versioni në gjuhën angleze i tekstit kushtetues gjithashtu e përdor foljen “mund” (may). Në jurisprudencën krahasuese, sidomos Gjykata Supreme e SHBA-së (autoriteti që e interpreton kushtetutën amerikane) foljet “duhet” dhe “mundet” kanë vlerë të barabartë në interpretimin kushtetues. Sipas kësaj del se normativisht foljet më të fuqishme për t’u përdorur, të cilat e imponojnë një detyrim për t’u zbatuar, si p.sh. “do të”, “duhet”, apo “mundet”, kanë fuqi të njëjtë juridike. Në rastin Gutierrez de Martinez v. Lamagno, (1995), Gjykata Supreme e SHBA-ve, gjykoi se folja modale “shall” (shqip: “do të, duhet të”) është e barasvlershme me foljen tjetër modale “may” (shqip: mundet”).

Në shoqëri të prosperuara, me demokraci të konsoliduara, neni 82.2 tejkalohet me maturi politike, jo me mjete juridike. Konsensusi dhe kompromisi si dy vlera themelore të raporteve ndërmjet palëve politike, ia ndërtojnë narracionin presidentit të Republikës në atë mënyrë që ai të veprojë lehtësisht. Meqë në rrethanat tona kjo gjë duket si utopi, atëherë shkalla e diskrecionit të cilin duhet ta përdorë presidenti Thaçi është e atillë, që ai duhet ta zbatojë praktikën e njëjtë të tijën si në vitin 2017: ta shpërndajë kuvendin.

Kushtetuta nuk mund t’i parashohë të gjitha situatat politike në një vend. Kjo nuk ndodh në asnjë demokraci kushtetuese askund në botë. Meqenëse shefi i shtetit në një republikë parlamentare si e jona luan rol periferik dhe është garant i unitetit të popullit duke qëndruar mbi palët politike – atëherë ai duhet ta garantojë funksionimin demokratik të institucioneve. Kur një qeveri e humb besimin në kuvend dhe kushtetuta thotë se për herë të dytë duhet t’i jepet e drejta e formatorit qeverisës po të njëjtit fitues të zgjedhjeve të fundit, atëherë lindin dy dilema: së pari, nëse Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjë qeverinë herën e dytë pa LDK, por me partitë e tjera parlamentare, dhe, së dyti, nëse LVV mund ta bëjë e vetme qeverinë. Në situatën të cilën jemi, të dy skenarët janë (pothuajse) të pamundshëm të ndodhin.

KOHA: A mund të thirret tash presidenti në nenin 95.5, i cili iu referohet situatave kur Qeveria bie si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit ose e arsyeve të tjera që për pasojë kanë mbetjen vakant të postit të kryeministrit? Nëse po, si aktivizohet ky nen? Në këtë nen, sa përmbajtjesore janë dallimet mes versioneve të Kushtetutës në shqip, serbisht e anglisht në pjesën që i referohet konsultimit me “partinë”, përkatësisht “partitë” dhe cili version duhet të shërbejë për interpretim nga gjykata, në rast se çështja del para saj? Përtej këtyre, ky nen a lë hapësirë për dy raunde që lidhen me propozimin e mandatarit për kryeministër?

Kjo është një dispozitë lejuese – e cila e vesh presidentin me tagrin e mandatimit të një kryeministri të ri, nëse i pari është dorëhequr ose, siç e thotë Kushtetuta “për arsye të tjera posti i tij/saj mbetet i lirë.” Por cilat janë arsyet e tjera, përveç dorëheqjes, që ky nen e vë theksin, e në të cilat posti i kryeministrit mbetet i lirë? Sepse, sipas Kushtetutës tonë, fati i gjithë Qeverisë varet nga kryeministri. Nëse kryeministri, ta zëmë, gjatë ushtrimit të funksionit të tij vdes. Këtu ndërlidhet me patjetër edhe neni 100 (mocioni i votëbesimit). Sipas nenit 100.6 nëse mocioni i votëbesimit votohet për qeverinë në tërësi, atëherë bie qeveria dhe ajo konsiderohet e dorëhequr (theksi im). Fjalia {qeveria konsiderohet në dorëheqje} është tepër me rëndësi për qeverinë e votëbesuar. Ajo mund të rrijë në detyrë derisa të formohet qeveria e re, dhe fill pas kësaj aktivizohet neni 95.5.

Në aktgjykimin në rastin VLAN, Gjykata Kushtetuese në vitin 2014 mjaftueshëm i ka sqaruar nocionet parti politike dhe parti parlamentare (pikat 66-88 të atij aktgjykimi). Aty thuhet decidivisht (pika 88), se “rregulli dhe parimet demokratike, si dhe korrektësia politike, parashikueshmëria dhe transparenca, kërkojnë që partisë politike ose koalicionit që ka fituar numrin më të madh të vendeve, si rezultat i zgjedhjeve t’i jepet mundësia të propozojë kandidatin për kryeministër për formimin e qeverisë. Presidenti i Republikës nuk e ka diskrecionin të aprovojë ose të mos aprovojë nominimin e mandatarit nga partia ose nga koalicioni, por duhet të sigurojë caktimin e tij/saj”.

Sipas kësaj del se presidenti në këtë rast duhet të veprojë vetëm si një noter publik, i cili është i painteresuar për faktet dhe rrethanat mes palëve, por proceduralisht i interesuar vetëm për mbarëvajtjen kushtetuese të nominimit të mandatarit për kryeministër.

Sërish në mënyrë të ndërlidhur me nenin 95.5, vlen një paragraf mbi të, ai 95.4 i Kushtetutës. Sipas Gjykatës, ky nen qëndron i heshtur në pyetjen se cila parti ose cili koalicion e propozon kandidatin e ri për kryeministër. Sipas këndvështrimit të Gjykatës, është në diskrecionin e presidentit të Republikës që, pas konsultimeve me partitë dhe me koalicionet, të vendosë se cilës parti ose cilit koalicion do t’i jepet mandati për të propozuar kandidatin tjetër për kryeministër.

Sërish Gjykata (pika 91 dhe 92 të aktgjykimit) thotë se, “nuk duhet të përjashtohet që presidenti i Republikës mund të vendosë t’i japë të njëjtës parti ose koalicion edhe një rast për të propozuar kandidatin tjetër, që mund të jetë i suksesshëm në formimin e qeverisë së re, duke marrë votat e nevojshme në Kuvend.”

Po kështu, Gjykata konsideron se presidenti i Republikës duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re.

Në gjykimin tim të bazuar themelësisht në nivel profesional, presidenti duhet t’i shkruajë letër partisë fituese të zgjedhjeve, dhe t’i kërkojë një emër të ri për mandatar për formimin e qeverisë (kryeministër). Heshtja e Kushtetutës për periudhën kohore brenda së cilës duhet të përgjigjet partia e parë (fituese relative e zgjedhjeve) tek presidenti, nuk duhet të kuptohet si pamundësi e saj në formimin e qeverisë për herë të dytë. Duhet të kuptohet si kërkesë e arsyeshme brenda të cilës ajo duhet të negociojë me partitë e tjera parlamentare për ta formuar një mazhorancë të re qeverisëse. Sigurisht kjo nuk mund të abuzohet, ta zëmë, partia e parë të mos përgjigjet për 12 muaj rresht. Dhe kjo gjë diskrecionalisht të bazohet mbi një afat të arsyeshëm kohor.

Afati i arsyeshëm kohor sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbourg definohet ajo kohë e cila është mjaft e nevojshme, e përshtatshme, për të bërë gjithçka që kërkohet të bëhet, sa më shpejt që rrethanat e lejojnë.

KOHA: Detyrimet për presidentin që dalin nga neni 95, a vlejnë vetëm për rrethanën e paszgjedhjeve, apo për të gjitha situatat kur vendi mbetet pa Qeveri? Edhe në këtë rast, a vëreni dallime mes versioneve gjuhësore të Kushtetutës? Po kështu, për situatën e pasmocionit, sa hyn në punë Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin VLAN?

Qorrolli: Në mënyrë të veçantë ky nen aplikohet për të gjitha rrethanat. Kompleksiteti i nenit 95 vlen për të dy herët, si për formimin e qeverisë së parë, menjëherë pas zgjedhjeve, po ashtu edhe për herë të dytë sipas parag. 5 të këtij neni, kur pozita e KM për arsyet e lartcekura mbetet e lirë. Gjuhësisht nuk ka dallime shumë të theksuara në mes tekstit në shqip dhe atij anglisht. Ndonëse Kushtetuta jonë është hartuar në gjuhën angleze, versioni autoritativ dhe mbizotërues është ai në gjuhën shqipe dhe serbe. Këto dy gjuhë janë “gjuhët kushtetuese” të Kosovës.

Ndërkaq, aktgjykimi i vitit 2014 i Gjykatës e ka vlerën komplementare me Kushtetutën. Në mungesë të çdo detajimi në germën kushtetuese nga kushtetutëdhënësi, dispozitat e atij aktgjykimi në kuptim juridik e kanë vlerën e njëjtë si të normës kushtetuese. Përveçse ai aktgjykim e plotëson Kushtetutën për sa u takon neneve që Gjykata i ka interpretuar (nenet 95 dhe 84), ai edhe ia ndriçon rrugën edhe presidentit, edhe Kuvendit, por edhe Qeverisë në krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.

KOHA: Çfarë kanë rëndësi precedentët e deritashëm të pasmocioneve dhe a është i kufizuar presidenti që të veprojë vetëm konform tyre? Çfarë do të nënkuptonte një precedent i ri, në rast se qeveria e re do të ndërtohej pa vullnetin e partisë që në zgjedhjet e fundit ka fituar më së shumti vota, e për pasojë do ta linte atë në opozitë?

Precedentët janë të rëndësishëm në jetën politike dhe kushtetuese të institucioneve. Ata paraqesin një nyjë ndërmjet praktikës kushtetuese dhe identitetit kushtetues të etabluar. Ndonëse Kushtetuta e Kosovës nuk flet për precedentin, të paktën jo në mënyrë të shprehur, por disa nga karakteristikat e praktikës së përdorur më parë në jetën institucionale – luajnë rol mjaft të rëndësishëm.

Në vitin 2017, presidenti i atëhershëm dhe i sotëm, z. Thaçi, e përdori nenin 82.2, siç u shpreh ai, si pamundësi për të dalë nga kriza politike. Aktgjykimi i Gjykatës në rastin VLAN thotë, se “presidenti i Republikës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e presidentit të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet”.

Këtë gjë z. Thaçi nuk e bëri me 10 maj 2017, kur e shpërndau Kuvendin dhe i lejoi zgjedhjet, pa i gjetur kriteret mbizotëruese të cilat e obligonin nga aktgjykimi i vitit 2014. Me një fjalë, ai as nuk e përdori dhe as nuk e shteroi pikën 94 të atij aktgjykimi.
Në rastin e tanishëm, Lëvizja Vetëvendosje duket se është e “vetmuar” në kuptimin politik të fjalës dhe pa ndonjë aleancë të dakorduar me partitë e tjera parlamentare – të cilat asaj do t’i mundësonin krijimin e qeverisë së dytë, në krye të së cilës, duhet thënë, që nuk mund të jetë kryetari i saj dhe kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti. Aktgjykimi i Gjykatës në pikën 93 të tij thotë se, neni 95.4 i Kushtetutës kërkon që të ketë një kandidat tjetër për kryeministër – herën e dytë.

E vetmja mënyrë kushtetuese që qeveria e re (e dytë) të bëhet në kuptim të nenin 95.4 pa fituesin e zgjedhjeve, domethënë pa LVV, është që kjo e fundit të abdikojë (dështon të marrë përsipër formimin e qeverisë) me shkrim pranë presidentit të Republikës, pa pasur nevojë t’i shpjegojë arsyet specifike se pse po e bën një gjë të tillë.

Në anën tjetër, në kuptimin politik, kjo gjë mund të ndodhë pasi që ajo (LVV) nuk ka një kandidat tjetër përveç kryetarit të saj, Kurti, ose, në skenarin tjetër ajo nuk mund të arrijë asnjë aleancë me asnjërën prej partive të tjera parlamentare – si rrjedhojë nuk mund ta krijojë shumicën e re parlamentare dhe nuk mund t’i marrë 61 vota prej 120-ve gjithsej sa janë Kuvend.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!