Qeveria merr 2 vendime të rëndësishme për Trepçë

Sot, Kryeministri Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë, Rozeta Hajdari dhe Ministrin e Financave, Besnik Bislimi, vizituan Trepçën, ku takuan Bordin e Përkohshëm dhe Ushtruesin e Detyrës së Kryeshefit të kësaj Ndërmarrje për t’i njoftuar për dy nismat e qeverisë që kanë të bëjnë me injeksionin financiar, subvencionimin prej 3.5 milionë euro nga qeveria për pagat e punëtoreve dhe obligimet e kësaj ndërmarrje, dhe për iniciativën e rihapjes së Terminalit Doganor në Trepçë.

“Qëllimi i këtij takimi ishte që në njërën anë t’i njoftojmë që Qeveria në Detyrë e Republikës së Kosovës tashmë ka ndarë një subvencion prej mbi 3.5 milionë euro për Trepçën, në mënyrë që Trepça të mund t’i paguaj edhe obligimet por edhe pagat e punëtorëve të saj. Në anën tjetër, po i bëjmë përgatitjet në mënyrë që terminali doganor i cili ka qenë këtu në Trepçë nga viti 2002 deri në vitin 2013 të kthehet, dhe asisoj të siguroj të hyra për Trepçën. Padrejtësisht Trepçës i është marrë Terminali Doganor në vitin 2013 dhe ne duam që kjo të korrigjohet.”

“Ne bashkëndjejmë me Kryeshefin, me udhëheqjen e Trepçës, me inxhinierët e punëtorët e saj, meqenëse në bursën ndërkombëtare kanë rënë çmimet e metaleve, për shkak të pandemisë COVID-19. Sido që të jetë prodhimi në Trepçë ka një ngritje të lehtë dhe ne dëshirojmë që në të ardhmen edhe të shtohet prodhimi por edhe të shtohet produktiviteti. Prandaj do të na duhet të hulumtojmë për teknologji të reja në mënyrë që të hapen edhe horizonte të reja dhe ky produktivitet i Trepçës të na nxjerrë nga Trepça si një barrë sociale tek një kapacitet zhvillimor çfarë e njohim prej ngaherë. Pra, t’ia kthejmë Trepçës si krenari kombëtare shkëlqimin ekonomik edhe zhvillimor ashtu që të mos varet Trepça nga qeveria por e gjithë Kosova të varet nga Trepça e cila do të përparoj duke e rritur edhe prodhimin edhe produktivitetin”, tha Kryeministri Kurti.