Basri Kodra

Qeverinë e re të cilën prej tash do e drejtoj Lëvizja VETËVENDOSJE!, përkatësisht kryetari i saj, Albin Kurti, siç dihet, e presin shumë punë, secila më e rëndësishme se tjetra dhe të gjitha me përparësi. Përkundër këtyre nevojave (të paraqitura edhe në programin qeverisës) sa të ngutshme aq edhe të domosdoshme për funksionimin e shteti dhe përmirësimin e jetës së njerëzve, unë ndërkaq do ta quaja së paku të mjaftueshme ta kryente një punë: të nisë hapat drejt bashkimit kombëtar. Kjo është një kërkesë modeste, por thelbësore. Them ‘të nisë’ sepse çuditërisht hapat e nisur pas çlirimit, pavarësimi i Kosovës jo vetëm që i ka ndalur por ka qitur hapa në drejtime tjera, gjithsesi hapa të çorientuar! Nuk them ‘të bitisë’, sepse ky nuk është prioritet që duhet patjetër të përfundoj në këtë mandat.

Ju pëlqen!

Neve si popull shqiptar i mbetur jashtë shtetit amë, na kanë munguar të drejtat dhe liritë jo vetëm njerëzore e qytetare por edhe kombëtare sa kohë që ishim të veçuar nga Shqipëria si pasojë e pushtimin serb më 1912. Çlirimi nga Serbia e mundësoi gëzimin e të drejtave dhe lirive qytetare, madje edhe politike, ndërsa pavarësimi në vend se t’i zgjeronte plotësisht këto të drejta të munguara për kohë të gjatë, na privoi nga një përbërës i saj, nga përbërësi kryesor: e drejta kombëtare. Mohimi i flamurit dhe himnit kombëtar paraqet mohim të të drejtave kombëtare, gjersa ky mohim kulmoi me ndalesën kushtetuese për bashkim me Shqipëri! Çuditërisht atë që kishim gjakuar për ta fituar nën Ish-Jugosllavinë, e humbëm me pavarësinë! Çuditërisht, simboli i luftës çlirimtare u mohua nga çlirimtarët pasluftës! Kuptohet këtë e bënë krerët e tyre të cilët u shndërruan në zaptues të çdo gjëje që ishte e mundur të zaptohej.

Këto riparime nuk është edhe aq e lehtë të bëhen shpejt ngase tashmë kundërshtarët janë sa jashtë aq edhe brenda. Dhe për të qenë ndarja e Kosovës nga Shqipëria (jo vetëm shtetërore por edhe natyrale), sa më e gjatë, mundësisht e përhershme, farkëtuesit e statusit politik të Kosovës e garantuan atë përmes pranisë së shumëfishtë dhe të ndërlikuar serbe si në institucionet shtetërore ashtu edhe në territore tokësore, përkatësisht në jetën fetare e politike me sanksionime kushtetuese juridike.

Albin Kurti si kryeministër e ka mundësinë ta nisë këtë proces. Sipas parimit shtetëror të veprimit: pa ngutje e pa vonesë. Tashmë iu ka shtuar edhe një përparësi, për çudi dhe ironi: ka në krah edhe opozitën tashmë të hallakatur. Ajo nuk mund t’i thotë ‘Mos e bëj!’, sepse po çirret duke i thënë ‘S’do të mund ta bësh’. Hakërrima e saj qiellgërvishtëse do të pushoj sepse koha do t’i jep mundësi të reflektoj.

Flamuri për kombin është shumë i rëndësishëm. Ai është më tepër se simbol, sepse është histori dhe gjeografi bashkë. Është politikë dhe kulturë bashkë. Për popullin tonë shqiptar flamuri kombëtar, krahas gjuhës dhe himnit, është njësia e përbashkimit të tij kombëtar përmbi dhe përtej kufijve shtetërorë. Politikanët në pushtetin e djeshëm, sa të padije aq edhe të pandjenjë, rrjedhimisht edhe të padenjë, e mashtruan popullin duke i thënë se flamuri nuk ishte me rëndësi, se nuk do e heqim por do t’i kemi dy! Dhe pranuan apo shpikën (këtë nuk mund ta di) një kusht ndërkombëtar se flamuri i republikës jo vetëm se duhet të jetë i dallueshëm por krejtësisht i ndryshëm prej flamurit kombëtar të popullit të cilit i takonte republika! Si nuk deshën ta kuptonin se këtu ka një kundërshti të madhe: Nëse flamuri nuk qenka i rëndësishëm atëherë pse na vëni kushte?! Nëse flamuri qenka i rëndësishëm, atëherë nuk duhet të na vëni kushte sepse ne nuk mund të lëshojmë pe në gjëra kaq të rëndësishme?!

6.2.2020

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.