Shkelësit e rregullave në kushtet e pandemisë do të ndëshkohen me gjoba apo burg. Paralajmërimin e ka bërë Kryeministri i vendit Edi Rama, që ka bërë thirrje që njerëzit të mbajnë maska në vende të mbyllura.

Nuk është e qartë se çfarë e shtyn kryeministrin të njoftojë personalisht masat administrative dhe penale për ata që quhen shkelës, kur ligji vetë e parashikon qartë këtë. Aq më tepër nuk ka kuptim ky paralajmërim kur çdo masë teorikisht apelohet në gjykatë. Ndoshta z. Rama po bën me dije masat në fuqi për të shmangur vendosjen e sanksioneve.

Në këtë kuptim ky paralajmërim i shtohet qeverisjes së paralajmërimeve dhe sanksioneve. Zoti Rama e nisi punën në krye të qeverisë me fjalën “Burg”: burg për dritat, burg për ujin, burg për ndërtimet pa leje, burg për gjyqtarët dhe burg për prokurorët. Burgu nuk u zu gojësh si kërcënim publik për trafikantët e hashashit, anëtarët e Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave, për vëllezërit e deputetëve. Burgu nuk përmendet as për biznesmenë që janë evadorë të mirënjohur, as për Sali Berishën, të cilin z. Rama ia la historisë që në fjalimin e parë të mandatit të tij.

Ju pëlqen!

Burg pra të dashur qytetarë: burg po shkele karantinën, ose gjobë. Heqje liçence etj.. Sa më banale shkelja, aq më i madh paralajmërimi, por ja që nuk jemi të gjithë me aq fat sa p.sh të prokurojmë me 20 milionë/km, apo të afrohemi aferave si ato të CEZ.

Amnistia pastaj është ngushëllim që madhëria e tij i jep fukarasë. Ia ngroh shpirtin me një alamet faljeje, duke ia paraqitur ama gjestin e tij jo si politikë fiskale, por si falje gabimesh. Ndërkohë që gjella gatuhet për tjetërkënd.

Në rastin e pandemisë paralajmërimi është edhe qesharak nga një pikëpamje tjetër. Vetë mjekët thonë se duhet arritur imuniteti kolektiv që të quhemi të sigurtë, mirëpo ky imunitet nënkupton infektim në masë. Por këtë zoti Rama e ndalon me ligj. Në fund të fundit edhe ai ka dorë në rrumpallhanen që quhet shtet e të cilin kaq shumë e talli dikur.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!