Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari është deklaruar pas emërimit të bordeve në Postën e Kosovës, në Infrakos dhe në KRU “Prishtina”.

Përmes një shkrimi në Facebook, ministrja në detyrë Hajdari ka shkruar se këto janë borde emergjente dhe se nuk do të jenë gjatë në detyrë.

“Këto janë borde të përkohshme dhe emergjente të pranverës, të cilat nuk do t’i zë vjeshta aty. I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët”, ka shkruar ajo.

Hajdari është munduar që t’i arsyetojë raportim se anëtarë të bordeve janë pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se janë anëtarësuar vonë në parti dhe janë njerëz që nuk vjedhin.

“Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin. Bordi i përkohshëm bën punë ekipore dhe ka vendimmarrje kolektive me shumicë votash. Artan Dërmaku dhe Mentor Hyseni nuk kanë asnjë post në strukturat e LVV. Bordi i ri me mandat të plotë përzgjidhet përmes një procedure të hapur dhe transparente të konkurrimit jo më larg se gjashtë muaj prej tani”, ka shkruar ajo.