Qëndrimet kundërmyslimane

Shihej qartë se bota, fatkeqësisht, po hynte gjithnjë e më dukshëm në kohën e fërkimeve fetare, të cilat studiues të dukurive globale do t’i quajnë konflikt i qytetërimeve: i qytetërimit islamik dhe i qytetërimit të krishterë. Natyrisht, shkrimtari Ismail Kadare nuk mund të qëndronte pa thënë mendimin e tij për çështje fetare, sepse ai nuk kishte qëndruar kurrë asnjanës, eunuk, ndaj problemeve më të mprehta të përtashësisë.

Interesat e tij letrare dhe politike kërkonin që Ismail Kadare, kur drejtpërdrejt e kur ndërmjetësueshëm, t’i shprehte pikëpamjet e tij fetare. Dhe, ai do ta bëjë këtë si gjatë disa retushimeve më sipërfaqësore a më rrënjësore të disa veprave letrare, ashtu edhe në intervistat, në deklaratat dhe në veprat e ndryshme publicistike. Dhe, do ta bëjë këtë në fillim më kujdesshëm e me kalimin e kohës gjithnjë e më zëshëm. Nuk është e vështirë për të vërejtur se në ato retushime, shkrime publicistike, intervista e deklarata ai nuk i trajton të barabarta dinjitetet e fesë myslimane dhe të fesë së krishterë. Në njërën anë duke folur shpërfillshëm apo, madje edhe fyeshëm ndaj fesë myslimane, ai do të bëhet propagandues gjithnjë e më i përkushtuar i fesë së krishterë në anën tjetër. Ndryshe prej shkrimtarit anglez me prejardhje pakistaneze, Salman Ruzhdi, i cili do të shkruajë romanin e shpallur kundërmysliman, Vargjet satanike, për ç’shkak, mandej, do të jetë i shtrënguar t’i kalojë disa vite në “ilegalitetet”, Ismail Kadare do të jetë më i kujdesshëm dhe nuk do të shkruajë vepër të veçantë të tillë. Në qoftë se Salman Ruzhdiut nuk do të mund t’i afrohej me fuqinë krijuese, Ismail Kadare do t’ia kalojë atij me vigjilencë, e cila kohë pas kohe do t’i dobësohej deri në ditët tona. Qëndrimet e tij kundërmyslimane, ndërkaq, të shprehura, sidomos, në shtypin e huaj, përpos atyre të cilëve Ismail Kadare përpiqej t’u binte në sy, u kishin rënë në sy edhe lexuesve shqiptarë, prej të cilëve do të priten me keqardhje të veçantë. Do të bëhen edhe reagime. Një prej reagimeve të tilla do të botohet edhe në javoren e Prishtinës, Zëri, më 27 maj 1992. Në të, përpos të tjerash, thuhet:

“Qendrat Islame Shqiptaro-Amerikane në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, mbajtën një takim në Xhaminë e Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane në Nju-Jork – Nju Xhersi, për të shqyrtue dhe diskutue bashkërisht, disa qëndrime tejet negative, sa absurde, aqë edhe indinjuese të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, të shprehun kohëve të fundit, si në vepra të tija ashtu edhe përmes të intervistave të tija në shtypin e jashtëm, dhe të cilat janë drejtue direkt kundër myslimanizmit.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!