Të gjitha mediat ndërkombëtare janë me sytë nga Moska në këto momente. Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar papritur në Kremlin një fjalim para kombit.

Çfarë do të thotë kreu i Kremlinit. Mbetet e paqartë dhe aludimet janë të shumta. Fjalimi ishte parashikuar të niste që përpara 1 ore, por Putin nuk po duket ende.

Ai njihet si një person që nuk i respekton oraret dhe mesa duket po e bën përsëri. Mediat e huaja shkruajnë se besohet që Putin do të shpallë vendimin për mbajtje të referendumeve lokale në zonat e pushtuara në Ukrainë.

Perëndimi ka paralajmëruar se nuk do të njohë referendume të tilla. Në rrjetet sociale ruse ka një lloj “paniku” për mundësinë e një thirrjeje të përgjithshme për luftë.

Çfarë tha sot Erdogan
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dalë me një deklaratë të fuqishme për sa i përket luftës në Ukrainë. Ai tha se Rusia duhet t’i kthejë Ukrainës tokat e pushtuara, nëse ka qëllim vendosjen e një paqeje të qëndrueshme.

“Nëse rikthehet paqja në Ukrainë, natyrisht, kthimi i territoreve të pushtuara do të jetë çështje shumë e rëndësishme. Kjo gjë pritet”, tha Erdogan për rrjetin amerikan, PBS. Erdogan gjatë intervistës në Nju Jork ka shtuar se Moska duhet t’ia kthejë “edhe Krimenë pronarëve të ligjshëm”.

Krimeja u aneksua nga Rusia në vitin 2014 dhe kjo gjë nuk është pranuar asnjëherë nga Ankaraja zyrtare.

Turqia po luan një rol tepër të rëndësishëm që nga nisja e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës në muajin shkurt. Ishte pikërisht ky vend që ndërmjetësoi marrëveshjen për të mundësuar eksportin e grurit nga Ukraina drejt pjesës tjetër të botës. Ndonëse Turqia është vend anëtar i NATO-s, ende mban lidhje të ngushta me Moskën dhe Kievin.

Kujtojmë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.