Shkruan: Ermal Mulosmani

Mbrëmë i mërzitur nga ajo që i ndodhi Barcelonës dhe nga talljet e rrjeteve sociale, e çova televizorin tek Fevzo.

Ishte i ftuar Batoni dhe ca të tjerë. Herë pas here flisnin edhe të tjerët, kishin edhe ata mendime të ndryshme për kufinjtë, taksën, mardhëniet Shqipëri – Serbi, Serbinë e Madhe, Shqipërinë e madhe. Batoni i ngratë ishte i detyruar t’i dëgjonte, c’të bënte. E kishte vendosë me vete, do ta nderonte Fevzon me praninë e tij atë natë dhe duhej ta çonte deri në fund këtë makth.

Ishte shtrirë në kolltuk dhe duart i vinte në kokë nga budallallëqet që po dëgjonte. Herë pas here dëgjoheshin ofshama të stërgjatura padurimi, nënçmuese për të ftuarit. Me vete po thoshte “Si dreqin me ia spjegu këtyre fakirave, nënkomentatorëve, që ju idenë nuk e keni për asgjë. Në krah kishte Muchin e famshëm dhe Paskal Milon që ia jepnin pa hesap të drejtën e fjalës. Edhe ata, kur e merrnin fjalën ndonjëherë, ndërkohë që flisnin shihnin nga Batua për të marrë miratimin.

Duke pa emisionin, një moment u fokusova vetëm te lëvizjet e Batonit, psherëtimet nënçmuese, qëndrimet në kolltuk, lëvizjet e duarve, kërkesat që i bënte drejtuesit të emisionit për seriozitet, sepse, Ai nuk mund të harxhonte kohën e çmuar të tij me njerëz të painformuar dhe pa pikë vizioni. I quajti semplistë.

Domethënë të thjeshtë, që nuk shikojnë jashtë të dukshmes, nuk nxjerrin konkluzione nga nëntekste të caktuara…

Po kush dreqin është ky njeri që na e kanë lënë si mbret të debatit politik në Shqipëri, që komplekson drejtuesit e televizionit, ata të shtetit, komentatorët, që bën si i gjithëditur, që flet për semantikë e për shkronja, që i shkëlqen portreti kur takon Vuçiçin dhe i jep kompetenca vetes që të flasë për Kancelaren Merkel si të ishte mësuesja e fshatit? Kush është ky arrogant që përvesh llërët në emision dhe përqesh shqiptarët? Që i duken njerëzit numra?

Thashë t’ia bëj të ditur se kush është. Për këtë, më duhet një paralelizëm i thjeshtë.

Baton, çështja e Kosovës me Serbinë, për BE është si çështja e Suharekës me Mushtishtitin për Prishtinën. Madje edhe më pak se kaq. Po e bëj krahasimin për disa njerëz që duan t’i lexojnë gjërat e thjeshtuara jo për analistët e vërtetë.

Pra Kryetari i Suharekës (Vuçiç) dhe ai i Mushtishtit (Thaçi), Baton, kanë shkuar në Prishtinë të takojnë shefat e mëdhenj aty. Kanë marrë me vete edhe stafe, ky i Mushtishtit ka marrë edhe gazetarin e fshatit që je ti Baton.

Prishtina zyrtare u dha porosi që Mushtishti dhe Suhareka nuk do i ndryshojnë kufinjtë, kjo është e padiskutueshme. Por ti Baton, në cilësinë e gazetarit personal të Kryetarit të Mushtishtit, u thua bashkëfshatarëve që Prishtina e mban me hatër Suharekën…Dhe këtë gjë e din vetëm ti si njeri që rrin në kafenenë e fshatit gjithë ditën me Kryetarin. Por, edhe kur ai shkon në Prishtinë të merr me vete. Ky je ti Baton, një gazetar shoqërues delegacionesh fshati që mburresh me këtë gjë.

Sigurisht Baton, një i huaj që vjen në Mushtisht, dhe njeh ty, Kryetarin dhe fshatarët, më antipatiku do i dukesh ti. Sepse nuk ka më keq se megallomania e të voglit. Ai kthehet në qesharak, bëhet objekt talljesh. Ti nuk je kurrkushi dhe boll u mburre nëpër mushtishtas, ata janë më të mirë se ti.

Ti nuk ke pse merr detyra që nuk ti ka ngarkuar kurrkush. Gazetarët që shoqërojnë mbrapa Kryeministrat e vendeve të vogla nuk janë gazetarë oborri. Jo bre çfarë gazetarë oborri ata. Janë thjesht bashkëbisedues të mahnitur të darkave të Kryetarit të fshatit! Ti kujton se ja, siç ka gazetarë që shkojnë pas Kryeministrit anglez jam edhe unë që shkoj mbas të parit të Kosovës. Jo bre Baton, ka ndryshim të madh. Me gjasë ai i Kryeministrit anglez druhet kur flet për Kancelaren e Gjermanisë ndërsa ti thua faktin që “11 miliardë i ka investue Gjermania në Serbi”.

Pra, po u thua kosovarëve që tezja Merkel i don serbët më shumë se ne dhe ne duhet me shkue me Amerikën…Se për dajën Macron dihet mo që me serbët i ka pipzat…

E ti nuk i nxjerr konkluzionet, ato ia len Mushtishtit…
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress 

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
[wpedon id=16879]