Ndonëse është transferuar te Paris Saint-Germain që verën e kaluar në huazim një vjeçar, Mauro Icardi tani është vetëm një firmë larg divorcit nga klubi i Interit, fanellën e të cilit e veshi për plot 6 sezone, nga vera e 2013-ës deri në atë të 2019-ës. Bashkëshortja dhe menaxherja e sulmuesit, Wanda Nara ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e parisienëve, për një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2024 dhe me një pagë prej 10 milionë eurosh neto në sezon.

Sipas mediave franceze, së fundi është arritur edhe marrëveshja mes drejtuesve të Interit dhe atyre të PSG-së, për një transferim të futbollistit për vlerën e 60 milionë eurove, ndërsa tani po sistemohen vetëm detaje që lidhen kryesisht me bonuset. Në Francë janë të sigurt që brenda kësaj jave do të zyrtarizohet edhe transferimi final i Icardit te Paris Saint Germain, ndërsa javën e ardhshme mund të kemi të reja në pistën tjetër, atë që do të dërgonte Edinson Cavanin në Milano. Su lmuesi uruguaian do të jetë një lojtar i lirë duke nisur nga 1 qershori, ndaj Ausilio dhe Marotta kanë kohë që punojnë për ta bindur të vishet zikaltër, ndërsa në Francë këmbëngulin se akordi është arritur dhe zyrtarizimi pritet vetëm në fillim të muajit të ardhshëm.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!