Dihet se fëmijët prej natyre janë kureshtarë, natyrisht dikush më shumë e dikush më pak. Vetë jeta, ambienti, lojërat, marrëdhëniet e tij me të tjerët, pastaj në përgjithësi natyra: bimët, kafshët, fenomenet natyrore, me të cilat janë në kontakt në jetën e përditshme i nxisin ata të mendojnë vazhdimisht e të pyesin për çdo gjë.

Fëmijët në përgjithësi fillojnë të mendojnë e të pyesin të tjerët, më të rriturit, aty kah mbarimi i vitit të tretë të moshës. Pra, pyesin të vegjlit, por pyesin edhe të rriturit. Kureshtja e të vegjëlve është e madhe, sidomos për dukuritë natyrore.

Pse-të e shumta të fëmijëve nuk bëhen kot. Ato tregojnë interesimin e përpjekjet që bëjnë fëmijët për të marrë vesh çdo gjë që i rrethojnë. Prandaj ai për këto kërkon ndihmën e prindërve.

Disa prindërve u duken të parëndësishme pyetjet e fëmijëve, prandaj ata shpesh as s’ua vënë veshin pyetjeve të tyre të shpeshta. Madje disa prindër mërziten, shqetësohen, ua ndërpresin pyetjet e i detyrojnë fëmijët që të heshtin, duke u thënë: “Mjaft më me ato pyetjet tuaja të kota e pa vend, na lodhe e na mërzite e nuk po na lë të qetë as në punë”.

Duke vepruar në këtë mënyrë, prindërit jo vetëm që i shmangen përgjigjeve që duhet t’u japin pyetjeve të fëmijëve, por ndrydhin edhe kureshtjen e fëmijëve për të mësuar diçka të re. Një veprim i tillë është gabim i rëndë nga ana e prindërve.

S’ka dyshim se fëmijët, sidomos ata më të vegjlit (mosha 3-6 vjeçare) bëjnë lloj-lloj pyetjesh të lehta, të çuditshme, por edhe të rënda, që kërkojnë dijeni për t’iu përgjigjur. por sidoqoftë, është cilësi e mirë që pyesin e kërkojnë të dinë më tepër për çdo gjë, të zbulojnë diçka të re që s’e kanë ditur më parë. Pra, është gjë pozitive kur pyesin.

Fëmijët që janë kureshtarë e pyesin për çdo gjë, zhvillohen më shpejt, përkundrazi, është shumë keq kur fëmijët nuk pyesin fare. Kjo tregon se atyre nuk u bën përshtypje e nuk u intereson kurrgjë nga rrethi, ngjarjet e dukuritë e botës ku jetojnë. Të tillë fëmijë zhvillohen e piqen ngadalë, e këtë gjë natyrisht s’e dëshiron asnjë prind për fëmijën e vet. Prandaj, çdo prind s’duhet ta humbë durimin e nuk duhet të mërzitet e të lodhet nga pyetjet e fëmijës së vet.

Është e vërtetë se fëmija i vogël nganjëherë bën edhe pyetje naive e pa lidhje për shumë gjëra e dukuri, por ndër to ka edhe pyetje me vend e logjike që kërkojnë përgjigje të matur.

Përkundrazi, nëse ka ndonjë fëmijë që ngurron ta pyesë prindin ose nuk ka kurajo, sepse mund t’ia kthejë me fjalë të rrepta, prindi duhet vetë ta marrë me të mirë, ta nxisë e ta inkurajojë fëmijën që të pyesë për çkado që e intereson ose që s’e di a s’e kupton ose që nuk e ka aq të qartë. Me fjalë të tjera, prindi duhet të jetë përherë i gatshëm që t’i përgjigjet çdo pyetjeje të tij, kuptohet nëse mundet.

Shpesh fëmijët bëjnë edhe pyetje joserioze e pa kurrfarë qëllimi dhe duken se dalin nga një mendje jo e shëndoshë, jo e pjekur. Sidoqoftë, prindi mund t’i kuptojë e t’i dallojë ato. Ai duhet t’i shoshitë pyetjet e tyre e nuk duhet të ngutet e t’i marrë me përbuzje, të qeshë e të tallet me to. Tallja me pyetjet e fëmijës është gjë e rrezikshme, sepse atëherë fëmija demoralizohet dhe e humb besimin në vetvete e ndaj prindërve bëhet egoist e i këqyr ata si të mos i kishte të dashurit e vet më të ngushtë.

Fëmija i pyet prindërit ose motrat a vëllezërit më të rritur, sepse mendon se ata, si më të rritur, dinë çdo gjë dhe prandaj u beson atyre. Nëse nuk merr përgjigje, fëmija pyet prapë pa ndërprerë, sa, nganjëherë bëhet edhe i mërzitshëm. Prindërit duhet ta kenë gjithnjë parasysh se duke iu përgjigjur pyetjeve të fëmijës, rritet vetvetiu edhe autoriteti i prindërve e shtohet njëkohësisht edhe besimi e dashuria e fëmijëve ndaj tyre.

Fëmijën kureshtar jo vetëm që s’duhet ta largojmë prej vetes, por përkundrazi duhet të përpiqemi ta afrojmë sa më shumë. Madje, edhe kur prindërit janë të zënë me ndonjë punë në shtëpi, duhet të bëjnë çmos e t’i dëgjojnë me vëmendje pyetjet e fëmijës dhe të mendojnë mirë për përgjigjet që do t’i japin. Duke i dhënë përgjigje me vend e të saktë, prindërit jo vetëm që plotësojnë dëshirën dhe kërshërinë e fëmijës, por njëkohësisht kuptojnë edhe inteligjencën e tij.

Kur fëmija merr përgjigjen e duhur nga prindi, ai bëhet i gëzueshëm, i çelët e më i mençur, dhe pyetjet e tij me kohë vijnë e bëhen edhe më të pjekura, më logjike e të shumënduarshme. Të gjitha këto tregojnë se ai sa vjen e po zhvillohet normalisht edhe në pikëpamje psikike. Kur prindi është përherë i gatshëm t’i përgjigjet pyetjeve të fëmijës, ai pa dyshim, do t’i dojë e nderojë edhe më shumë dhe vazhdimisht do të kërkojë ndihmën e tyre.

Kjo mënyrë veprimi në familje do të ndikojë te fëmija, që ai edhe më vonë, në shkollë, të ketë qëndrim të drejtë e korrekt dhe besim e respekt edhe ndaj mësuesve – mësueseve e shokëve më të rritur që dinë më shumë se ai.

Kur është fjala për përgjigjet që u jepen fëmijëve nga ana e prindërve, vlen të theksohet se prindi më së pari duhet të ketë parasysh moshën dhe fuqinë kuptimore të fëmijës. Ato duhet të jenë të drejta dhe jo të atilla, të cilat i bëjnë fëmijët të jenë kureshtarë. P.sh. nëse fëmija pyet: “Pse bie shi? ose “Pse nuk bien retë?” ose “Pse u sëmur gjyshja”?, etj.,. nuk duhet t’u thuhet kurrsesi se shiun ose sëmundjen e gjyshes e sjell Zoti etj., siç veprojnë disa të vjetër me mendime prapanike, por t’u shpjegohet në baza shkencore e në mbështetje të higjienës.

Ka raste e ndodh ndonjëherë që pyetjes së fëmijës nuk është në gjendje t’i përgjigjet aty për aty ndonjë prind, sepse nuk është i sigurt as vetë në përgjigjen e vet. Në raste të tilla është më së miri ta lërë përgjigjen për më vonë, ndonjë ditë tjetër, sesa të përgjigjet gabim. Ose mund t’u thotë se për këtë pyetje duhet të mendohet mirë para se t’u japë përgjigje, ose do të pyesë ndokënd tjetër që i di më mirë këto çështje, ose për këtë duhet të lexojë në ndonjë libër që t’i përgjigjet me saktësi pyetjes së tij. Në këtë mënyrë fëmija kupton e bindet se ka edhe më njerëz të tjerë që i dinë më mirë disa gjë ra. Por kështu zhvillohet te fëmija edhe dashuria për librin, përkatësisht për vlerën e të mësuarit nëpërmjet librit.

S’ka dyshim se disa herë pyetjet e fëmijës së vogël ose të moshës shkollore mund të bëhen shkas që përkitazi me to të bisedohet nganjëherë edhe me mësuesin-mësuesen në foshnjore a fillore, nga i cili, prindi mëson diçka më tepër si për fëmijën e vet, ashtu dhe për pyetjet që bën ai, qoftë në shtëpi a në shkollë.

Nuk është keq ngandonjëherë që gjatë bisedës me fëmijën që bën pyetje, dhe prindi, në bisedim e sipër ose duke i dhënë përgjigje, t’i bëjë edhe ai fëmijës ndonjë pyetje tjetër plotësuese, kuptohet, gjithnjë në lidhje me pyetjen e parë të tij. P. sh. mund ta pyesë fëmijën: Çka mendon t’i për këtë? Si do të veproje ti në këtë rast? A mos ke parë a dëgjuar ti ndonjëherë diçka të ngjashme? Çka mund të mendojë shoku yt për këtë? etj. Pyetje të tilla gjatë bisedës e freskojnë dhe e zgjojnë edhe më tepër interesimin e tij dhe e nxisin atë të mendojë pak edhe më tepër, të thellohet edhe më shumë dija e tij në lidhje me pyetjen e bërë dhe të mendojë të bëjë edhe pyetje të tjera plotësuese, natyrisht më të pjekura.

Dhënia e përgjigjes nga ana e prindit pyetjes së fëmijës është me rëndësi të madhe. Pikësëpari, ajo duhet të jetë në baza shkencore dhe pikëmbështetje për zhvillimin e mëtejshëm të tij në fushën e dijes. Pastaj rëndësi të posaçme ka që fëmija ta kuptojë mirë përgjigjen e prindit. Kuptohet pra se prindi duhet të përpiqet që përgjigjja e tij të jetë sa më e shkurtër, e qartë, e kuptueshme, t’i përshtatet fuqisë kuptimore të tij dhe jo e atillë sa të kthehet në një ligjëratë a këshillë të gjatë e të mërzitshme.

Në dhënien e përgjigjes, prindi duhet të ketë durim të madh. Posaçërisht kur fëmija e përsërit shpesh të njëjtën pyetje. Në raste të tilla mund t’u thuhet: “A s’të kujtohet kur të shpjegova njëherë për këtë, kur ishim në shëtitje familjarisht”.

Nuk prish punë e nuk duhet të mërzitemi kur fëmija pyet disa herë për të njëjtën gjë a dukuri. Ndoshta ai pyet prapë, sepse ai dëshiron të dijë diçka më, tepër, më gjerë për atë send a dukuri. Ose ndoshta s’e ka pasur të qartë mirë, ose përgjigjja jonë e parë s’ka qenë atëherë e plotë dhe aq e kuptueshme, ose fundi i fundit edhe mund të ketë harruar për atë përgjigje, çka i ndodh nganjëherë edhe të rriturve e jo më fëmijëve, prandaj prindi nuk duhet të përtojë e t’ia shpjegojë prapë, natyrisht në një mënyrë tjetër edhe më të afërt e të përshtatshme e me një gjuhë të kuptueshme për ta. 

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]