Nga: Sebastian Zonja

Ambasada e Shteteve të Bashkuar të Amerikës në vendin tonë bëri me dije se listës së të ndaluarve përjetësisht për të hyrë në Amerikë, Doshi, Llalla dhe Dako, së shpejti do t’i shtoheshin edhe 14 emra të tjerë.
Për nga numri i popullsisë që ka Shqipëria, krahasuar me të dhënat që vetë Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë publike, rezulton që të jemi një ndër vendet më të korruptuar në botë. Se si ndikon ky korrupsion, shqiptarët e shohin në përditshmërinë e tyre. Ose mjaft që ndonjë specialist i shqetësuar të bëjë pyetjen: si ka mundësi që kur euro nuk pëson luhatje në asnjë vend të rajonit, asnjë çmim i produkteve të shprotës nuk bie, vetëm brenda pak muajsh kemi një pikiatë të monedhës europiane në kuotën e 18 pikëve???!!!
Por pikërisht një ditë pasi del lajmi i shtimit të listës së personave të ndaluar familjarisht për të mos hyrë asnjëherë në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, një lajm bombë pushton mediet shqiptare. Drejtori i policisë, Ardi Veliu, në një dalje publike bëri me dije se: “Një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane është zbuluar së fundmi nga Institucionet Shqiptare të Sigurisë. Celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.”
Mbajeni mend se çfarë tha Veliu: Një celulë aktive terroriste…
Një rast i ktillë ngre disa pyetje:
– Pse lajmi del pikërisht tani, dhe jo më herët?
– Nëse asnjë prej “terroristëve” nuk ka rënë në prangat e policisë, përse duhet shitur ky lajm dhe çfarë interesash kanë ata që e shesin?
– Ku ndodheshin këta persona kur është bërë publik ky lajm?
– Nëse ata ndodhen në Iran për shembull, cila është rëndësia e këtij lajmi në mos hamendësimi dashakeq i një kërcënimi të tillë?
– A do të vinin ata sërish në Tiranë? Dhe nëse po, sa herë të vinë, aq herë Ardi Veliu do të tmerrojë shqiptarët?
– Iranianët e MEK-ut në Shqipëri, kanë vëmendjen e shtuar të amerikanëve. Kur kryeministri Rama largoi ambasadorin Iranian nga vendi ynë, mori lëvdata nga aktorët më të lartë politik amerikanë. Tani kemi një zbardhje të një celule terroriste iraniane, kujtoni “Veliu: Një celulë aktive terroriste… “ pa asnjë të arrestuar, çfarë kërkon të na thotë qeveria shqiptare me këtë?
A mos vallë janë bërë pishman pse kanë pranuar opozitarët iranianë? A mos vallë duan t’u thonë shqiptarëve se ju nuk duhet dhe nuk do të flini kurrë gjumë, sa kohë kemi pranuar opozitarët iranianë?
A mos vallë duan që t’u thonë shqiptarëve se kështu të gjen belaja po u prishe me Iranin duke pranuar miqtë e Amerikës?
A mos vallë duan tu thonë shqiptarëve se miqësia me Amerikën ka çmim shumë të lartë, madje çmimi i terrorizmit dhe i terrorizimit është shumë i vogël?
Nëse duan që të shantazhojnë Amerikën, përse duhet ta bëjnë këtë duke tmerruar popullin e tyre?
Në cilin manual të luftës kundër terrorizmit, dekonspirohen operacionet më të fshehtë dhe më të sofistikuar, sikurse janë ato antiterror?
Tani që mendohet se terroristët na lanë shëndenë, kujt i krekosen trimat tanë, të cilëve iu mbetën puplat në dorë?

Kush po i drejton mesazh kujt?

P.S. Ajo që duhej të ishte çështje e sigurisë kombëtare, bëhet me dije për publikun e gjerë. Operacionet antiterror janë operacione shumë të fshehtë. Libri “Spyware” apo “The Looming Tower” vetëm pas 20 vitesh shkruajnë për një operacion antiterror të CIA-s amerikane, filiali Romë, për disa terroristë të rrezishëm që ishin infiltruar në Shqipëri me organizata bamirëse. Dhe pikërisht këta autorë e quajnë të pamenduar mirë dhe euforike, një deklaratë për shtyp të forcave të rendit shqiptar për asgjesimin e njërit prej personave të dyshuar si terrorist, që fshihej në Shqipëri. Vallë prap kaq euforike është qeveria? Vallë pse duhet që të jetë në bisedën e shqiptarëve një temë kaq e kobshme, terrorizmi?