“Unë nuk kam marrë pjesë asnjëherë në një tender publik, asnjë koncesion, nuk kam përfituar nga asnjë lloj ligji nga qeveritë deri tani. Unë jam një biznesmen i suksesshëm në pjesën më të madhe të aktiviteteve të mija. Unë nuk e pranoj që jam oligark, por komenti im është që fjala oligark në raport me bizneset e mia nuk ngjit fare. Prezenca e kompanive të mia në këtë vend i kanë sjellë shtetit 40 milion euro në vit. Këto të ardhura janë që i shkojnë shtetit nga kompanitë e mia”.

Kështu deklaronte në shkurt të 2018-s Samir Mane gjatë një interviste televizive si pjesë e një fushate mediatike të mirëmenduar prej tij. Po, ai është biznesmen i suksesshëm, por edhe oligark gjithashtu dhe pse do e sqarojmë në vijim.

Së pari, kur jepte këtë intervistë televizive (mes të shumtave që dha në atë periudhë për të ndërtuar imazhin e biznesmenit të suksesshëm) Samir Mane nuk kishte shumë kohë që kishte përfituar nga një vendim i Qeverisë që ulte kufirin e taksave për blerjet online.

Ju pëlqen!

Bëhet fjalë për një vendim të 2016-s, kohë kur Samir Mane sërish në një intervistë televizive tregonte se milionëshin e parë (në dollarë) e kishte bërë në moshën 25-vjeçare duke shitur televizorë e elektroshtëpiake të tjera.

Edhe në atë intervistë ai tregonte imazhin e një investitori e biznesmeni të kulluar, që nuk i binte në qafë as shtetit dhe as qytetarëve, që s’ndikonte në vendimmarrje. Megjithatë, “rastësisht” vendimmarrjet e qeverisë çonin ujë te bizneset e tij.

Vendimi i 2016-s i Qeverisë që futi në skemën e pagesës së TVSh-së të gjitha blerjet online me vlerë mbi 22 euro dhe procedurat komplekse të zhdoganimit të tyre kanë lënë Shqipërinë në nivelet më të ulta në Europë përsa i takon sasisë së blerjeve përmes asaj që quhet e-Commerce, apo shqip e-Tregtia. Vendimi u akuzua e u dyshua se u mor me lobimin e biznesmenit Samir Mane, për të favorizuar bizneset e tij në dy qendrat tregtare, TEG dhe QTU.

Një raport i Bankës Botërore krahason sasinë e blerjeve online nga periudha 2009 deri në 2015 me periudhën 2016, pas hyrjes në fuqi të vendimit që uli në 22 euro aplikimin e TVSh-së deri në 2018-n. Krahasimi bëhet mes Shqipërisë dhe katër vendeve të tjera të rajonit, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.

Sipas raportit të Bankës Botërore, në të katër këto vende sasia e njësive të blera online është rritur, ndërsa në Shqipëri ajo është ulur me 25 për qind. Banka Botërore vëren se fajtore për këtë është pikërisht taksa “Samir Mane”. Si rezultat i kësaj mase, Banka Botërore thotë në raport se, blerjet nga qytetarët shqiptarë përmes faqeve ndërkombëtare të internetit u shtrenjtuan pas 2016-s. Pas vitesh që shqiptarët blinin online pa paguar TVSh për blerjet nën 160 euro ndryshimi i kësaj takse çoi në një rritje të fortë të kostove, që reflektoi një rënie të fortë të blerjeve online.

“Nëse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor blerjet online u rritën, Shqipëria pa një rënie me 25 për qind të dërgesave hyrëse nga 2016 deri në 2019. Kjo reflekton pakënaqësinë e vazhdueshme të qytetarëve me ndryshimin e taksës. Klientët shqiptarë theksojnë TVSh-në e lartë dhe tarifat e tjera të importit si shqetësime për blerjet online”, thotë raporti i Bankës Botërore.

Së dyti, Samir Mane në 2018-n refuzonte të quhej oligark sepse nuk kishte përfituar asnjë koncesion, apo tender nga qeveria. Por, ai kishte përfituar statusin e investitorit strategjik për Green Coast në Palasë dhe pas kësaj deklarate edhe investitorin strategjik në Portin e Vlorës.

Për Palasën, Qeveria u investua e shtrëngua në një periudhë të vështirë financiare për t’i hapur tunelin në Llogara. Nuk është çështja që tuneli nuk duhet bërë, por ngutja e qeverisë pa publikuar studimin e fizibilitetit (kosto-përfitim) tregon se pas ndërtimit të kësaj vepre qëndron një interes i ngushtë personal. Dalja e tunelit është pikërisht te vilat e ndërtuara nga Samir Mane. Rastësi, apo oligarki? Qytetarët ta gjykojnë vetë.

Rasti tjetër lidhet me Portin e Vlorës, në të cilin Samir Mane e ka përfituar 165 mijë metër/katrorë ndërtim për 1 euro, edhe këtu si investitor strategjik. Sipas kontratës, për 22 milionë eurot që shteti gjasmë e detyron Samir Manen të investojë në Portin e Vlorës, biznesmeni përfiton gjithashtu edhe nga mbrojtja ligjore që i jep statusi i investitorit strategjik. Çfarë do të thotë? Në çdo proces gjyqësor që mund të ngrenë palë të treta për koncesionin, Samir Mane duhet të mbrohet nga shtetit shqiptar. Kontrata i lë atij “vetëmbrojtjen” vetëm në rastet kur konflikti është me persona, apo kompani me pronat kufitare.

Favorizimet nuk mbyllen me kaq. Po me statusin e investitorit strategjik ai përfiton nga taksat e reduktuara, përparësitë në lejet zhvillimore dhe lehtësi të tjera që i njeh ligji me anë të të cilit është shpallur një investitor i tillë.

Kontrata parashikon gjithashtu që brenda një muaji nga hyrja e saj në fuqi, pra nga data 13 tetor, kur është botuar në Fletoren Zyrtare, Samir Mane mund të nisë ndërtimin e rezidencave dhe godinave shumëkatëshe, përfshirë këtu hotelin 34-katësh, që sipas projektit të propozuar do të jetë me pesë yje.

Projekti prezantohet me tre përbërës kryesorë; zhvillimi i marinës, që do të shërbejë si vendparkim për jahtet, zhvillimi i hapësirave publike përreth, duke përfshirë edhe parkun dhe lidhjen me lungomaren dhe zhvillimi i zonës komerciale dhe rezidenciale në afërsi të marinës.

Për zhvillimin e marinës projekti parashikon që punimet të përmbyllen brenda tre viteve. Në kapitullin e posaçëm për këtë në projekt thuhet: “Ndërtimi i marinës do të jetë një risi dhe një vlerë e shtuar për zhvillimin e turizmit në qytetin e Vlorës. Në të do të mund të parkohen varka, skafe dhe jahte të të gjitha llojeve. Ndërtimi pranë qytetit e bën interesante dhe tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj. Është parashikuar që të realizohet në një afat prej tre vitesh”.

Kaq është i gjithë përshkrimi mbi zhvillimin e marinës, pra të portit. Madje, në këtë përshkrim të vret veshët fjala “ndërtimi pranë qytetit” sikur nuk ka port ekzistues, por ai po ndërtohet tani nga biznesmeni Samir Mane.

Projekti nuk flet në këtë pjesë për asnjë kosto financiare, sepse ndoshta nuk ka fare dhe biznesmeni Mane po merr të gatshëm një port për 35 vite me çmimin një euro. Kjo mund të jetë njëra arsye që në kapitullin e “Analizës financiare të projektit” kalohet direkt në analizën financiare të përbërësit të dytë të projektit, ai që ka të bëjë me koston e resortit rezidencial.

Këtu llogaritë janë të thjeshta. Samir Mane ka marrë 57 mijë e 500 metër/katrorë tokë për zhvillim. Nga kjo, rreth 39 mijë janë truall për ndërtim, që sipas projektit do të përkthehet në 165 mijë sipërfaqe ndërtimore, ose e thënë më thjesht 165 mijë metër/katrorë apartamente, parking, e hotele. Kosto e ndërtimi është llogaritur 340 euro për metër katrorë dhe ajo e shitjes 750 euro metër katror.

Projekti parashikon ndërtimin e 663 apartamenteve rezidenciale nga biznesmeni Samir Mane që do të kenë një sipërfaqe totale prej 53 mijë metrash katrorë me kosto ndërtimi 340 euro për metër katrorë dhe çmim në shitje të parashikuar 750 euro. 14 mijë e 500 do të jetë sipërfaqja e ambienteve të shërbimit, pra lokale, bare e restorante. Edhe këto llogariten me kosto ndërtimi 350 euro për metër/katrorë, por me çmim shitje 1250 euro për metër katror.

Në fund janë 15 mijë metër/katrorë parkingje me kosto ndërtimi 150 euro për metër katrorë. Projekti parashikon ndërtimin e 500 vendeve të parkimit, ku një i tillë do të shitet 5 mijë euro. Pra, 2.5 milionë euro, ose 10 për qind e vlerës minimale të marrjes së koncesionit, do të arkëtohen vetëm nga shitja e parkingjeve.

Në total, kostoja e ndërtimit për apartamentet vlerësohet në projekt rreth 18 milionë euro, ndërsa të ardhurat në shitje rreth 38.5 milionë euro. Pra, një fitim mbi 20 milionë euro vetëm për këto njësi. Për zonat e shërbimit, baret, lokalet e restorantet, kostoja totale e ndërtimit në projekt vlerësohet rreth 5 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga shitja e tyre vlerësohen të paktën 17.5 milionë euro, pra mbi 12 milionë euro fitim. Për parkingjet, kostoja e ndërtimit është 2.25 milionë euro dhe të ardhurat nga shitja e tyre 2.5 milionë euro, pra 275 mijë euro fitim.

Në total, në vitin 2027, sipas projektit të Samir Manes, ai do të ketë shpenzuar 25.5 milionë euro për ndërtimin e apartamenteve, njësive të shërbimit dhe parkingjeve, ndërsa do të ketë arkëtuar 58.6 milionë euro, 33.1 milionë euro fitim. Këto janë fitimet vetëm nga shitja e apartamenteve, parkingjeve dhe njësive të shërbimit. Fitimet mbulojnë kostot e ndërtimit të dy hoteleve, njëri me 5 yje që do të ngrihet buzë detit dhe tjetri në skajin perëndimor të projektit. Kosto totale e dy hoteleve është përllogaritur rreth 31 milionë euro.

Hotelet do t’i mbesin në pronësi Samir Manes, që parashikon që të shfrytëzojë me 45 për qind kapacitetet e tij përgjatë të gjithë vitit me një çmim prej 80 euro për dhomë në natë. Hoteli i parë, me 5 yje do të ketë 125 dhoma. Hoteli i dytë do të jetë në skajin perëndimor të projektit, pra më në thellësi. Ai është parashikuar me 4 yje dhe me 43 dhoma.

Si për të vulosur talljen dhe fshehur grabitjen e pronës publike, në projekt Samir Mane na thotë se po na kursen nga ngritja e godinave shumëkatëshe në vijën e parë, “pavarësisht presionit të lartë për pasuri të patundshme në këtë pjesë kryesore të projektit”. Ai thotë se “nuk ngriti ndërtesa të larta në vijën e parë, për të mos i bërë hije lungomares dhe për të mos ndikuar negativisht në tërësinë e përvojës bregdetare”.

Shembulli i tretë është edhe më i freskët e flagrant: ndërhyrja e jashtëligjshme në hartën territoriale të vendit, duke ndryshuar kufijtë e Bashkisë së Kamzës. Sot, vërtet Samir Mane mund të mburret se me bizneset e veta paguan 40 mln euro taksa në vit, por një ndryshim i hartës dhe kufijve bashkiakë i ka shmangur të paktën 14 mln euro taksa. Rastësi?

Nëse të gjitha këto nuk e bëjnë Samir Manen oligark, atëherë kuptimi i këtij termi duhet të ndryshojë dhe për njerëzit që kanë paranë e përmes parasë ndikojnë në vendimmarrjet e pushtetit për të favorizuar bizneset e tyre të përdoret “biznesmen i suksesshëm”, ashtu siç Mane pretendonte në intervistat e 2018-ës. /voxnews/

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.