Gati tri vite po bëhen që nga vdekja misterioze e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit. 

Me 5 nëntor 2016 Astriti ishte gjetur i vdekur brenda qendrës së paraburgimit në Prizren.

Për vdekjen e Astritin, janë bërë ekspertiza ku u konstatua që ka kryer vetëvrasje në qelin e tij, megjithatë diçka të tillë nuk ka pranuar familja e as Lëvizja Vetëvendosje.

Së fundmi në Kosovë kanë ardhur rezultatet e një ekspertize të kryer nga Qendra Universitare i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës. Mirëpo, rezultatet e saj akoma nuk janë bërë të ditura dhe Prokurori i Shtetit ka njoftuar se ato do t’i dërgohen familjes Dehari, pasi të përkthehet.

Se a po e keqpërdor Prokuroria edhe Raportin e Zvicrës në rastin e Astrit Deharit, politologu Faik Krasniqi ka thënë për gazetën “Bota sot” se familja Dehari brenda pak viteve ka humbur dy djemtë e saj, ne rrethana tragjike dhe misterioze..

Sipas tij, akoma është e paqarte vdekja tragjike e vëllezërve Dehari, dhe kjo familje është duke përjetuar një ankth.

“Nuk është mirë që organet përkatëse të luajnë me ndjenjat e kësaj familje. Por s’jam duke e kuptuar as mjekësinë ligjore të Zvicrës që raportin origjinal nuk ja ka dorëzuar drejtpërdrejtë familjes, por atë raport e ka dërguar në Prokurorinë e shtetit. Për t’u hequr çdo dilemë e vdekjes tragjike të Astrit Deharit, raporti origjinal i mjekësisë ligjore të Zvicrës, duhet t’i dërgohet direkt familjes Dehari. Familja dhe opinioni duhet ta dijë të vërtetën e vdekjes së Astrit. Në këtë mënyrë edhe familja do të ishte më e qetë, por edhe spekulimet do të merrnin fund”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.