epa02729348 Leader of Vetvendosje (Self-determination) opposition party, Albin Kurti (R), stands in front of the Kosovo Police officers during a protest in Pristina, Kosovo, 12 May 2011. Hundreds of protesters clashes with Kosovo Police to protest the visit of Serbian negotiator Borko Stefanovic. Stefanovic arrived in Pristina to discuss EU-mediated talks on improving relations between Serbia and Kosovo. EPA/VALDRIN XHEMAJ
 

Asnjë befasi nuk vjen nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë. Zyrtarisht Albin Kurti nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit për një ulëse në Kuvend. KQZ verifikoi listën e dërguar të kandidatëve për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe iu përmbajt vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës çdo person që në 3 vitet e fundit është dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë me një ose më shumë vite burgim nuk lejohet që të kandidojë. Albin Kurti është dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale, ‘përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe për ‘pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’.

Për ironi të fatit ishte vetë Lëvizja Vetëvendosje që çoi në Kushtetuese çështjen e përsonave të dënuar që mbajnë postin e deputetit. Por, pse Vetëvendosja do të ngrinte këtë çështje nëse do ti kthehej si bumerang drejtuesit të saj?

Për të kuptuar këtë veprim të Lëvizjes Vetëvendosje duhet të kthehemi pas shtatë muaj, më 11 qershor të vitit 2020. Partia e Kurtit do të dorëzonte në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së votimit të 3 qershorit për formimin e qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti. Vetëvendosja vlerësonte se pjesëmarrja në votim e deputetit Etem Arifi, i dënuar për një vepër penale, e bënte të pavlefshme dhe jo kushtetues votimin në parlament.

Ju pëlqen!

“Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, – argumentonte Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Ndonëse i dënuar ai kishte votuar pro formimit të qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit.

U deshën gjashtë muaj që Gjykata Kushtetuese, më 21 dhjetor, të vendoste të pavlefshëm votimin e tre qershorit, që mandatonte një qeveri me vota minimale, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Kushtetuesja argumentoi dhe vendosi mbi atë çfarë pritej, asnjë person i dënuar me formë të prerë në tre vitet e fundit nuk mund të ishte deputet, dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh.

Ndërsa u ra dakord që zgjedhjet të mbahen më 14 shkurt, dhe Albin Kurti të bashkohej me Vjosa Osmanin duke garuar bashkë e bërë thirrje se “këto nuk ishin zgjedhje, por referendum”, vloi debati nëse Kurti mund të kandidonte si deputet, pasi mbante mbi supe dy dënime në vitin 2018.

Pikërisht sot Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri fakt atë që pritej. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk u çertifikua për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së, së bashku me 46 kandidatë për deputetë nga listat edhe të partive tjera, po ashtu të dënuar në tri vitet e fundit.

Ndërsa Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po kërkojnë të pamundurën, njëri Kryeministër e tjetra Presidente dhe me projeksione që nxjerrin koalicionin e firmosur 6 ditë më parë si fitues të zgjedhjeve, nëse Kurti siguron votat për ekzekutivin, në horizont për të duken zvarritje të tjera. Interpretime të llojit: Nëse Kurti nuk kalon filtrat për deputet, a mund të jetë Kryeministër?

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.