Pse kaq shumë manipulime e propagandë në mediet shqipe?

Gëzim Mekuli/Oslo

– Pse dhunohet të qenurit shqiptar dhe gjuha shqipe?

Për të arritur deri te një gazetari e kënaqshme dhe etikëplote, do të duhej patjetër që të kemi edhe një demokratizim të politikave të medieve. Politika demokratike e medieve shqipe në Kosovë do të duhej të kishte, ndër të tjera, këto qëllime dhe synime:

– Politikat në pushtet duhet të krijojnë një ambient të këndshëm për lirinë e të shprehurit dhe shumëllojshmërinë e mendimeve. E, kjo do të bëhej, ndër të tjera, me rregullimin e ligjit për mbrojtjen e gazetarëve dhe për funksionimin e infrastrukturës institucionale.
– Politikat duhet të njohin kërkesat e medieve për pavarësi redaksionale në raport me fuqinë në pushtet, duke lejuar kështu një kritikë cilësore në shoqërinë tonë.

– Njëkohësisht dhe gjithashtu, mediet duhet të njohin dhe të pranojnë fuqinë e tyre mbi mundësinë e ndikimit dhe të përcaktimit të temave politike të rendit të ditës. E, kjo kërkon si aftësi, ashtu edhe vullnet të mirë për integritetin gazetaresk dhe për vetëkritikën.

– Politikat duhet të dinë se mediet, gjithashtu, janë aktorë të rëndësishëm të sociales. Është shumë me rëndësi për një sistem politik demokratik që të trimërojë mediet për zhvillime dhe iniciativa të reja.

– Gjuha shqipe duhet të kultivohet mirë nga këto media. Debati mbi politikën mediatike të përdorimit të gjuhës shqipe duhet përforcuar dhe zhvilluar me vullnet e përkushtim, sepse për një kulturë dhe për një gjuhë që i takon një numri të vogël të njerëzve, të shpërndarë në një hapësirë e territor relativisht të madh, për mediet e sotshme do të thotë obligim, por edhe kërkesë për përgjegjësi më të lartë dhe profesionalizëm më cilësor.

– Dhe, së fundi, është shumë e domosdoshme dhe e rëndësishme që mediet e të gjitha profileve të flasin “më shqip”, pa fjalë të huaja, pra pa “okej” e ”najs, najs”-e. Për shembull në median publike, në televizionin kombëtar norvegjez, NRK, përforcimi dhe ruajtja e gjuhës, identitetit dhe kulturës norvegjeze është detyrë dhe obligim i mbrojtur me ligj. Kjo është e potencuar në statusin e televizionit publik, në nenin § 3.3.

Globalizimi dhe dominimi i madh i gjuhës angleze vërehet kudo. Arsimimi i lartë dhe teknologjia telekomunikative bëjnë të mundshëm një shkëmbim më të mirë informativ dhe komunikativ. E, kjo bën që detyrë e medias të jetë e folmja e bukur amtare dhe kjo obligon medien që të jetë një ”qen roje” e kulturës. Ja për shembull në statusin e televizionit publik norvegjez, NRK, thuhet: Televizioni publik NRK ka si detyrë dhe obligim që edhe gjuha e vjetër norvegjeze, ”Nynorsk”, të jetë 25 për qind prezente në programin televiziv. Muzika të jetë së paku 35 për qind prodhim vendor dhe prodhimet televizive të jenë së paku 75 vendore dhe të jene në gjuhën norvegjeze ”Bokmål”, Neni § 3-5, Vendim datë, 14. qershor 2004.

Të mos harrojmë, mediet tona duhet të kujdesen që gjuha shqipe të depërtojë edhe jashtë hapësirave të kulturës shqiptare, pra të jetë e pranishme edhe në rrafshin ndërkombëtar. Është e qartë se kultura dhe gjuha shqipe nuk mund të jenë gjithnjë të ngurta. Andaj, mediet e mira këtu do të shërbenin edhe si një opinion i hapur për përparimin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Për në fund shtrohet pyetja: Si është gjuha në RTK-në “Made in Kosova!?” E pakuptueshme dhe e frikshme. Mediumi publik, RTK, që financohet nga djersa e shqiptarëve të Kosovës, fillon hapjen e ekranit në gjuhë të huaj!

Përsëri edhe një pyetje: Cilën gjuhë përdorin udhëheqësit e emisioneve në RTK? Ka rregulla gjuhësore? Dinë të flasin gjuhën e njësuar shqipe këta gazetaruc e gazetaruce partiake?

Shkrim i botuar ne vitin 2008