Nga Edward Lucas

Pak evropianëve u erdhi keq mbi humbjen e presidentit më shkatërrimtar dhe jo koherent, që ka pasur ndonjëherë SHBA-ja. Ata ndiheshin të përçmuar dhe ofenduar prej shefit të Shtëpisë së Bardhë. Tani, me një demokrat në Shtëpinë e Bardhë, gjithçka do të jetë sërish në rregull, i thanë ata njëri-tjetrit

Ishte viti 2008, kur përfundoi presidenca antipatike e Xhorxh W.Bushit. Dymbëdhjetë vjet më vonë, ndërsa koha e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë po hyn në histori, e njëjta përzierje ndjenjash të lënduara dhe optimizmit jo realist, po përshkon mendimet e liderëve evropianë.

Me siguri nën Xho Baden jeta do të bëhet pak më e lehtë? Në një farë mase, do të jetë vërtet kështu. Një Trump i rizgjedhur në detyrë, mund të kishte tërhequr vërtet Shtetet e Bashkuara nga NATO.

Surpriza të tjera të pakëndshme janë shumë të lehta për t’u imagjinuar:të pamenduara mirë, gjithmonë të keq-përgatitura, dhe me shumë gjasa që njoftuara përmes një postimi në Twitter. Të udhëheqësh Perëndimin, nuk do të thotë të merresh vetëm me real-politikën e konkurrencës gjeopolitike.

Ai post kërkon pak më tepër vëmendje ndaj vlerave, diçka që administratës Trump iu duk e huaj. Ndërkohë, presidenti i zgjedhur Baden nuk është vetëm më i parashikueshëm. Ai është me shumë përvojë. Ai ka një interes të madh personal tek garantimi i sigurisë së Evropës.

Është e vështirë të imagjinohet një udhëheqës tjetër botëror (Angela Merkel do të ishte më pranë), që i kupton më qartë çështje të tilla si Bosnja, Marrëveshja e së Premtes së Mirë, apo kriza në Nagorno-Karabak. Bajden beson dhe artikulon vlera, që janë në zemër të aleancës transatlantike.

Në fjalimin e tij gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut në 2019, unë pashë një vlerësim të madh për të, madje edhe njerëz të përlotur nga audienca që normalisht rri e ngurtësuar. Pra është e lehtë të kuptohet pse kaq shumë udhëheqës politikë evropianë, e kanë përshëndetur zgjedhjen e tij me kaq ngrohtësi dhe lehtësim gjithashtu.

Megjithatë, një qasje e nxitur nga vetëkënaqësia, do të ishte gabim për tre arsye. Së pari, faktorët e brendshëm që nxitën zgjedhjen e Donald Trumpit president nuk janë zhdukur, siç

e tregoi edhe gara shumë e ngushtë zgjedhore e 3 nëntorit.

Por të mos ishte pandemia, presidenti Trump do të kishte fituar sërish. Zgjedhjet e ardhshme janë vetëm 4 vjet larg. Ato mund të fitohen nga një kandidat republikan Trumpian, çka mund ta bënte epokën e Bajdenit të dukej si një anakronizëm anormal.

Këtë gjë duhet të kenë parasysh edhe amerikanët. Reputacioni i SHBA mbi qëndrueshmërinë e saj në politikën e jashtme, kërkoi dekada për t‘u ndërtuar. Fjalët dhe veprimet e pakujdesshme, e dëmtuan atë shumë dhe shpejt. Dhe ky imazh nuk do të rikuperohet shumë shpejt.

Së dyti, edhe në planin afatshkurtër, siguria evropiane nuk do të jetë një çështje e ngutshme në axhendën e Uashingtonit, e cila dominohet nga Kina jashtë vendit, dhe problemet ekonomike dhe polarizimi i brendshëm politik në SHBA.

Ata që ee kujtojnë gabimisht administratën e Obamës si një epokë të artë të marrëdhënieve transatlantike, duhet ta rifreskojnë kujtesën e tyre në lidhje me rrjedhjet e informacionit, snobizmin dhe gabimet, “ripërtëritjen e raporteve” me Rusinë, heqjen e bazave të mbrojtjes raketore në Poloni dhe Republikën Çeke, “strumbullarin” aziatik, dhe gjuhën shpeshherë të ftohtë të Obamës (“partnerë” në vend të “aleatë”).

Gjithashtu ata duhet të përmbahen nga heqja dorë nga përgjegjësitë e tyre. Në samitin e NATO-s në Pragë në vitin 2009, ankesat dhe kërkesat e shumta të aleatëve evropianë ndaj SHBA-së, e tërbuan Barak Obamën e sapozgjedhur në detyrë.

Së treti, armiqtë tanë nuk po flenë. Pavarësisht nëse SHBA është (ose mund të jetë) më mbështetëse në të ardhmen, Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, duke shpenzuar më shumë, e duke bërë më shumë.

Kërcënimet nuk janë vetëm të natyrës ushtarake – ato përfshijnë çështjet shumë më të vështira të parandalimit dhe qëndrueshmërisë kur përballemi me sulmet kibernetike, paratë e pista, luftën e informacionit, dhe forma të tjera të veprimit të ndikimit.

Këto kërkojnë forma të reja bashkëpunimi midis vendeve, dhe midis pjesëmarrësve në sistemet tona politike dhe ekonomike. Kina është kërcënimi kryesor. Kërcënimi që administrata Obama kryesisht nuk e pa, por që Trump e kuptoi shpejt.

Ai gjithashtu e kuptoi që marrëveshja bërthamore e Iranit, nuk i ka sabotuar ambiciet destruktive rajonale të Republikës Islamike. Ndërsa mirëpritet administrata e re, qasja më e mençur për aleatët evropianë, do të ishte të pranonin që në disa fronte paraardhësi i Bajden ishte i duhuri. Këtë gjë duhet të vënë re edhe amerikanët. / “Center for European Policy Analysis”