Çdo vit prindërit evropianë ndajnë mesatarisht 300 fotografi të fëmijëve të tyre në internet. Një zakon që po përhapet gjithnjë e më shumë, dhe që sipas një studimi më të fundit bart rreziqe afatmesme dhe afatgjata. Studimi i realizuar nga Shoqata Italiane e Pediatrisë (SIP) dhe i publikuar në “Journal of Pediatrics”, ka treguar se kjo tendencë në dukje e padëmshme,fsheh rreziqe për të cilat vetë prindërit shpeshherë nuk janë të vetëdijshëm.

Ato kanë të bëjnë me fushat e mbrojtjes së imazhit të të miturit, konfidencialitetin e të dhënave të tij të ndjeshme dhe sigurinë dixhitale. Një shifër shumë domethënëse:një anketë e kryer nga Komisioni Australian eSafety tregoi se rreth 50 për qind e materialit në faqet e pornografisë së fëmijëve vjen nga mediat sociale.

“Prindërit janë kryesisht të pavetëdijshëm mbi rreziqet ndaj të cilave i nënshtrojnë fëmijët e tyre”- thotë Pietro Ferrara, autori kryesor i studimit, profesor i pediatrisë në Universitetin Campus Bio–Medico të Romës. Studimi tregon se 81 për qind e fëmijëve që jetojnë në vendet perëndimore janë të ekspozuar në rrjet që para moshës 2 vjeçare (92 për qind në SHBA), se 33 për qind e tyre janë në internet brenda disa javësh nga lindja.

Po ashtu se 15 për qind në Evropë (34 për qind në SHBA), janë në faqet dhe rrjetet sociale edhe para lindjes, nëpërmjet publikimit të ekove gjatë shtatzanisë. Rrjetet sociale lindin si një mundësi për t’u lidhur me njerëz të tjerë, por edhe për të marrë mbështetje dhe informacion.

Por ka nga ata që publikojnë imazhe të fëmijëve të tyre, sepse nxiten nga një kërkim i vazhdueshëm për miratimin e prindërimit të tyre, dhe i shohin pëlqimet nga këndvështrimi i miratimit social. Por ka nga ata që i përdorin fëmijët si një burim të ardhurash.

Përtej motivimeve pak a shumë të fisme, në të gjitha rastet nuk ka një respekt të duhur për të miturin, i cili nuk ka mundësinë të japë miratim të ndërgjegjshëm për përdorimin e imazhit të tij. Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve e vitit 1989, përcakton se fëmijët kanë të drejtën e privatësisë dhe të pëlqimit për gjërat që u përkasin atyre.

Po ashtu, problemi qëndron në faktin që gjithçka që publikohet në internet, edhe nëse fshihetnga profili, mund të mbetet në rrjet dhe me kalimin e kohës të krijojë siklet ose bezdi. Por mund të bjerë edhe në duar të gabuara. “Studime të ndryshme, kanë treguar se shumica e të rinjve janë deklaruar kundër publikimit të fotove të fëmijërisë së tyre në internet”– shpjegon Ferrara.

Me miratimin e ligjin 71/17 mbi bullizmin kibernetik së fundmi në Itali, të miturit nga mosha 14 vjeç e sipër, kanë të drejtë të kërkojë heqjen e përmbajtjeve dixhitale. Ferrara thotë se SIPka hartuar edhe disa këshilla praktike, ku prindërit këshillohen të shmangin postimin e të dhënave të ndjeshme si emrat e plotë, adresat, vendndodhjet në internet, sepse kjo i ekspozon fëmijët ndaj një sërë rreziqesh, përfshirë vjedhjen e identitetit. Po ashtu nuk duhet tëshpërndajnë imazhe të fëmijëve të tyre në asnjë lloj gjendje lakuriqësie, madje as fotot me rroba banje në plazh.