“Shumë vetë në SHBA i cilësojnë negociatat si një shenjë dobësie” – ka shkruar Henri Kisinger. “Unë gjithmonë i kam parë ato si një armë për garantimin moral dhe psikologjik të një pozicioni të lartë. … Ky është një mjet për të përmirësuar pozicionin strategjik të dikujt”

Nga Dominic Tierney*

Kundërshtimi i ethshëm i republikanëve, ndaj një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit, mund të duket si një shembull tjetër i politikës partiake dhe armiqësisë personale ndaj Barak Obamës. Por ka ndërkaq një arsye shumë më të thellë për përplasjen në Kongres: neveria e thellë, e rrënjosur në kulturën amerikane, për të folur me kundërshtarët e “ligj”.

Negocimi me kundërshtarët ndërkombëtarë është më i debatueshëm në Shtetet e Bashkuara, sesa në shumë demokraci të tjera të zhvilluara. Ndërsa në vende të tjera pazarllëqet shihen shpesh si normale,

amerikanët jo rrallë i shohin bisedimet ballë për ballë, si një çmim që kundërshtari duhet ta fitojë vetëm përmes sjelljes së mirë. Shtetet e Bashkuara janë pjesë e një koalicioni prej 6 vendesh që po diskutojnë me Iranin, së bashku me Britaninë, Francën, Rusinë, Kinën dhe Gjermaninë.

Por SHBA-ja është i vetmi vend ku marrëveshja ka gjeneruar një stuhi politike në politikën e brendshme. Rezistenca ndaj një marrëveshje me Iranin është pjesë e një historie të gjatë skepticizmi amerikan, përsa i përket marrjes vesh me kundërshtarët.

Gjatë viteve të para të Luftës së Vietnamit, Franca, Britania, Kanadaja, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, iu lutën Uashingtonit të negocionte fundin e konfliktit, por SHBA refuzoi nënshkrimin e çfarëdolloj armëpushimi, përveç alternativës së dorëzimit pa kushte të Vietnamit të Veriut.

Më afër në kohë, në vitet 1990, republikanët sulmuan përpjekjet e presidentit Bill Klinton për të negociuar një marrëveshje bërthamore me Korenë e Veriut, me senatorin Xhon Mekein që e quajnte procesin e bisedimeve të barazvlefshëm me “pajtimin” me Phenianin.

Në vitin 2003, kur Iraku nisi të rrëshqasë drejt kaosit, zv.sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pol Volfovic mori një memo që sugjeronte se Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunonin me sunitët e pakënaqur. Thuhet se ai u përgjigj me 3 fjalë: Ata janë nazistë!

Në vitin 2008, presidenti Xhorxh W. Bush deklaroi para Knesetit izraelit: “Disa, duket se besojnë që ne duhet të negociojmë me terroristët dhe radikalët, a thua se disa argumenta të mençura do t’i bindin ata se e kanë patur gabim. Por kjo ulje në bisedime do të ishte vetëm një “rehati e rremë e pajtimit”.

Për një dekadë pasi Shtetet e Bashkuara e pushtuan Afganistanin, nga Bushi tek Obama refuzuan të hyjnë në bisedime me kryengritësit talebanë. Një rishikim i strategjisë së SHBA në vitin 2009, madje as nuk e konsideronte mundësinë e një zgjidhje diplomatike me udhëheqjen talebane. Në vitin 2010, Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA për Afganistanin, Riçard Hollbruk e pyeti gjeneralin Dejvid Petreus për pajtimin afgan. “Riçard, kjo është biseda e disatë mbi këtë çështje” – thuhet se u përgjigj Petreus. “Po, është e mundur. Por jo tani”. Më vonë, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012, kandidati republikan për president, Mit Romni

deklaroi: “Ne s’duhet të negociojmë me talebanët, ne duhet t’i mposhtim ata”. Rezistenca ndaj angazhimit diplomatik është zakonisht më e fuqishme në krahun e djathtë. Për shembull, në vitin 2013, 27 përqind e demokratëve nuk e miratuan nënshkrimin e një marrëveshje të përkohshme me Iranin mbi programin e tij bërthamor, krahasuar me 58 përqind të republikanëve.

Presidentët demokratë janë veçanërisht të prekshëm ndaj akuzave si “pajtues”, për të biseduar me armiqtë. Përkundrazi, është shpesh politikisht më e lehtë për republikanët agresivë për të negociuar, pasi pak vetë mund të dyshojnë tek rezistenca e tyre.

Gjatë Luftës së Ftohtë ishin presidentët demokratë ata që filluan luftërat e mëdha në Kore dhe Vietnam. Ndërsa presidentët republikanë biseduan sipas mënyrës amerikane. Sikurse ka mbetur si shprehje, ajo rrugë e çoi Niksonin në Kinë.

Por përse amerikanët nuk pëlqejnë të negociojnë me armiqtë e tyre? Përgjigja ka të bëjë me kombinimin e fuqisë dhe moralizmit të vendit. Pas vitit 1945, Shtetet e Bashkuara u shfaqën në botë si një kolos me një ekonomi tre herë më të madhe se

konkurrenti i tij më i afërt, Bashkimi Sovjetik. Aftësitë e SHBA për të ruajtur rendin global e zvogëluan nevojën e dukshme për kompromis me kundërshtarët më të dobët si Vietnami i Veriut, të cilin Lindon Xhonsoni e etiketoi “vend zhelan i rangut të katërt”.

Ndërkohë, sipas një tendosje moraliste në kulturën amerikane, kompromisi me kundërshtarët “e ligj” njollos vlerat e SHBA. Amerikanët kanë prirjen të jenë thellësisht të përkushtuar ndaj idealeve të kombit, demokracisë, dhe të drejtave individuale. Niveli i besimit fetar është gjithashtu shumë më i lartë në Shtetet e Bashkuara, sesa në demokracitë e tjera të pasura.

Për pasojë, amerikanët ka shumë të ngjarë të thonë se kanë standarde absolute për të mirën dhe të keqen, ndërsa evropianët, kanadezët, dhe japonezët, me shumë gjasa do të shpreheshin se etika varet nga rrethanat.

Drejtësia e moralit amerikan mund ta bëjë aktin e bisedimeve të duket natyrshëm i dyshimtë. “Sepse ne luftojmë për vlerat dhe parimet. Durimi ynë dhe vendosmëria jonë janë të pafundme” – tha Xhonsoni për Vietnamin. Ndonjëherë është e përshtatshme të mos hysh në kontakte me armiqtë, veçanërisht kur

ata janë krejtësisht ekstremistë ose të papajtueshëm, si nazistët apo Al-Kaeda. Por këto janë përjashtime të rralla. Drejtësia e moralit amerikan bën që pazaret të duken natyrshëm të dyshimta. Rreziku është se fuqia dhe moralizmi amerikan, shkakton kundërshtimin ndaj diplomacisë, çka dëmton interesat e Uashingtonit. Për të gjitha burimet e saj të mëdha, Shtetet e Bashkuara nuk munden zakonisht të zbatojnë vullnetin e vet kundër armiqve, veçanërisht kur topi është në fushën e kundërshtarit. Dhe refuzimi për të bërë kompromis me vlerat amerikane përmes lëshimeve, mund të thotë se duhet paguar një çmim më i madh etik më vonë. Uashingtoni mund të humbasë mundësinë për një marrëveshje të vlefshme dhe të përfundojë duke negociuar si mjeti i fundit, kur ndikimi i tij tashmë është shumë më i dobët.

Shtetet e Bashkuara duhet të kishin hyrë në negociata me talebanët në vitet 2002 ose 2003. Në atë kohë, kryengritësit ishin në arrati dhe mund të ofronin lëshime të mëdha në këmbim të një roli politik të njohur në Afganistanin e ri. Në fund të fundit, talebanët ishin të dobësuar, por jo të mundur. Ata adhuroheshin si shenjtorë në

Pakistan. Ka pasur vetëm disa mijëra trupa ndërkombëtare në Afganistan. Një kryengritje ishte gjithmonë e mundur.
Pra, pse të mos negociohej, kur Shtetet e Bashkuara kishin ende letrat më të mira? Në vend të kësaj, Uashingtoni priti deri në vitin 2011, kur lufta ishte degraduar në një moçal, duke pranuar për herë të parë publikisht bisedimet e paqes. Në mënyrë të ngjashme, Shtetet e Bashkuara shmangën negociatat kuptimplota me Iranin, kur Teherani kishte vetëm disa qindra centrifuga, derisa iranianët arritën të ndërtonin një program bërthamor industrial të gjerë.

“Shumë vetë në SHBA i cilësojnë negociatat si një shenjë dobësie” – ka shkruar Henri Kisinger. “Unë gjithmonë i kam parë ato si një armë për garantimin moral dhe psikologjik të një pozicioni të lartë. … Ky është një mjet për të përmirësuar pozicionin strategjik të dikujt” – shton ai. Për të vënë në punë si duhet këtë armë diplomatike, Obama duhet të manovrojë nëpër një peisazh shumë të vështirë politik.

Për një president demokrat, zgjidhja ideale është të ndërtojë një ekip dy-partiak të politikës së jashtme. Kjo nuk është diçka e lehtë, duke patur parasysh

klimën politike hiper-partizane. Por Obama e ka provuar më herët këtë gjë me emërimin e Robert Gejtsit, republikanit të moderuar, si Sekretar i Mbrojtjes.

Të dy krizat bërthamore iraniane – e para në Lindjen e Mesme dhe tjetra në Uashington, tregojnë se demokratët po përballen me një kohë të vështirë, duke bërë paqe sipas mënyrës së tyre. Në fund, mund t’i takojë një republikani të shkojë në Iran. /“The Atlantic”/

• Shënim: Dominic Tierney, është profesor i shkencave politike në “Swarthmore College”. Ai është autori i librit “Si luftojmë: kryqëzatat, moçalet dhe mënyrat amerikane të luftës”.