Ka shumë rrugë për të shpëtuar vetveten nga kjo batërdi informimi, shumëllojshmërie të servirjes së propagandës. E rëndësishme është të vetëdijesohemi mbi domosdoshmërinë e njohjes në thelb të asaj që na kanos dhe mobilizimit për të mos hezituar në veprim.

Ka një ndryshim​, madje një ndryshim të madh​, midis arsimimit dhe propagandës. Arsimimi të tregon si të mendosh. Propaganda të thotë çfarë të mendosh. Mësuesit e mirë i paraqesin të gjitha anët e një çështjeje dhe inkurajojnë diskutimin. Propagandistët të detyrojnë me ngulm të dëgjosh pikëpamjen e tyre dhe nuk inkurajojnë aspak diskutimin. Shpesh motivet e tyre të vërteta s’janë të dukshme. Ata shoshitin faktet, duke i shfrytëzuar ato që u shërbejnë dhe duke i mbajtur të fshehta të tjerat. Gjithashtu, i shtrembërojnë faktet, duke u bërë ekspertë të gënjeshtrave dhe të pohimeve gjysmë të vërteta. Shënjestra e tyre janë ndjenjat, jo i menduari logjik.

Propagandisti sigurohet që mesazhi i tij të ngjajë tamam mesazhi i duhur e i drejtë dhe të na krijojë një ndjenjë sikur jemi persona të rëndësishëm dhe të pranuar nga të tjerët, në rast se bëjmë sipas tij. Ti je një nga personat inteligjentë, nuk je i veçuar nga të tjerët, je rehat dhe pa merak​, kështu thonë ata.

Si mund ta mbrosh veten nga ata lloj njerëzish. Pasi je njohur me disa nga marifetet e tyre, je në një pozitë më të mirë për të peshuar çdo mesazh ose informacion që të paraqitet. Këtu janë disa mënyra për ta bërë këtë.

Ji përzgjedhës: Një mendje e hapur ndaj çdo gjëje mund të krahasohet me një tub që lejon të rrjedhë përmes tij çdo gjë, madje edhe ujërat e zeza. Askujt s’i pëlqen të jetë i helmuar në mendje. Solomoni, mbret dhe mësues në kohërat e lashta, paralajmëroi: «Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» Prandaj duhet të jemi përzgjedhës. Duhet të shqyrtojmë me kujdes çfarëdo gjëje që na paraqitet, duke vendosur çfarë të pranojmë dhe çfarë të hedhim poshtë.

Mirëpo, s’duhet të jemi me mendje aq të ngushtë, sa të refuzojmë të shqyrtojmë fakte të cilat mund ta përmirësojnë mënyrën tonë të të menduarit. Si mund ta gjejmë ekuilibrin e duhur? Duke përvetësuar një standard me të cilin të matim informacionet e reja.

Përdor aftësi dalluese: Aftësia dalluese është «mprehtësi gjykimi». Është «fuqia ose aftësia e mendjes, nëpërmjet së cilës ajo shquan një gjë nga një tjetër». Një person me aftësi dalluese i kap hollësitë e ideve ose të gjërave dhe ka gjykim të mirë.

Duke përdorur aftësi dalluese, do të jemi në gjendje të njohim ata që përdorin thjesht «fjalë të ëmbla dhe të bukura, lajkatuese», me qëllim që të «gënjejnë zemrat e të thjeshtëve». Aftësia dalluese të jep mundësi t’u largohesh informacioneve të kota ose fakteve mashtruese dhe të shquash thelbin e një çështjeje. Por si mund ta dallosh nëse diçka është mashtruese?

Është shumë më mirë që çdo individ të zgjedhë personalisht se me çfarë do ta ushqejë mendjen. Thuhet se ashtu siç hamë, ashtu jemi, dhe kjo mund të aplikohet si për ushqimin fizik, edhe për atë të mendjes. Pavarësisht se çfarë po lexojmë, po shikojmë a po dëgjojmë, le ta analizojmë për të parë nëse ka nota propagandistike apo është e vërtetë.

Për më tepër, nëse duam të mos kemi paragjykime, duhet të jemi të gatshëm të analizojmë vazhdimisht opinionet tona personale, ndërsa marrim informacione të reja. Duhet ta kuptojmë se, në fund të fundit, ato janë opinione. Vërtetësia e tyre varet nga vlefshmëria e fakteve që kemi, nga cilësia e arsyetimit tonë dhe nga normat ose vlerat që zgjedhim të ndjekim.

Në radhë të parë, shqyrto nëse mesazhi ka paragjykime. Ç’motiv ka pas tij? Nëse është plot sharje dhe të folur me nënkuptime, përse është kështu? Duke lënë mënjanë të folurin me nënkuptime, çfarë vlerash ka mesazhi në vetvete? Gjithashtu, nëse është e mundur, përpiqu të shqyrtosh çfarë emri kanë bërë ata që flasin. A njihen si persona që thonë të vërtetën? Në rast se citohen «autoritete», kush ose çfarë janë? Përse duhet ta konsiderosh atë person​, ose organizatë a botim​, si dikë që ka njohuri kompetente apo informacione të besueshme për çështjen që shqyrtohet? Nëse ndjeni ndonjë përpjekje për të nxitur emocionet, pyetni veten: ‘Cilat janë vlerat e mesazhit, po të shihet me gjakftohtësi?’

Mos ndiq thjesht turmën: Nëse e kupton se ajo që mendon çdonjëri nuk është medoemos e drejtë, mund të gjesh forcën për të menduar ndryshe. Edhe pse mund të duket se gjithë të tjerët mendojnë njëlloj, a do të thotë kjo se ti duhet të mendosh po ashtu? Opinioni i përgjithshëm nuk është një barometër i besueshëm i së vërtetës. Përgjatë shekujve janë pranuar gjerësisht gjithfarësoj idesh, por më vonë ka dalë thjesht që ishin të gabuara. Prapëseprapë, vazhdon të ekzistojë prirja për të shkuar pas turmës. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”