Prokuroria Speciale e Kosovë ka siguruar familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime të pavarura dhe profesionale deri në ndriçimin e plotë të vdekjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari.

Prokuroria ka njoftuar se për gjatë dy ditëve, 22 dhe 23 tetor, në Kosovë kanë qëndruar ekspertët e Qendrës Universitare Romande të Mjekësisë Ligjore të Lozanës, të cilët kanë përpiluar ekspertizën ligjore për rastin “Dehari”.

“Gjatë këtyre dy ditëve, ekspertët e Institutit të Lozanës kanë marrë pjesë në procedurën hetimore të këtij rasti, i cili është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale. Pas marrjes së informatave më të hollësishme dhe ekzaminimeve të bëra, ekspertët e këtij instituti do hartojnë një raport shtesë lidhur me gjetjet e grumbulluara përgjatë këtyre ekzaminimeve, ku raportin në fjalë do t’ia dërgojnë Prokurorisë Speciale të Kosovës,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.