Profesori i njohur, Shyqyri Aliaj që ka drejtuar për disa vite Institutin e Sizmologjisë, qetësoi popullatën duke u shprehur se nuk priten më tërmete.

Ai theksoi se pasgoditjet e tërmetit të 26 nëntorit janë në rënie.

I pyetur nëse pritet një termet i tretë, i fuqishëm, ai tha prerazi “JO”, duke bërë edhe sqarimin me fakte shkencore. Sipas profesorit, tërmeti i 21 shtatorit nuk mund të krahasohet me tërmetin e 26 nëntorit, pasi i pari ishte me aktivitet të vogël sizmik. Ndërsa përjashtoi çdo mundësi për një termet të ngjashëm me atë të 26 nëntorit në ditët apo muajit në vijim.

“Jo nuk do të ndodhë! Çdo termet ka një zonë vatre, ka volum, ka shtrirje… Vatrat e vendit tonë janë vatra në koren e tokës që shkojnë nga 50 deri në 70 km. Vatra e tërmetit të fundit ishte me shtrirje të vogël, 40 km nga Durrësi deri në Gjirin e Drinit. Në këtë segment 40 km do kohë që të përpunohet e gjitha. Pra këto pasgoditje që kanë ndodhur këto ditë kanë ardhur pasi po përpunohet vatra. Tashmë pasgoditjet po shkojnë drejt shuarjes. Aktiviteti sizmik po shuhet. Në ditët në vijim Tirana nuk duhet të shqetësohet. Pasgoditjet mund të ndjehen pak në zonat bregdetare. Në ditët në vijim këto do të rrallohen, mund të jetë ndonjë me magnitudë më pak se 4, por më të mëdha nuk do të ketë”, – theksoi ai në ABC News.

Gjatë shpjegimit të tij, profesori më tej, u shpreh se: “Është një zonë që akumuluar energji dhe vjen koha qe një energji e akumuluar që bëhet aq e madhe që është në mes dy pllakave, pllaka afrikane me pllakën evropiane. Kur përplasen këto pllaka, pllaka afrikane zhyttë futet poshtë pllakës euroaziatike e saldojnë shkëmbin dhe gjeneron tërmetin. Është një lëvizje e kontinenteve. Ky ndërveprim gjeneron tërmete në ultësirën perëndimore të Shqipërisë”.

Nga ndryshon tërmeti i 21 shtatorit me atë të 26 nëntorit? Profesor Shyqyri Aliaj thotë: “Zona e vatrës është rreth 40 km dhe po shuhet aktiviteti. Ka një ligjshmëri evolucioni i tërmetit. Ishte me magnitudë 5.6 tërmeti i parë dhe ai mbaroi aktivitetin e tij që ditën e parë të dytë. U shua se ishte termet jo i fuqishëm në vatër. Shkaktoi dëme që duheshin evidentuar. Tërmeti i dytë ka një vatër që po përpunohet dhe nuk ka për të pasur goditje tjetër”.

Profesori paraqiti hartën zyrtare të tërmeteve të miratuar në vitin 1980, pas tërmetit të fuqishëm të Shkodrës në ’79. Në këtë hartë janë shënuar zonat që marrin tërmete 8 ballë që janë kryesisht Durrësi, Kavaja, Shkodra dhe Dibra. Po kështu zonat në qendër të Shqipërisë me termet 7 ballë, ndërsa me 6 ballë janë vetëm zonat veriore malore. Kjo hartë u ka shërbyer ndërtuesve për shumë vite, por profesori tha se ka ardhur koha për të bërë një hartë të re.