Profesor Hysamedini!

Largimi yt i pakohë drejt Kosovës, tash, me fillimin e fushatës zgjedhore atje, na trishtoi pa masë neve, studentëve dhe miqve të tu.

I druhemi profesor përthithjes përfundimtare prej vlagës së dheut të të parëve, së cilës i këndoi madhërishëm poeti Ali Podrimja në poezinë “Unë, biri yt Kosovë…”.
Do të na mungosh fizikisht profesor, do të na privosh nga timbrika dehëse me të cilën zëri yt vesh dhe përcjell mendimet e larta, të paçmuara. Do të na privosh edhe nga humori yt troshitës, që shpesh na i mbushte ditët hareshëm dhe me shpresën që kurrë mjeranët e pushtetshëm, këtej e andej kufirit, nuk ditën ta mbjellin ndër shqiptarët.
Filozofët e mëdhenj të kësaj bote filozofuan me atdhe të pacoptuar, fat të cilin nuk e pate ti dhe bashkëmendimtarët e tu shqiptarë. Madje fatkeqësisht, shumë syresh nuk jetojnë më.
Afro një shekull më parë, intelektualët elitarë të Shqipërisë londineze futeshin në garë se cili do ta flakëronte “Poemin kosovar” më të bukur e më të ndjerë, sipas përcaktimit të Hafiz Ibrahim Dalliut për “atdhetarët e flaktë”.
Dhe rrethanat e sollën që, gjatë LDB, kur Mbretëria SKS u rrëzua e pengesat politiko-administrative ranë bashkë me të, djalëria shqiptare që ish mbrujtur me dashuri të zjarrtë për Kosovën dhe viset e tjera shqiptare të përtej kufijve, të nisej drejt tyre për të shpërndarë gjuhën, mendimin, kulturën dhe fjalën shqipe, tejet të rrezikuara në ato treva ku, për shkaqe politike të copëtimit të trojeve amtare, kurrë nuk ishin hapur shkolla shqipe. Kësisoj, duke jetuar atje ku punonin, atdheu për këtë takëm u bë konkret, mori përmasat reale e nuk mbeti ëndërr,apo fantazi.
Fati e solli që në kahje të kundërt me ta, afro 4 dekada më vonë, ti profesor të kalosh kufirin ndërshtetëror për të ardhur në dheun amë i ndjekur nga hasmi serb, me synimin për të mbijetuar, për të përfunduar studimet e larta dhe për të mbjellë këtej pari farën e kombëtarizmit tek brezat e nxënësve të tu.
Ti profesor, krahas mijëra studentëve dhe qytetarëve, u përballe me dhunën e armatosur serbe në pranverën e vitit 1981, në Prishtinë, për “Kosovën-Republikë”, dhe ky kontribut i qenësishëm mendoj se shenjoi fort startin në pozicionimin përfundimtar dhe luftën konkrete për Çeshtjen kombëtare.
Ti profesor gjithmonë je treguar modest për këtë kontribut, dhe kjo ju lartëson si mendimtar, si qytetar, si aktivist politik dhe si qëndrestar.
Pas ndërrimit të sistemit, ti profesor u angazhove totalisht në hartimin e programeve dhe leksioneve në universitet, duke kapërcyer me sukses udhëkryqin që ndante se nga do ia mbante shkolla shqiptare e mendimit filozofik e politik, në rrethanat e reja dhe sinkron me zhvillimet tragjike për kombin në hapësirën e ish Jugosllavisë. Kam bindjen se ia dole mbanë e me nder, bashkë me kolegët e miqtë e tu, madje ishe përcaktues në këtë sipërmarrje madhore akademike.
Sot si vazhdues i denjë i programit kombëtar dhe aspiratave të Rilindjes, ti profesor dhe bashkëmendimtarët, mund të konsideroheni si lartësuesit dhe modernizuesit e Mendimit Politik shqiptar. Por fatkeqësisht pushtetet sllavofile andej dhe këndej kufirit, në monizëm e “pluralizëm”, sërish nuk ju harrojnë dhe gjithmonë shtetin e keni kundër, e ai nuk përton të hakmerret ndaj jush dhe bashkidealistëve…
Teksa shkruaja këto radhë m’u ndërmendën fjalët e një biri të shquar në Kosovë për rezistencën antiserbe, që deklaroi se dy akt-akuzat dhe vendimet e dënimit me burgim politik matanë e këtej kufirit, ishin kopje identike: koncepti i njejtë, edhe i qendrës në Beograd, edhe i filialit të saj serb në Tiranë në vitet ’60: “Irredentizëm…, nacionalizëm shqiptaromadh, veprimtari armiqësore me synim shkallmimin e miqësisë midis popujve tanë fqinj dhe paqes në rajonin e trazuar të Ballkanit…”.
Për ironi të fatit, me të njejtën pretencë-motivacion, tashmë thjesht si ndëshkim administrativ në mesvitet ’90 nga Tirana zyrtare, ky veprimtar atdhetar kosovar akuzohet se, në diasporën shqiptare në Europë, teksa punonte si zyrtar i shtetit “demokratik” shqiptar, kish propaganduar pikëpamje “ultranacionaliste” dhe “zhirinoide” që dëmtonin rëndë angazhimin e shtetit shqiptar para Beogradit dhe Millosheviçit, si “garantë të përbashkët të paqes dhe miqësisë midis popujve në Ballkan…”.
Me të njëjtin “synim ultranacionalist e irredentist shqiptaromadh të destabilizimit…”, ti profesor Hysamedini dhe bashkëmendimtarët e tu, nisët dhe botuat me tirazh marramendës gazetën “Kosova”, duke dalë enkas jashtë kontrollit të “garantëve” shqiptarë para Beogradit, qysh në fillimvitin 1991 e deri kur u mbyll dhunshëm pas afro një viti nga ata që pretendonin se ishin në opozitë, dhe që kishin glorifikuar qysh në fillimet e “Lëvizjes antikomuniste” e pluraliste, “heroizmin e komisarit Ramiz Alia në çlirimin e Kosovës, në krye të brigadave partizane…”.
Se ti profesor sërish nuk zure mend kur iu kundërvure në gazetën “Rimëkëmbja” përcaktimeve dhe angazhimeve proserbe të krerëve më të lartë të Tiranës zyrtare se: “Kosovarët si kryeqytet kanë Beogradin dhe jo Prishtinën…”; se “Zoti Millosheviç është një burrështetas e partner serioz i shtetit shqiptar dhe me rol e kontribut vendimtar në rajon, pasi ka dëshmuar me prova se di të bëjë edhe luftën, edhe paqen…”; “… se shteti shqiptar ka njohur në të kaluarën dhe njeh edhe sot sovranitetin e Beogradit mbi Kosovën, si vijimësi e angazhimit deri në përkushtim total dhe me çdo mjet për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe statukuosë në Ballkanin-fuçi baruti, të dëmtuar aq rëndë nga luftërat ndëretnike të para disa viteve…”.
Fara e kombëtarizmit e shndërruar në doktrinë teoriko-akademike dhe në program partiak e platformë konkrete të veprimit politik, ishte maja e Mendimit Politik që ju profesor mbollët dhe ngjizët.
Kontributi juaj prej eksperti akademik për “Ligjin e Arsimit të Lartë” dhe Reformën e vërtetë në këtë segment të arsimit kombëtar, në mbi 40 faqe perla të mendimit, do të mbetet gur themeli në luftën për konsolidimin e akademizmit, universitarizmit dhe dijeve cilësore e tejet kompetitive në kushtet e tendencës aktuale për shkallmimin neoliberal të produktit universitar.
Por ju me këtë kontribut rikonfirmuat “mosbindjen dhe armiqësinë” persistente ndaj pushteteve e pushtetarëve që synojnë shndërrimin e studentë-studiuesve në klientë të tregtarëve të dijeve.
Sinqerisht trembem kur mendoj “humbjen” tuaj të radhës (si “humbës i përjetshëm”) në ballafaqimin e ardhshëm në sallën e Kuvendit të Kosovës me “akademistët-kamionistë” dhe me hesapet e ngatërruara të “kamionave e batalionave” të tyre, ku përveç të tjerave do të të vënë përpara me meritat që kanë në “vrasjen e Pjetrit të Parë”, në “plagosjen e Pjetrit të Dytë”, në “atentatin ndaj Pjetrit të Tretë” dhe në “tentativën për atentat ndaj Pjetrit të Katërt”… (Dhe jo ndaj Pjetër-Petar Karagjorgjeviçit serb). “Merita” të cilat ti i dashur profesor natyrisht që nuk i ke…, por merre me të qeshur, si gjithmonë, se ti edhe vetë je i bindur se nuk ia del dot e nuk di të ndash kamionat nëpër bataliona, dhe anasjelltas. Ti di të bësh libra e të përgatitësh leksione brilante, të cilat megjithëse pushteteve nuk u hyjnë në sy e në punë, na lipsen neve, studentëve dhe miqve të tu, u lipsen brezave…
Urimet më të mira dhe suksese në fushatë, profesor Hysamedini.
Fitorja juaj padyshim që do të jetë epilogu i Bashkimit që keni projektuar si forcë politike. Shqiptarët në Kosovë e mbarë Shqiptarinë, e mirëpresin.

Sebastian Zonja. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!