Kryetari Themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe ish- Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, ka takuar në Bruksel raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, eurodeputetin austriak Lukas Mandl, eurodeputetin bullgar Radovan Kanev, eurodeputetin kroat Karlo Ressler, dhe po ashtu eueodeputetin Andreas Schiedler.

Temë diskutimi ishte gjendja aktuale e kujdesit shëndetësor të Kosovës dhe rruga e transformimit drejt standardeve evropiane.

Duke folur për gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor në Kosovë, Dr. Rifat Latifi para eurodeputetëve theksoi se shëndetësia në Kosovë është e injoruar dhe e lënë pas dore, e keqmenaxhuar, e rrënuar nga korrupsioni, me një infrastrukturë spitalore të vjetër, si dhe me kushte dhe shërbime jo të duhura për pacientët.

Ju pëlqen!

Por si mund të përmirësohet dhe zhvillohet ky sistem, apo si të transformohet shëndetësia e Republikës së Kosovës dhe shumë vendeve të tjera?! Prof. Dr. Latifi tha se kjo mund të bëhet përmes avancimit të programeve klinike dhe krijimit të qendrave të ekselencës, sigurimit të transparencës së plotë, përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe ndalimit të korrupsionit, modernizimit të infrastrukturës spitalore, etj.

Ndërkohë, të gjithë eurodeputetët në këtë takim e mbështetën Prof.Dr. Rifat Latifin në projektet dhe vizionin e tij për një sistem shëndetësor të zhvilluar në Kosovë, në mënyrë që pacientët të kenë shërbime dhe përkujdesje më të mirë në vendin e tyre.

Më poshtë gjeni pikat e diskutimit në takimin e mbajtur sot në mes Prof.Dr. Rifat Latifit dhe eurodeputetëve në Parlamentin Evropian në Bruksel.

Gjendja aktuale e shëndetësisë së Kosovës:

1. Shëndetësia e Kosovës ishte injoruar dhe e lënë pas dore, është keqmenaxhuar, është rrënuar nga korrupsioni madhor në të gjitha shtresat e shërbimeve shëndetësore dhe e segmentuar politikisht në forma të ndryshme për tri dekada. Andaj, mund të karakterizohet me siguri edhe me cilësi të ulët të shërbimeve klinike, mungesë të ekspertizës dhe aftësive klinike, mungesë të infrastrukturës moderne, e mbi të gjitha mungesës së aftësive menaxheriale, të cilat në masë të madhe e mbisundojnë sistemin shëndetësor të Kosovës. Shumica e pacientëve me diagnoza komplekse (dhe disa me probleme relativisht të thjeshta kirurgjikale ose mjekësore) dërgohen institucioneve publike ose jashtë vendit për trajtim, me një kosto astronomike. Në të njëjtën kohë, shtretërit e spitaleve publike kanë një shkallë të shfrytëzimit prej vetëm rreth 50%.

2. Infrastruktura spitalore është e vjetër, ose e cilësisë së ulët dhe janë të shumta objektet spitalore të filluara, por jo të përfunduara ose të papërfunduara prej shumë vitesh për arsye të ndryshme, që duken si ndërtesa fantazmë që shpërbëhen vit pas viti.

3. Pjesa e administratës së Ministrisë së Shëndetësisë është një labirint ose rrjet kompleks i një ndërthurjeje rregullash të pakuptueshme të formuara ndër vite, dhe të krijuara për të penguar ecurinë e shërbimeve shëndetësore publike.

4. Buxheti për kujdesin shëndetësor është më i ulëti në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndër më të ultit në botë.

5. Sektori privat i shëndetësisë nuk është aspak i rregulluar (spitale, klinika private dhe barnatore) të cilat janë rritur si kërpudha dhe shpesh mu në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ose spitaleve rajonale. Mungon transparenca se kush i ka këto institucione private shëndetësore.

6. Pagat e punëtorëve shëndetësor në sistemin publik janë mbajtur në nivelin më të ulët në Evropë, dhe shumica e mjekëve dhe infermierëve detyrohen të punojnë 3-4 vende pune (në sektorin privat), në dëm të spitaleve publike; Kjo shpie, ushqen, dhe krijon korrupsionin e madh ekzistues.

7. Ka një ikje masive të trurit të ekspertëve (kirurgë të rinj, anesteziologë, mjekë të tjerë, infermierë, studentë mjekësie dhe infermierë) të cilët po largohen nga vendi me shpejtësi dhe përmasa astronomike. Kjo ikje e trurit e mjekëve të Kosovës dhe rekrutimit të mjekëve ekspertë, infermierë dhe të tjerë është organizuar nga shumë vende. Disa vende janë bërë shumë agresive në tërheqjen e ekspertëve te mjekësisë së Kosovës. Për shembull, studentët e mjekësisë dhe specializantët, infermierët dhe të tjerët mësojnë gjuhën gjermane, paralelisht me kurset mjekësore dhe punësohen menjëherë pas diplomimit, me paga dukshëm më të larta nga firmat rekrutuese nga Evropa, që punojnë dhe jetojnë në Kosovë. Këto praktika po e dëmtojnë ndjeshëm të ardhmen e Kosovës dhe nuk pasqyrojnë partneritet të vërtetë dhe shpresë për rindërtimin e vendit tonë.

8. Pamundësia për të vizituar vendet evropiane dhe për t’u trajnuar në Evropë për shkak të kufizimit të vizave, pengon më tej çdo progres të mundshëm dhe të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë. Edhe nëse vijnë ne Evropë për një trajnim, ata nuk mund të marrin pjesë në mënyrë aktive në trajnim praktikisht për shkak të çështjeve të licencimit. Është paradoksale që ata “nuk janë aq të mirë sa të kenë leje për të mësuar praktikisht, por janë mjaft të mirë për t’u punësuar menjëherë”!

9. Ka mungesë totale të financimit të shkencës dhe kërkimeve shkencore mjekësore substanciale, Kështu, Kosova është në 10 vendet e fundit të botës për sa i përket produktivitetit shkencor.

Si t’a transformojmë shëndetësinë e Kosovës dhe në fakt shumë vendeve të tjera në Afrikë dhe gjetkë?

1. Avancimi i programeve klinike dhe qendrave të ekselencës si rezultat i analizës së nevojave të dizajnuara posaçërisht dhe të bazuara në të dhënat që kemi bërë;

2. Sigurimi i transparencës së plotë, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve dhe ndalimi i korrupsionit të ngulitur në shumë shtresa të sektorit të kujdesit shëndetësor, ngritja e pagave të punëtoreve në nivelin Ballkanik dhe Evropian.

3. Modernizimi i infrastrukturës spitalore dhe institucioneve të tjera shëndetësore dhe rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore duke përfshirë akreditimin ndërkombëtar, të spitaleve dhe institucioneve të tjera;

4. Reformimi i programeve të edukimit dhe specializimeve dhe trajnimit dhe shtimi i supspecializimeve ne nivele ndërkombëtare. Akreditimi ndërkombëtar (Evropian apo Amerikan) i programeve specialistike, spitaleve publike dhe institucioneve private. Evropa duhet të lejojë që vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian të akreditohen nga organet evropiane të akreditimit, falas ose me tarifa shumë të reduktuara;

5. Nevoja e madhe për reforma administrative nga ekspertë të përfshirë në vend dhe jo vetëm disa kurse ditore nga konsulentë me pagesë të lartë;

6. Kthimi i trurit dhe reduktimi i ikjes së trurit përmes krijimit të politikave për përfshirjen e ekspertëve nga diaspora në pozita te rëndësishme klinike, menaxheriale dhe drejtuese në të gjithë sistemin shëndetësor; Duhet te bëjmë gjithçka që këta ekspertë të lejohen nga institucionet Evropiane ku shërbejnë si ekspertë të kthehen herë pas here për të ndihmuar vendet e tyre të origjinës dhe në ndërkohë që ata mbështeten nga institucionet e tyre aktuale.

7. Avancimi i kapaciteteve kërkimore nëpërmjet bashkëpunimit dhe krijimit të infrastrukturës kërkimore shkencore, duke ndihmuar në edukimin kërkimor dhe duke mbështetur financiarisht publikimet e stafit kërkimor; Kosova duhet të ketë institute biomjekësore shkencore.

8. Evropa duhet të rris sasinë e financimit për projektet kërkimore që do të drejtohen dhe realizohen nga ekspertë vendas, duke punuar me institucionet kërkimore evropiane. Ky bashkëpunim duhet të shtrihet në vendet joanëtare dhe ato që presin të bëhen anëtarë të BE-së.

9. Ne kemi filluar me Diplomacinë Mjekësore për të krijuar mekanizma të ri qeverisës, në mbështetje të shëndetit në Kosove por edhe në vendet tjera në zhvillim dhe duke krijuar aleanca në mbështetje të zhvillimeve shëndetësore; Duke përdorur këtë platformë, Evropa duhet të ndihmojë në krijimin e qendrave klinike të ekselencës (CCE) në Kosovë dhe vende tjera për të arritur nga niveli i tanishëm i mjerë, në nivelin e standardeve evropiane, dhe programeve klinike duke shmangur ose reduktuar ndjeshëm neo-kolonializmin mjekësor;

10. Kosova duhet të jetë pjesë e përmirësimit dhe ngritjes së marrëdhënieve ndërmjet vendeve nëpërmjet bashkëpunimit shëndetësor dhe shkencor, për të kontribuar në paqen dhe sigurinë nëpërmjet platformës së bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar përmes platformës së Diplomacisë Mjekësore. Duhet të jetë një partneritet i vërtetë i ndërtuar përmes diplomacisë mjekësore dhe miqësisë, me synimin që Kosova dhe vendet tjera të bëhen pjesë e fshatit mjekësor global dhe për të kontribuar barabartë me vendet tjera. Kjo mund të bëhet plotësisht, por Kosova duhet ta udhëheqë procesin, jo ata që përfitojnë shumë nga paaftësia jonë mjekësore;

11. Përfshirja e ekspertëve klinik nga BE-ja në vlerësimin, hartimin dhe zbatimin e strategjisë për të ndihmuar zhvillimin e sistemeve shëndetësore të Kosovës dhe vendeve të tjera në zhvillim, por ka nevojë që të përcaktohen shumë më mirë indikacionet se çfarë është në fakt rezultati që ne presim nga investimet a taksapaguesve.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!