Thagma të fushatës zgjedhore në Kosovë

Prof. Dr. Enis Sulstarova

“Thagmë” është një fjalë që përdoret rëndom në dialektet jugore të shqipes dhe emërton diçka që të çudit shumë, sepse bie ndesh me atë që është e pritshme dhe e zakonshme. Edhe pse vetë fjala mund të mos përdoret në shqipen e Kosovës, shumë thagma po thuhen atje gjatë fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Po listojmë disa prej tyre dhe do të vijojmë të përmendim të tjera që do të dëgjojmë.

Ju pëlqen!

Thagma nr. 1
Arben Gashi i LDK-së ka thënë se nuk ia vlen ta armatosim ushtrinë e Kosovës, sepse prishen balancat ndërkombëtare dhe sepse tani lufta po bëhet në ajër. Çudi e madhe, sepse ushtria është ushtri ngaqë mban armë! Logjikisht nuk ka ushtri pa armë. Se çfarë armësh ka një ushtri, kjo varet nga mundësitë e shtetit dhe nga fuqia e armikut që duhet të përballojë. Vërtet Kosova nuk mund të matet me fuqinë ajrore të Amerikës apo Rusisë, mirëpo një këmbësori e mirëpajisur me automatikë, topa, autoblinda, tanke e mortaja do të mjaftonte që masakrat e civilëve të viteve 1998-1999 të mos përsëriteshin. Sepse vrasësit nuk përdorën raketa për të vrarë 10,000 civilë, shumica e tyre u vranë nga afër me armë dore që ata nuk i kishin dhe që policët e ushtarët serbë i kishin.

Thagma nr. 2
Uran Ismaili i PDK-së ka thënë se partia e tij do t’i vejë vijë të kuqe të gjitha partive të tjera që kanë individë të korruptuar. Do të kishte më shumë kuptim që vijën e kuqe ai t’ia vinte partisë ku bën pjesë. Ose nuk ka dëgjuar që PDK-ja ka kapur shtetin, ose nuk ka dëgjuar asnjëherë për aferën “Pronto”, ose ai ka një koncept të vetin për korrupsionin. Nëse është kjo e fundit, pritet që të na sqarojë.

Thagma nr. 3
Haradinaj thotë se lista AAK-PSD garanton Kosovën në kufijtë ekzistues. Kështu pati thënë Haradinaj edhe për Çakorrin, por në fund ia la Malit të Zi për hir të liberalizimit të vizave me BE-në që nuk ndodhi kurrë./MekuliPress /

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.