Varianti i ri i Covid-19 ka trazuar sërish tregun e vaksinave. Dy nga tre prodhuesit më të mëdhenj perëndimorë nxituan të qetësonin autoritetet dhe njerëzit, duke thënë se dozat ekzistuese janë efektive edhe kundër variantit Omicron. Universiteti i Oksfordit dhe BioNTech e bënë një njoftim të tillë vetëm pak pas rënies së tregjeve, që pasoi një deklaratë të shefit të Moderna-s, sipas të cilit vaksinat ekzistuese mund të mos e parandalojnë variantin e ri.

Nuk mendoj se efektiviteti është i të njëjtit nivel siç e kishim me variantin Delta”, tha Stéphane Bancel në një intervistë për Financial Times, duke shtuar se shkencëtarët e kanë pranuar se varianti i ri paraqet një sfidë.

Tugur Sahin, kreu i BioNTech, i cili prodhon vaksinën Pfizer, pati një ton më optimist dhe nxitoi të propozonte një dozë përforcuese.

Ju pëlqen!

Ne besojmë se individët e vaksinuar plotësisht do të kenë ende një nivel të lartë mbrojtjeje kundër sëmundjes së rëndë që shkakton Omicron,” tha Sahin, duke përmendur njohuritë aktuale të mekanizmit të vaksinës dhe shembuj të mëparshëm nga variante të tjera. “Ne parashikojmë që vaksinimi përforcues do të rrisë më tej mbrojtjen. . . dhe potencialisht ofron mbrojtje kundër sëmundjeve të rënda”.

BioNTech dhe Pfizer u shprehën të gatshme për ta përshtatur vaksinën brenda gjashtë javësh dhe të shpërndajnë dozat e brenda 100 ditëve nëse është e nevojshme.

Edhe Oxfordi, i cili prodhon vaksinën AstraZeneca, dha garanci se deri tani nuk ka prova që thonë se vaksina mund të dështojë përballë Omicron.

Ne do të vlerësojmë me kujdes implikimet e shfaqjes së Omicron për imunitetin e vaksinave“, tha universiteti. “Pavarësisht shfaqjes së varianteve të reja gjatë vitit të kaluar, vaksinat kanë vijuar të ofrojnë nivele shumë të larta mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda dhe nuk ka asnjë provë deri më tani që Omicron është ndryshe.”

Megjithatë, ende nuk ka të dhëna të besueshme për efikasitetin e vaksinës kundër Omicron. Shkencëtari kryesor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Soumya Swaminathan, tha se çdo konkluzion mbi këtë është i parakohshëm.

Swaminathan tha “ne duhet të jemi të durueshëm”, në pritje të “studimeve të plota të efektivitetit klinik për të kuptuar vërtet nëse ky variant është në gjendje të kapërcejë imunitetin e krijuar nga vaksinat ekzistuese”.

Varianti Omicron, i zbuluar së fundmi në Afrikën e Jugut, 32 nga 50 mutacionet e tij i ka në proteinën Spike, në të cilën vaksinat aktuale fokusohen për të rritur sistemin imunitar të trupit të njeriut për të luftuar Covid-in.

Shumica e ekspertëve deri tani mendonin se një variant i tillë me mutacion të lartë nuk do të shfaqej për një vit apo dy.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.