Duket se problemi izraelito-arab ka dalë nga lista e prioriteteve të sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Mesdheun Lindor. Marrëveshjet e Izraelit me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tërheqja e ShBA nga pozicioni i garantuesit si dhe largimi nga skena i drejtuesve autoritarë nga Egjipti, Tunizia, Libia, bashkë me neutralizmin e Sirisë si faktor, kanë krijuar një koniunkturë të re. Mundet të thuhet fare qartë se aktualisht në këtë rajon ka një problem të ri: ai turk.

Rreth 100 vjet pas kufijve që iu imponuan Turqisë së Ataturkut, problemi i ndarjes dhe respektimit të interesave ekonomike të këtij shteti ka dalë në plan të parë, aq sa sot përcakton të gjithë klimën në rajon.

Turqia e Erdoganit është deklaruar qartë si një vend që garanton Europën nga vërshimi i miliona emigrantëve sirianë dhe afganë, duke u afirmuar kështu si aktor strategjik në sigurinë politike të Bashkimit Europian. Ajo ia doli të neutralizojë çdo plan për çështjen kurde duke bllokuar veprimet e fuqive të tjera në Siri ku aktualisht nuk është e qartë se nga do anojë peshorja e ekuilibrit.

Erdogan është dëshmuar shumë elastik, teksa ka pranuar paratë e BE-së, këshillat e ShBA-së me të cilën kapërceu problemet e krijuara nga Fetullah Gulen, marrëveshjet me Putinin në Siri, për të kaluar paralelisht në ballafaqim ushtarak me të në Libi.

Sot njoftohet se Turqia dhe Katari do të ndihmojnë ushtrinë libiane të Tripolit duke afirmuar kështu një aks bashkëpunimi ushtarak që përbëhet nga tri vende në armiqësi me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin. Sipas marrëveshjes të njoftuar më 17 gusht, Turqia dhe Katari do të ndërtojnë baza stërvitore në Libi dhe do të dërgojnë aty personel ushtarak.

Duke patur parasysh se gjenerali Haftar që drejton një qeveri në Tobruk mbështetet nga Rusia, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Franca, është e qartë se Ankaraja është e gatshme për skenarin sirian në Libi. Dhe një sinjal për këtë është deklarata e përsëritur e zyrtarëve turq se “Turqia është kundër zgjidhjes ushtarake në Libi”, çka do të thotë se një skenar i tillë ekziston.

Ne jemi këtu me ftesë të qeverisë së njohur nga OKB. Ne jemi në mbështetje të saj. Ne do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet për integritetin, unitetin dhe përparimin e popullit libian, është shprehur mnistri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Argumenti në fjalë imiton argumentet e Rusisë në Siri ku ajo përsëriste përherë si ndodhej aty me kërkesë të qeveriaë legjitime siriane. Mbulesa e legalitetit ka rëndësinë e vet në këto raste duke qenë se çdo rezultat i konfliktit do të jetë i vështirë të mbrohet nga e ashtuquajtura botë demokratike. Por prania turke në Libi lidhet sidomos me mbrojtjen prej saj të marrëveshjes së kufijve nënshkruar me qeverinë e Tripolit që i jep Ankarasë akses të plotë në Mesdheun Lindor. Aty ku kufiri me Greqinë e kufizon në mënyrë diskriminuese.

Ajo çfarë bëjmë ne në Mesdheun Lindor është tërësisht transparente. Ne i respektojmë të drejtat dhe interesat e fqinjëve tanë…Marrëveshja mes Greqisë dhe Egjiptit është zero, është shprehur Akar.

Problemi detar në këtë zonë të Mesdheut është qendror në zgjidhjen e çdo konflikti dhe për nga interesat që implikon është shumë herë më i thellë sesa konflikti simbolik dhe sentimental mes izraelitëve dhe palestinezëve. Kjo jo vetëm pse Turqia është një vend që ka se çfarë të rivendikojë, por edhe sepse aktualisht, çdo manovër diplomatike që po bëhet për t’i mbyllur rrugën asaj, çon në luftë dhe jo izolim. Sepse nuk ka asnjë mundësi që të shohim në Turqi një qeveri që do pranonte ndarjen e detit sipas interpretimit të palës greke. Në këtë kuptim opsionet që po lëvizin kanë në logjikë strategjinë e konfliktit, ose ecin verbërisht pas bindjes se e drejta qëndron ekskluzivisht në një anë, dhe jo objektivin e uljes së tensionit apo gjetjes së një rrugëzgjidhjeje, përderisa aryeja e kërkon që për gjetjen e një zgjidhjeje duhet të dëgjohet edhe pala tjetër.