Një armëpushim i paralajmëruar nga Rusia pritet të nisë të enjten në fabrikën Azovstal në Mariupol, me qëllim të evakuimit të civilëve, teksa ushtarët ukrainas që gjenden brenda fabrikës janë zotuar se do të luftojnë deri në fund.

Rusia njoftoi për një armëpushim treditor në Azovstal, teksa shtetet e Bashkimit Evropian debatuan për ndalimin e importeve të naftës ruse më 4 maj.

“Forcat e armatosura ruse do të hapin korridoret humanitare nga ora 08:00 deri në orën 18:00, sipas kohës së Moskës, më 5, 6 dhe 7 maj nga fabrika e Azovstalit, në mënyrë që të evakuohen civilët”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Ju pëlqen!

Civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, janë ende të bllokuar brenda qytetit të rrethuar ukrainas të Mariupolit dhe një armëpushim i zgjatur është i nevojshëm për të siguruar evakuimin e tyre, tha të enjten presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pasi dështoi që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas, Kiev, në javët e para të luftës që ka lënë mijëra të vrarë, Rusia ka intensifikuar sulmet në lindje dhe jug të Ukrainës, ku gjendet edhe qyteti-port i Mariupolit.

Rusia shpalli fitore në Mariupol më 21 prill, pas javësh të rrethimit dhe granatimeve. Ky qytet është kyç për përpjekjet e Moskës që ta shkëpusë Ukrainën nga Deti i Zi dhe të lidhë territoret që janë nën kontrollin rus.

Kombet e Bashkuara dhe Kryqi i Kuq gjatë kësaj jave kanë evakuuar qindra persona nga Mariupoli dhe zona të tjera. Por, edhe afër 200 civilë, si dhe ushtarë ukrainas, ende gjenden në bunkerët nën fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, thonë zyrtarët ukrainas.

Gjatë një adresimi në orët e para të së enjtes, Zelensky tha se Ukraina është e gatshme për të siguruar një armëpushim në Mariupol.

“Do të duhet kohë thjesht për të nxjerrë njerëzit nga ato bodrume, nga ato strehimore nëntokë. Në kushtet aktuale, ne nuk mund të përdorim pajisje të rënda për të larguar rrënojat. Gjithçka duhet të bëhet me dorë”, tha Zelensky.

Luftëtarët ukrainas brenda Azovstalit janë duke luftuar “beteja të përgjakshme dhe të vështira” kundër trupave ruse, tha më herët Denis Prokopenko, komandant i batalionit Azov të Ukrainës. Ndërkaq, një deputet ukrainas tha se forcat ruse kanë hyrë brenda fabrikës.

Më 4 maj, mbi 300 civilë janë larguar nga Mariupoli dhe nga zonat e tjera në jug të Ukrainës, në operacionin e përbashkët të OKB-së dhe Kryqit të Kuq, tha koordinatori i Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare në Ukrainë, Osnat Lubrani.

“Përderisa ky evakuim i dytë i civilëve nga zonat në Mariupol dhe zona të tjera është i rëndësishëm, duhet të bëhet më shumë për t’u siguruar që të gjithë civilët që gjenden në zonat e luftës të mund të largohen”, tha Lubrani.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke e cilësuar luftën si “operacion të posaçëm ushtarak” për çarmatosjen e Ukrainës dhe për mbrojtjen nga fashistët të popullsisë rusishtfolëse.

Kievi dhe mbështetësit perëndimorë thonë se ky ishte pretekst për luftën e paprovokuar të presidentit rus, Vladimir Putin, luftë që ka detyruar mbi 5 milionë ukrainas të largohen jashtë vendit.

Ushtria ukrainase tha të enjten se forcat e saj kanë zmbrapsur 11 sulme ruse, kanë rrëzuar katër avionë rusë dhe kanë shkatërruar dhjetëra makina ushtarake, përfshirë edhe tanke.

Beteja po ashtu po zhvillohen edhe në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

Së fundmi, Moska ka thënë se ka përqendruar ofensivën e saj për të marrë kontrollin e rajonit lindor ukrainas të Donbasit, që përbëhet nga rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat pjesërisht janë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.