E diela konsiderohet shpesh si dita e familjes, ndaj dhe ne menduam që t’ju shoqërojmë gjatë mëngjesit tuaj me disa këshilla interesante, veçanërisht për rolin prindëror në edukimin e fëmijëve. Lexim të këndshëm!

Fëmijët argëtohen shumë më tepër kur kalojnë kohë me prindërit e tyre, ndaj përse të mos i shfrytëzoni këto rrethana për të edukuar fëmijët tuaj?

Për të edukuar fëmijët është e rëndësishme të krijoni, që në fillim, një raport bashkëpunimi. Bëjini ata pjesëmarrës në gjithçka: që nga shpenzimet deri te vendimet që do të merrni. Bashkëpunimi në jetën familjare mund të arrihet lehtë nëse veprohet me optimizëm dhe nëse fëmijët përfshihen dalëngadalë në detyra familjare.

Për shembull: nëse do t’ju duhet të bëni pazar, kërkojini fëmijës tuaj që të kontrollojë listën për të parë nëse mungon diçka. Lëreni fëmijën që t’ju ndihmojnë në gjëra të vogla dhe përfshijini ata në zgjedhjet që do të bëni. Kështu, nëse do të blini një tavolinë të re për dhomën e ndenjjes, pyeteni se çfarë mendon. Në këtë mënyrë, fëmijët do të ndihen të “dobishëm”, ndërsa do të kuptojnë se cili është roli i tyre rreth familjes. Ndër të tjera do të arrijnë të kenë më shumë besim te vetja, faktor vendimtar ky për zhvillimin dhe rritjen e tyre.

Ndërkaq fëmija duhet të mbahet afër veçanërisht edhe në rastin kur jeni në pritje të një vogëlushi tjetër. Në këtë rast, rrëfejini fëmijës diçka nga koha kur ishit në pritje të tij duke i treguar disa foto të vjetra të familjes. Edhe në rast se nuk jeni shtatzënë, por keni në plan të bëni një tjetër fëmijë, tregojini vajzës ose djalit tuaj përralla, ku protagonistë të jenë vëllezër dhe motra. Në këtë mënyrë fëmija do të mësojë të vlerësojë idenë e të pasurit të një vëllai ose motre më të vogël si “shok/shoqe aventurash”. Për të edukuar fëmijët, është më mirë që të shfrytëzoni një model të bazuar te çmimet se sa te ndëshkimet. Kur fëmija juaj bën një gabim, ju nuk duhet ta ndëshkoni atë, përkundrazi shfrytëzoni këtë rast për ta inkurajuar dhe për ta bërë më mirë.

Të jesh prind është një “punë” e rëndë

Nëse rritja e fëmijëve për të qenë të lumtur dhe të mirëpërgatitur për jetën nuk është edhe aq e ndërlikuar, pse disa prindër dështojnë në këtë gjë? Parimet bazë të edukimit të fëmijës mund t’i kuptojmë dhe t’i mësojmë teorikisht shumë shpejt, por shumica prej jush duhet të përpiqet për t’i praktikuar sa më mirë njohuritë e marra, qoftë edhe nëpërmjet këtij artikulli. Rritja e fëmijës kërkon kohë dhe mundim.

Koha

Ju nuk mund të rrisni fëmijë pa qenë pranë tyre. Ju duhet ta edukoni fëmijën personalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Nëse nuk jeni gati për të sakrifikuar karrierën tuaj ose planet për të shijuar jetën, nuk keni pse të planifikoni një fëmijë.

Le të sundojë arsyeja dhe jo forca brutale

Është e kuptueshme që dënimet janë diçka e gabuar. Fëmijët fillojnë të mendojnë që të paktën në disa raste të caktuara rrahja është e pranueshme, dhe në disa raste më i forti mund të tregojë superioritetin e tij duke lënduar tjetrin. Por ky arsyetim është kundër opinionit të shoqërisë sonë dhe ne nuk dëshirojmë t’ia mësojmë këtë fëmijës sonë. Ne – të rriturit – duam që gjithçka të zgjidhet me anë të arsyetimit dhe drejtësisë, jo forcës brutale. Duhet të kuptoni se duke i rrahur fëmijët, ju nuk do të bëni gjë tjetër veçse do të vazhdoni të “jetësoni” traditën arkaike, duke ia trashëguar atë brezave të ardhshëm. Ndaj detyra juaj është ta ndaloni këtë zinxhir. Kjo nuk është aq e vështirë.

Pikat ku duhet të mbështeteni për të edukuar fëmijët

1. Le të përputhen fjalët tuaja me vepra

2. Kurrë mos i rrihni fëmijët tuaj!

3. Mos i detyroni ata të marrin vendimet e të rriturve

4. Mos i zemëroni për një kohë të gjatë

5. Kërcënoni vetëm me një ndëshkim real

6. Pranoni gabimet tuaja

7. Mësojuni fëmijëve përgjegjësinë

8. Kurrë mos i përçmoni fëmijët tuaj

9. Lavdërojini shpesh fëmijët tuaj

10. Mos u grindni kurrë para tyre

11. Lexojini çdo natë ndonjë përrallë ose tregim para gjumit

12. Tregojuni fëmijëve tuaj se dashuria juaj për ta është pa kushte.