Prindër, ju që keni fëmijë, të cilët do të fillojnë shkollën për herë të parë, përpiquni të flisni me ta.

Tregojini se si e keni pritur ju vetë këtë çast.

Çfarë keni përjetuar; sa frikë keni patur, por edhe sa kënaqësi kishit kur u tregonit të tjerëve që edhe ju ishit rritur tashmë dhe do të shkonit në shkollë. Tregojini për vete dhe pyetini: Po ata a ndjejnë frikë apo kuriozitet apo ankth? Pyetini. Në moshën 6 vjeç njeriu fillon ta përjetojë frikën nga vdekja më konkretisht. Vetë mbarimi i fëmijërisë, është një lloj vdekje simbolike. Fëmija nuk ekziston më, por edhe i rritur nuk është ende.

Prandaj fëmija bën pyetjet pafund apo pse-të pafund të periudhës 5-11 vjeç, pyet për të zbutur ankthin dhe të gjejë ca pika për t’u orientuar. Kjo moshë përkon me fillimin e shkollës, ku fëmija përballet me dijen e madhe të të rriturit dhe aftësitë e tij për të dëgjuar mësuesin dhe më pas, ato që dëgjoi t’i tregojë e shkruajë me fjalët që ende nuk ua di mirë kuptimin. E gjithë kjo situatë kërkon kurajo të madhe, prandaj prindër mos i lini vetëm fëmijët, por flisni me ta dhe dëgjojini ata. Kjo është ndihma më e madhe që mund t’u jepni fëmijëve tuaj në këtë prag jete prej të rrituri. – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”