Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha sot se Rusia ka planifikuar të kryejë një grusht-shtet përmes protestave të organizuara nga opozita, duke infiltruar në mesin e protestuesve personel të trajnuar ushtarakisht nga vende si Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi, shkruan 360 News duke iu referuar portalit moldav NewsMaker.

“Plani përfshinte sabotim dhe njerëz të trajnuar ushtarakë të maskuar si civilë, në mënyrë që të mund të kryheshin veprime të dhunshme, sulme ndaj ndërtesave qeveritare dhe marrje pengjesh”, tha Sandu në një konferencë shtypi, duke theksuar se kjo nuk ishte hera e parë që Rusia kishte tentuar veprime të tilla të kryej në Moldavi.

“Raportet e dërguara tek ne nga partnerët ukrainas, tregojnë vendndodhjet dhe aspektet logjistike gjatë organizimit të këtij aktiviteti subversiv. Plani parashikon gjithashtu përdorimin e shtetasve të huaj për aktivitete të dhunshme”, shtoi presidentja moldave.

Sandu deklaroi se për të zbatuar këtë plan, Rusia kontaktoi disa forca politike brenda vendit, si Lëvizja rusofile për Barazi Socialo-Politike Republikane (SOR), veteranë dhe ish-agjentë dhe persona të njohur për lidhjet e tyre me Moskën, si ish-deputeti Vladimir Plahotniuc.

Kjo nuk është hera e parë që raportohet për mercenarë serbë, që i janë bashkuar grupeve paramilitare ruse në operacione të ndryshme nëpër botë.

Madje shumë prej serbëve që i janë bashkuar ushtrisë ruse në luftë në Ukrainë, nuk kanë hezituar të publikojnë pamje nga fushëbeteja.