Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman i ka kërkuar falje popullit të Serbisë, për bombardimet në ish-Jugosllavi, të cilat nisën gjatë luftës në Kosovë për ta parandaluar gjenocidin.

Zeman pas një takimi që ka pasur në Pragë me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka folur për këtë temë në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë.

“Serbia shprehu mbështetjen e saj për ne, dhe ne e bombarduam atë. Më lejoni të them menjëherë se unë kërkoj falje për bombardimet në ish -Jugosllavinë. Ishte një gabim. Si burrë, do t’i kërkoja popullit serb të na falte” ka thënë ai.

Më tutje Zeman është munduar të japë sqarime se si kishin tentuar të parandalonin bombardimet e NATO-së, por që sipas tij, ata nuk kishin mbështetje për këtë.

Sulmet ajrore të NATO-së nisën nga 24 marsi 1999 dhe zgjatën deri më 10 qershor të po këtij viti kundër bazave serbe në luftën e Kosovës.

Këto bombardime filluan pas aksioneve të shumta të forcave serbe, djegieve dhe dëbimeve masive në vitin 1998 dhe pas dështimit të Konferencës së Rambujesë për një marrëveshje paqësore me Beogradin.