Ambasadori në largim i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ishte i ftuar mbrëmë në emisionin Pressing në T7. Ai ndër të tjera në këtë emision ka thënë edhe se Kosova nuk duhet të presë që bashkësia ndërkombëtare të marrë vendime për vendin, për eksperiencën e tij si ambasador në Kosovë, për zgjedhjet e ardhshme si dhe luftimin e krimit të organizuar në vend.

“Tani është koha që Kosova të marrë vendime për vete. Kosova nuk është nën ndikim as të ndërkombëtarëve, as të Serbisë dhe madje as Perandorisë Osmane” kishte thënë O’Connell.

O’Connell ka thënë gjithashtu edhe se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse është shumë e rëndësishme për vendin, por ai ka thënë se nuk e mbështet një shkëmbim të territoreve si zgjidhje. Ai ka shtuar se as bashkësia ndërkombëtare nuk e mbështet një gjë të tillë.

Ambasadori britanik në largim gjithashtu ka treguar se si ka qenë dëshmitarë i një ngjarje e cila rrallë se mund të ndodh diku tjetër, një makinë zyrtare duke ngacmuar disa vajza.

“E pash para tri jave tu ecë në rrugë kalojë xhipi 3Z i qeverisë dhe e hap dritaren dhe e nguc një vajzë në rrugë dhe kjo gjë ka ndodhur”, ka treguar ai.

Ai më pas ka folur edhe për gratë e dhunuara gjatë luftës, me ç’rast ka thënë se në Kosovë këto gra fatkeqësisht gjykohen përse janë përdhunuar ose ngacmuar seksualisht.

“Kur pyeten përse viktimat e dhunës seksuale nuk dalin dhe të flasin haptazi, fatkeqësisht konsiderohen fajtorë se pse janë dhunuar ose pse ka veshur ose çka ka veshur dhe sulmohen nga shqiptarët. Qysh mund ta gjejnë guximin me dal vetëm sepse sulmuesit kanë qenë serbë. Çka është e rëndësishme është se kanë filluar të flasin për këtë gjë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa sa i përket eksperiencës së tij në Kosovë ai ka thënë se do i mungojë mikpritja e njerëzve.

“Do më mungojë zemërgjerësia dhe mikpritja e njerëzve”, ka thënë O’Connell.

“Me qenë ambasador britanik në Kosovë është unike. Nuk janë vetëm marrëdhëniet bilaterale por marrëdhënie të dashurisë për shkak të historisë, për shkak të diasporës dhe lidhjeve që kemi” ka shtuar ai.

Tutje ambasadori në largim i Britanisë thotë se vendi që i pëlqen më së shumti në Kosovë është Gryka e Kaçanikut dhe Bibloteka e Prishtinës.

Ndërsa O’Connell ka dhënë edhe mesazhe për votuesit në Kosovë.

“Ju nuk duhet të votoni politikanë që kanë vjedhur dhe kanë kryer krime vetëm pse ata bëjnë deklarata patriotike”, ka thënë ai.

Ndërsa në fund, O’Connell ka thënë se Kosova ka më shumë nevojë për investime në sport për shkak se talenti është i shumtë. /GazetaExpress/