Incidenti i pësuar teksa bënte ski bëri atë që nuk mundi t’ia bënte një jetë e përshkuar me shpejtësi marramendëse në timonin e makinës. 29 dhjetori 2013 ishte dita që ndryshoi plotësisht jetën e Michael Schumacher, të familjes së tij, miqve e tifozëve në gjithë botën. Incidenti në pistën e skive e la në koma, për shkak të një traume në tru.

Ish-piloti i madh i Formula 1, shtatë herë kampion bote, ishte me pushime me familje në shtëpizën e tij Les Brames, për krishtlindje. Gjermani, i cili në atë zonë njihej edhe për aftësitë në ski, doli si çdo mëngjes bashkë me gruan dhe djalin, Mick, si dhe disa miq të tjerë. Ndonëse e njihte shumë mirë kursin që duhej ndjekur, një e papritur e kapi të papërgatitur. Gjatë zbritjes në Chamois, pistë e kuqe, grupi vendosi të ndryshonte rrugë, duke ndjekur një pistë blu aty pranë, La Biche.

Ora 11.07: një shkëmb i fshehur nga bora e porsarënë e bëri të rrëzohej keq gjermanin, ndonëse ishte me shpejtësi të vogël, duke përplasur kokën në një masiv që i çau kaskën mbrojtëse dhe pasojat ishin të rënda. Një incident pa fajtorë, pasi Schumi po ecte me shpejtësi së vogël, pajisjet i kishte të reja, ndërkohë që edhe pistat ishin me sinjalistikën e duhur, sipas normave franceze. Fajtorja e vetme ishte bora që fshehu shkëmbin, duke mos i lënë mundësi Schumacherit ta shmangte.

Dërgohet menjëherë me urgjencë në spitalin e Grenobles, ku diagnoza është dëshpërurese. Mbërriti në 12:40 në koma, me një ndërhyrje të menjëhershme neurokirugjike të domosdoshme. Në orën 22:00, del buletini i mjekëve që flet për gjendje kritike. Siç mund të merret lehtë me mend, lajmi i tmerrshëm bëri xhiron e botës brenda pak orëve. Të shumta janë lajmet e rreme për incidentin, media shtron pyetjen nëse bëhet fjalë për një fatalitet mizor apo ka përgjegjësi për t’u mbajtur. Fatkeqësisht, janë një seri koincidencash të pafata që së bashku prodhuan dramën.

Kanë kaluar pesë vjet e gjysmë, Michael Shumacher prej pak kohësh ka mbushur 50 vjeç, por ka ende mister që mbulon gjendjen reale të ish-pilotit, nga i cili nuk ka lajme të sigurta, ndonëse gjatë kësaj kohe kanë dalë herë pas here informacione për përmirësim të situatës.