Më shumë se 30 milionë euro të Telekomit të Kosovës janë shpenzuar gjatë 14 vjetëve në reklama dhe sponsorizime për media, një pjesë e të cilave janë të lidhura me politikën.

Edhe pse në Këshillin e Mediave të Shkruara janë të regjistruara vetëm 33 mediume, Telekomi u ka dhënë kontrata hiç më pak se 116 portaleve dhe mediumeve online.

Në mesin e atyre që përfituan janë edhe bizneset e politikanëve, përfshirë biznesin e vëllait të kryeministrit aktual, Ramush Haradinaj, ndërsa përfitime patën edhe biznese të deputetëve dhe figurave të tjera politike, sidomos të PDK-së.

Ju pëlqen!

Të dhënat financiare të Telekomit të Kosovës tregojnë se kompania dha 30 milionë e 386 mijë e 740 euro në emër të këtyre shërbimeve.

Vetëm për mediat online nga fundviti i 2015-s e deri më tash, kjo kompani ka harxhuar hiç më pak se dy milionë e dyqindepesëdhjetë mijë euro për reklama dhe sponsorizime.

Financimi për portalin e Haradinajt

Agjencia për Informim Rajonal është themeluar në vitin 2017, 40 për qind e aksioneve të kompanisë janë në emër të vëllait të Ramush Haradinajt, Frashër Haradinaj, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve i përket Flamur Kelmendit.

I pretenduar si medium – portali nuk është i regjistruar në Këshillin e Mediave të Shkruara, por ky kriter nuk e ka penguar Telekomin e Kosovës që t’i ofrojë para.

Në kohën kur Telekomi udhëhiqej nga Gent Begolli, i emëruar i Haradinajt në Telekom, mori vendim që ta mbështesë dhe t’i paguajë agjencisë nga 1.500 euro për muaj.

Sipas të dhënave të ofruara nga Telekomi i Kosovës, më 2018-n, portali kontraktoi 7. 550 euro, derisa për vitin 2019 kontraktoi 6.650 euro.

Dokumentet financiare të siguruara gjatë hulumtimit tregojnë që pagesat për këtë portal kanë nisur të bëhen nga nëntori i 2018-s, dhe fatura e fundit i është paguar më 17 janar 2020. Në total i janë paguar 15 700 euro.

Flamur Kelmendi ka pranuar se është ortak me vëllain e ish-kryeministrit Haradinaj, Frashërin, dhe po ashtu ka konfirmuar marrëveshjen që e kanë pasur me Telekomin.

 

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike! FOTO: No copyright infringement is intended.