Esat Mekuli
Popullit Tim

Deshta, shum’ kam dasht-dishrue

që me këng të trimnoj, me fjalen tënde të ndrydhun

të ngrej fuqitë prej gjumit…

Këndova (dhe kur m’ishte ndalue)

se liria do të vinte edhe për ty, të përbuzun.

Këndova mbi ditët fatlume që do të lindshin, pa dhun,

n’agimin e lirisë për ty me popujt këtu e ngjeti,

mbi forc të bashkimit mbarë:

mbi vrullin tand të mëshehun

-unë, biri yt dhe-poeti.

Po! N’errsinën e shtypjes së randë sa shkambi,

ndëgjova thirrjet që të bana me dal n’dritë-

pse për liri-me tjerë

ke dhanë dhe ti

djers e gjak si etnit.

Kam dhanë, i dashtun…Dhe sot, në liri-

kur thembra e gjaksorit s’na shkel dhe dora pa

pranga mbeti,

me ty këndoj mbi fuqinë e ngjadhun nën yllin që na pri’

-unë, biri yt besnik dhe-poeti. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!