Bardhyl Berberi Sapo kalon ‘Qafen e Thanës’, vetëm 11 km larg doganës, befas para syve të shpaloset një hapësirë e kaltër si në një ekran filmi. Vështrimi ndjek vetiu përkundjen e valëve dhe rrëshqet ngadalë drejt brigjeve dhe ndalet tek rrugët e gjelbëruara, shtëpitë e vilat dykatëshe dhe pallatet shumëngjyrëshe. Sytë të ngelen te lumi Drin me ujin e kulluar si të lyer me mellan, i cili e ndan Strugën e bukur në dy pjesë. Kjo është Struga e Maqedonisë, ku pjesa dërrmuese janë shqiptarë.

Është Struga e bukur, e preferuara e turistëve të shumtë. Struga e mbrëmjeve poetike ku vijnë poetë nga e gjithë bota (mbrëmjet poetike zhvillohen çdo vit…) Por Struga është qyteti i dashur i banorëve të saj që të presin me dashuri, veçanërisht shqiptarët, të cilët ruajnë me fanatizëm zakonet tona. Këtu, është krijuar e para shoqatë për nënë Terezën dhe para disa kohësh struganët e vendosën bustin e saj në qendër të qytetit. Këto rreshta për Strugën i shkrova edhe për një fakt tjetër. Në ecejaket e shumta në shtetin fqinj, kam zbuluar një fakt tepër interesant. Duke pirë një kafe me ish-kryetarin e komunës së Strugës Ramiz Merko më thotë, – A e dini ju se në Strugë ka jetuar për gati 66vjet djali i Ismail Qemalit, Qazim Bej Vlora dhe gjithë arkivi i qeverisë së Vlorës ka ardhur nga Shqipëria dhe është zhdukur në Strugë? Më vjen çudi që kërkohen dokumentet origjinale të aktit të Pavarësisë dhe struktura e parë e shtetit nga historianët shqiptarë në Vlorë. Të gjitha këto dokumente origjinalë të aktit të Shpalljes së Pavarësisë janë sekuestruar nga shërbimet sekrete serbe, të cilat në vitin 1951, dy vjet para se të vdiste Qazim Bej Vlora. Në shtëpinë e tij është sekuestruar i gjithë arkivi që kishte sjellë me vete Qazim Bej Vlora pas largimit nga Shqipëria. Dokumente origjinale dhe shumë foto nga ceremonitë zyrtare. Të njëjtin fakt na e pohoj edhe kryetari i historianëve shqiptarë në Maqedoni, Nebi Dervishi.

Kush ishte Qazim Bej Vlora?

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Qazim Bej Vlora është djali i parafundit i Ismail Qemalit, i cili ka lindur në vitin 1870 dhe ka vdekur në Strugë në vitin 1953. Nga viti 1900 deri në vitin 1919 ka qenë vazhdimisht pranë të atit, në çdo mbledhje dhe gati në të gjitha përpjekjet diplomatike për lirinë e trojeve shqiptare dhe për Pavarësinë e Shqipërisë. Ismail Qemali ka thënë për Qazimin se, ky djalë është “memoria ime”. Sipas shoqatës së historianëve në Strugë, Qazim bej Vlora ka ardhur në Strugë në vitin 1936, me një dokumentacion të pasur nga babai i tij Ismail Qemali dhe me shumë dokumente origjinale të qeverisë së Vlorës. Në moshën 66-vjeçare, Qazimi është martuar me 29-vjeçaren Behije Sherif Masllafie, e cila ishte e veja e Inajet bej Ohrit.

Ajo kishte 4 fëmijë. Ata njiheshin edhe më parë, pasi djali tjetër i Ismail Qemalit ishte i martuar me të motrën e Inajet bej Ohrit. Më 1939, kur pa se gjendja në Shqipëri ishte e turbullt, në prag të pushtimit fashist, ai vjen në Shqipëri dhe e merr të gjithë dokumentacionin e krijimit të shtetit shqiptar për ta siguruar. Kështu jetoi deri në vitin 1949, kur qeveria shqiptare e asaj kohe do t’i ndërpriste një pension që ja kishte akorduar qeveria e Zogut (për Qazim Bej Vlorën). Gjëja më e tmerrshme ka qenë zhdukja e gjithë materialeve origjinale që ai kishte ruajtur nga qeveria e parë e shtetit shqiptar. Një pjesë i ka zhdukur policia e fshehtë serbe e asaj kohe, një pjesë ia ka marrë personeli i Komunës, i cili ia ka djegur së bashku me dokumente të tjera. Në dimrin e vitit 1953, pas një sëmundje kronike në moshën 83-vjeçare Qazim Bej Vlora vdes dhe varroset në varrezat e Strugës. Bashkëkombësit e varrosën në mënyrë modeste, duke i lënë një shenjë guri ku shkruhej se, “ky është varri i Qazim Bej Vlorës”. Deri në vitin1994, askush nuk fliste për Qazim bej Vlorën ndonëse e dinin të gjithë që ai ishte djali i Ismail Qemalit. Disa të moshuar e dinin vendin ku ai ishte varrosur, një varr i thjeshtë i mbuluar nga barishtet. Në vitin 1997, Shoqata e Historianëve të Strugës hulumtoj me dëshmi dhe fakte mbi jetën e këtij patrioti të shquar, i cili ka qenë sekretari personal i Ismail Qemalit. Shtëpia e tij u shtetëzua nga komuna dhe më pas është ndërtuar “Euro Hotel Drini”. Shtëpia tjetër, ku ka jetuar Qazimi është në gjendje të mirë dhe me dy kate.

Aktiviteti i Qazim bej Vlorës

Qazim bej Vlora ka qenë gjithmonë pranë të atit. Veprimtaria e tij nuk ka qenë vetëm diplomatike. Ai ka zhvilluar edhe aktivitete ilegale duke mbledhur armë dhe duke financuar çetat patriotike të luftëtarëve shqiptarë. Qazim bej Vlora ka qenë njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, aktivist në qeverinë e Vlorës, duke dhënë një kontribut të jashtë zakonshëm për kombin shqiptar. Vdekja e tij në Strugë pothuajse kaloi në anonimitet të plotë, duke lenë pas vetes një bibliotekë të pasur, së cilës, ashtu si të dokumenteve të qeverisë nuk i dihet fati.

Forumi i intelektualëve të Strugës nderon Qazim Bej Vlorën

Forumi i intelektualëve të Strugës, me ndihmën e qytetarëve dhe të institucioneve e ka vendosur Qazim Bej Vlorën në piedestalin që ai e ka merituar. Kryetari i këtij forumi Xhemi Hajredini u shpreh se, “kemi ardhur pranë këtij varri për të pastruar ndërgjegjen tonë prej shqiptari, se ne nuk e kemi ditur që në varrezat e qytetit tonë prehej Qazim Bej Vlora”. Ky forum, theksoi kryetari Xhemi Hajredini ka krijuar sot me ndihmat e qytetarëve një varr dhe një pllakë dinjitoze, që përjetëson veprën e Qazim Bej Vlorës

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...