Ish-oficeri i policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin u shpall fajtor për vrasje në vdekjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, një çështje që shkaktoi protesta në të gjithë botën, dhunë dhe një analizë të racizmit dhe praktikave të policisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Juria me gjashtë anëtarë të bardhë dhe gjashtë anëtarë me ngjyrë, e mori vendimin të martën pasi diskutoi rreth 10 orë gjatë dy ditëve në një qytet në ankth se mund të kishte një shpërthim tjetër trazirash.

Para gjykatës, një turmë prej disa qindra njerëzish shpërtheu në brohoritje kur u shpall vendimi.

Ju pëlqen!

Skena u kthye shpejt festive me makina që u binin borive, demonstrues që bllokonin trafikun dhe brohorisnin “George Floyd”.

Chris Dixonit, një 41-vjeçari afrikano-amerikan nga Mineapolisi, i rridhnin lot.
“Shpresoja se do të merrnim drejtësi dhe ia dolëm,” tha ai. “Jam shumë krenar për vendin ku jetoj tani.”

Në sheshin George Floyd në Mineapolis, kryqëzimi ku u vra zoti Floyd të cilit më pas iu vu emri për nder të tij, njerëzit brohorisnin dhe duartrokisnin. Ai shesh ishte kthyer që atëherë në një pikë grumbullimi për protestat e drejtësisë racore.

“Drejtësia për afrikano-amerikanët është drejtësi për të gjithë Amerikën,” tha avokati i familjes Floyd, Benjamin Crump.

“Ky rast është një pikë kthese në historinë amerikane për përgjegjësinë e zbatimit të ligjit dhe dërgon një mesazh të qartë që ne shpresojmë që të dëgjohet qartë në çdo qytet dhe çdo shtet.”

Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris e ndoqën dhënien e vendimit së bashku me ndihmësit e tyre stafin në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Biden, zonja Harris dhe zonja e parë Jill Biden të gjithë folën në telefon me vëllain e George Floyd, Philonise Floyd nga Zyra Ovale, tha Shtëpia e Bardhë.

Më pas nënpresidentja dhe presidenti folën nga Shtëpia e Bardhë.

“Sot ne marrim frymë të lehtësuar por kjo nuk e zhduk dhimbjen. Një vendim i drejtë nuk është i barazvlefshëm me drejtësi të barabartë. Ky vendim na sjell një hap më afër, dhe fakti është që kemi akoma punë për të bërë”, tha zonja Harris duke shtuar se “ duhet të reformojmë sistemin”.

Presidenti Biden tha se racizmi sistematik “është një njollë në shpirtin e vendit tonë”.

“Vrasja e George Floyd solli një verë protestash, të cilën nuk e kishim parë që nga epoka e të drejtave civile të viteve ’60. Protesta, ku njerëzit e çdo race, çdo brezi dhe në paqe, dolën të thonin ‘Mjaft, mjaft, mjaft me vrasjet e pakuptimta. Vendimi i sotëm është një hap përpara”, tha Presidenti Biden.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, dhe vendimi i sotëm e dërgon këtë mesazh, por nuk është e mjaftueshme. Nuk mund të ndalemi këtu. Për të sjellë ndryshime dhe reforma reale, ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë për të reduktuar gjasat që tragjedi si kjo të ndodhin përsëri”, tha presidenti.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.