Aleksandër Sergejevic Pushkini lindi në Moskë, më 6 qershor, 1799, në një familje oborrtare. Më 1811 u rregjistrua në një lice ku mësonin fëmijët e aristokracisë petërburgase. Ambjenti i liceut la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me ide të anti carizmit. Që në moshë të vogël, ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësine dhe për natyrën.

Pak kohë para se të vdiste, ai shkroi poezinë “Monument”, ku në mënyrë gjeniale parashikoi pavdekësi për veten, sepse me lirikën e tij ai kishte prekur miliona zemra. Popullaritetin e poetit anticarist, të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin kur poeti si kishte mbushur akoma të 38-at. Kështu, një nga poetët më të mëdhënj të Rusisë u vra në duel për cështje nderi, më 27 janar 1837.

DEMONI
Në ditët kur së pari nisa
Të gjerën jetë ta kuptoja,
Kur shihja vashëzat e lisat,
Bilbilin natën kur dëgjoja,
Kur zulma, malli dhe liria,
Dhe frymëzimi, poezia
Si zjarr e flakë e patreguar,
Në shpirt më zjejnë pa pushuar,
Kur brenga dhe mundim’i heshtur,
Më zuri vend këtu në gji,
Më vinte plot inat pareshtur,
Këtu në zemër, një gjeni;
Gjithnjë më sillte shqetësim
Çdo qeshje e tij e çdo vështrim.
Te fjalë e tijë plot me vrer
Dëgjoja të pafundmin ferr.
Ai me shpifje, pa pushim,
Çdo gjë të shtrenjtë e mbulonte;
Të dlirin, t’ëmblin ëndërrim
Dhe frymëzimin e përçmonte;
S’besonte dashuri, liri,
Jetën ai gjithnjë e përqeshte;
Mbi dhé, për asnjë bukuri,
Të thurte lavd ai nuk deshte.