GRUAJA E MIRË DHE GRUAJA E KEQE.

Një grua e bukur që skuqet kur flet,
Të shoqin e varfër e bën si një mbret.
Si mbreti ti jetën kaloje mbi dhe,
Se shoqe si do vetë në gjit më ke!

Pse brenga heq ditën, hiç brengë mos ki,
Se natën ke shoqen, balsam mu në gji.
Ke shoqen besnike dhe çerdhen të ngritur,
Urata e Zotit mbi ty paska zbritur.

Ju pëlqen!

Amvisa e bukur pa ndot e pa faj,
Është vet’ parajsa për shokun e saj.
Qëllimin e zemrës arrin veç ai,
Që zemër e së shoqes lufton si e tij.

A është e dlirtë dhe gojësheqer?
Shih dritën e bardhë dhe hijet i ler!
Një grua e mirë, të pashmes ia shkon,
Se rrojtja pa grindë shëmtinë e mbulon.

Kurbatka i ka marrë të folmen si mjaltë,
Perisë që është përbrenda si baltë.
Si qumësht pi hirrën që burri ia sjell,
Xanxarja qumështin si hirrë e vjell.

Një grua e mirë jeton si manare,
Por Zoti të ruajt prej gruas xanxare!
Bilbili që pranë ka galën maraz,
S’ka tjetër veç t’ikë nga burgu kafaz.

Prandaj nepër botë ti bridh si mjerush!
Po z’bëre si thash, rri digju në prush!
Më mirë je zbathur se çizmet burgji,
Më mirë udhëtimi se grinda në shtëpi.

Në burg të kadiut më mirë më je,
Se pranë shtëpisë në mjegull dhe re.
Në odat e tua gëzimi s’ka vend,
Kur zër’i sat shoqe e mbyt zërin tënd.

Bajram ngjan mërgimi për t’urtin njeri,
Që grua me xhinde na ka në shtëpi.
Kur fjalën e burrit s’e futka në vesh,
Ahere i shoqi çitjanet pse s’vesh.

Kur zuskën budalle si grua ke pranë,
Mos thuaj u martova, thuaj: gjeta belanë.
Kur kilen e elbit s’ta mban amanet,
Hambarin e grurit ma qaj me lezet.

I lumtur kush gruan e ka deli femër,
Të dlirë nga dora, të dlirë në zemër.
Një zuske që niset për trimin jaran,
I thuaj: “Tët shoq moj na nxi me tigan!”

Kur kjo i buzëqesh dikujt që s’e njeh,
Ahere mos thuaj: “jam burrë” se je pleh.
Kur sheh se ajo dridhet si gjethja në pleh,
Mendim të patundëshem mos prit, se s’të jep!

Shpëto nga kjo grua në Nil shko e bjer!
Më mirë i vdekur se gjall’ e pa nder.

– Saadiu


Ç’më shihke të metën që tjetri na ka,

Pa parë më parë ti tënden si tra.

Ti turpet e botës o trim mos zbulo,

Lër turpet e botës, të tuat shiko.

Një prehërpërlyer ç’ta rrahim si pis,

Kur prehëri ynë vjen erë gjiris?

Mos thuaj për tjetrin je dreq i pashembull,

Që ti të na tundesh se vetë qënke engjëll!

Më parë shporr vetë të ligën si shtrigë,

Pastaj thuaju miqve: Mos bëni të ligë.

– Saadiu

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!